Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministrja Haxhiu mbajtën konferencë të përbashkët për media

February 28, 2022

Prishtinë, 28 shkurt 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të përbashkët për media kanë folur rreth zhvillimeve të fundit nga situata e krijuar pas invazionit rus në Ukrainë si dhe për rastin e arrestimit të tre shtetasve serbë nga Policia e Kosovës.

Ky konflikt, tha zëvendëskryeministri Bislimi, na tregoi se sa i rëndësishëm është krijimi i një fronti të përbashkët mes të gjitha demokracive për të pamundësuar që iniciativat e tilla ushtarake të finalizohen me sukses.

“Sanksionet e vendosura nga BE, SHBA dhe vendet tjera, e të cilave i është bashkëngjitur menjëherë edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, besojmë se do dobësojnë fuqishëm qeverinë e Moskёs dhe ndikojnë në tërheqjen e tyre nga planet për Ukrainën”, vlerësoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur rreth një rasti konkret të arrestimit nga Policia e Kosovës të tre shtetasve serbë të cilëve iu ishin gjetur pesë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë, personat e dyshuar kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në po të njëjtën ditë, pra të shtunën; kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë.

Ministrja Haxhiu lirimin e këtyre personave e ka vlerësuar si hap të çuditshëm, duke thënë se ‘fakti që personat në fjalë nuk janë mbajtur as 48 orë në Stacion Policor, tregon mospërfilljen ndaj cenimeve të mundshme të sovranitetit dhe integritetit territorial’.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi:

Të nderuar përfaqësues të mediave, shumë faleminderit për gatishmërinë tuaj që t’i përgjigjeni pozitivisht ftesës tonë për një konferencë për media sot.

Qeveria e Kosovës është tej mase e shqetësuar me zhvillimet në konfliktin e Ukrainës. Invazioni i synuar rus, tregon shumë prerazi se ku qojnë ambiciet e shteteve pa demokraci të konsoliduar për të orientuar apo kontrolluar preferencat politike të fqinjëve të tyre, ashtu siç tregon edhe gatishmërinë për keqpërdorim flagrant të historisë në shërbim të politikës agresive.

Po ashtu, ky konflikt na tregoi se sa i rëndësishëm është krijimi i një fronti të përbashkët mes të gjitha demokracive për të pamundësuar që iniciativat e tilla ushtarake të finalizohen me sukses. Sanksionet e vendosura nga BE, SHBA dhe vendet tjera, e të cilave i është bashkëngjitur menjëherë edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, besojmë se do dobësojnë fuqishëm qeverinë e Moskёs dhe ndikojnë në tërheqjen e tyre nga planet për Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, ne përcjellim me breng faktin që jo të gjithë në Evropë menjëherë dhe pa ekuivoke i janë bashkangjitur vlerave perëndimore në dënim të agresionit rus. Kjo vlen si për Bjellorusinë ashtu edhe për fqinjin tonë Serbinë. E sidomos është shqetësuese qëndrimi i Serbisë, shtet ky me potencial të vazhdueshëm destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst ne i kuptojmë edhe brengat e miqve ndërkombëtarë që thirrin për më shumë vigjilencë në vendet e Ballkanit Perëndimor, meqë destabilizimi nga ana Serbisë është i mundur, dhe i njëjti mund të jetë edhe në favor të zhvendosjes së vëmendjes kah konflikti në Ukrainë.

Qeveria e Kosovës po i përcjell me shumë vëmendje këto zhvillime.
Dhe në vijim Ministrja e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu do të flas për një rast konkret dhe shumë brengoses që për mendimin tonë potencialisht mund të jetë pjesë përbërëse e skenarëve jomiqësor që vijnë nga Serbia.

Fjala e plotë e ministres Albulena Haxhiu:

I nderuar zëvendëskryeministër,
Të nderuara media,
Gazetarë e gazetare,
Mirë se keni ardhur në këtë konferencë të jashtëzakonshme të Qeverisë,

Siç jeni në dijeni, të shtunën në orën 17 e 10 në Prishtinë, Policia kishte shoqëruar në Stacion të Policisë tre shtetas serbë, pasi që gjatë kontrollit të veturës, atyre iu ishin gjetur pesë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë, personat e dyshuar kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në po të njëjtën ditë, pra të shtunën; kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë.

Sipas institucioneve të sigurisë, personat në fjalë, nga kamerat, shihen duke u interesuar për të blerë veshmbathje ushtarake dhe uniforma, por edhe çizme, mirëpo për shkak se policia kishte rastisur aty, ata kanë blerë vetëm 5 emblema të UÇK-së.

Institucionet e sigurisë kanë informacione se njëri, të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici, ka komunikime të shumta me persona nga Federata ruse, individë të strukturave të inteligjencës serbe.

Prandaj, kanë mjaftuar këto informacione për të rritur dyshimin se personat në fjalë bashkë me strukturat e Serbisë, të përgatisnin ndonjë aktivitet, që do të cenonte sigurinë dhe do të shtonte tensionet në Republikën e Kosovës.

Përkundër këtyre informacioneve, Prokuroria, fatkeqësisht ka liruar në procedurë të rregullt personat e dyshuar.

Më duhet të them, që ky veprim i Prokurorisë është i çuditshëm, është i befasishëm, sikurse edhe për ne si Qeveri, por edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe këto veprime janë injorim i ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Pra, fakti që personat në fjalë nuk janë mbajtur as 48 orë në Stacion Policor, tregon mospërfilljen ndaj cenimeve të mundshme të sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ne kërkojmë nga institucionet e vendit, që, sidomos gjatë këtyre rrethanave të krijuara, por natyrisht jo vetëm, mirëpo sidomos për shkak të rrethanave të krijuara pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe rreshtimit të Serbisë krah Rusisë, pra në mbështetje të hapur të agresionit rus mbi Ukrainën, të kenë bashkëpunim të fuqishëm dhe jo injorim të rreziqeve të mundshme.

Në të kaluarën, vetëm kur kemi pasur bashkëpunim institucional, qoftë të institucioneve të sigurisë, ku përfshihet këtu edhe Policia, edhe AKI-ja, por edhe Prokuroria dhe Gjykata, konsideroj që, kemi pasur sukses.

Pra, vetëm kështu, duke bashkëpunuar, i mbrojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe vet Republikën e Kosovës.

Në fakt, këto veprimet e fundit dëshmojnë, që reformat, që kemi nisur si Ministri e Drejtësisë, janë të domosdoshme, janë të nevojshme, janë më të nevojshme se kurrë dhe për të cilat do të punojmë pa ndalë.

Last modified: July 31, 2022

Comments are closed.

×