Fjala e Kryeministrit Kurti në hapjen e Kongresit XI Mbarëkombëtar të Stomatologjisë

Prishtinë, 9 tetor 2026

I nderuari ministër i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia,
I nderuari Drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, z. Elvir Azizi,
I nderuari drejtor i Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, dr. Mirsad Shkreta,
Të nderuar kryetarë të shoqatave të stomatologëve të Kosovës, Zana Sllamniku – Dalipi, të Shqipërisë, Etleva Qeli, dhe të Maqedonisë së Veriut, Fisnik Kasapi,
Të nderuar profesorë, stomatologë dhe profesionistë shëndetësorë,
Të dashur studentë,
Të nderuar organizatorë dhe mysafirë,

Kam kënaqësinë që së bashku të hapim Kongresin XI Mbarëkombëtar të Stomatologjisë, me pjesëmarrje ndërkombëtare. Në punën tuaj të përditshme, ju e shihni sa shumë mund të ndryshojë jetën e një njeriu kujdesi stomatologjik: një fëmijë që fle pa dhimbje, një i moshuar që mund të ushqehet përsëri siç duhet, një i ri që rifiton sigurinë për të folur dhe për të buzëqeshur. Pas secilit prej këtyre rezultateve qëndrojnë njohuritë, puna dhe përkushtimi juaj. Ju e përmirësoni shëndetin e qytetarëve, cilësinë e jetës dhe vetëbesimin e pacientëve. Për këtë, ju shpreh mirënjohjen time.

Shëndeti oral është pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm. Prandaj, kujdesi për të duhet të jetë i barabartë për të gjithë, pavarësisht të ardhurave apo prejardhjes, vendit ku jetojnë apo përkatësisë etnike, dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve tona dhe synim i investimeve që bëjmë. Qytetarët të marrin kujdesin e nevojshëm në kohë dhe vështirësitë ekonomike të mos bëhen pengesë për shëndetin e tyre.

Në këtë frymë, kemi planifikuar dhe buxhetuar hapjen e tetë poliklinikave stomatologjike në komunat anembanë Kosovës. Me këtë zgjerim, synojmë që qytetarët ta marrin kujdesin specialistik më afër vendbanimit të tyre, me më pak udhëtime dhe më pak barrë për familjet. Hapi i radhës është funksionalizimi i tyre në objektet ekzistuese dhe ndërtimi i objekteve të reja ku ato mungojnë.

Krahas këtij zgjerimi, janë përfunduar procedurat e nevojshme për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës. Ky investim, së bashku me integrimin e teknologjive bashkëkohore, do të krijojë kushte më të mira për trajtimin e pacientëve dhe punën e profesionistëve.

Si qendër universitare, ajo ka një përgjegjësi të veçantë për mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Investimi në të është investim në dijen dhe aftësinë e brezave që do ta zhvillojnë më tej shëndetësinë tonë. Stomatologjia është kujdes dhe shërbim, është profesion dhe shkencë. Pacientët përfitojnë kur praktika klinike, arsimi dhe kërkimi shkencor ecin së bashku.

Ju uroj punime të suksesshme në Kongresin e XI Mbarëkombëtar të Stomatologjisë.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors