11.10.2021

Mbahet mbledhja e dytë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

Prishtinë, 11 tetor 2021

Është mbajtur mbledhja e dytë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, mbi Planin e Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA II.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi punën e rëndësishme drejt zbatimit të fazës së dytë të prioriteteve për integrim në Bashkimin Evropian, të dakorduara së bashku me Bashkimin Evropian.

“Meqë tani Kosova ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, këto prioritete janë kritike për rrugën tonë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Me zbatimin e tyre ne gjithashtu do të përmirësojmë funksionimin e institucioneve tona, do ta forcojmë shtetin e së drejtës dhe të do krijojmë më tepër hapësirë e mundësi për vende të reja pune e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik “ tha kryeministri, duke theksuar se këto janë edhe prioritete të programit qeverisës.

Gjatë takimit u diskutua rreth detyrave konkrete dhe sfidave të mundshme gjatë dy viteve të ardhshme të zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane.

Të pranishëm ishin edhe Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministrja e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Redžepi, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të pavarura.

Zyra e Zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog së bashku me Drejtoritë përkatëse të integrimit evropian do të monitorojnë rregullisht procesin e zbatimit të reformave dhe do të bashkëpunojë ngushtë me ministritë, Kuvendin e Kosovës, këshillat dhe agjencitë e pavarura për përmbushjen e obligimeve të Agjendës për Reforma Evropiane.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari Zëvendëskryeministër, z. Besnik Bislimi,
E nderuara Zëvendëskryeministre, Emilija Redžepi,
Të nderuar Ministra, zëvendësministra,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të pavarura,
Të nderuar pjesëmarrës të tjerë,

Më lejoni të hap mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian duke ju falënderuar për pjesëmarrjen në këtë mbledhje dhe punën e rëndësishme drejt zbatimit të fazës së dytë të prioriteteve për integrim në Bashkimin Evropian, të dakorduara së bashku me Bashkimin Evropian.

Këto 15 prioritete, në formën e Planit të Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane, janë miratuar nga Qeveria më 11 gusht, dhe nga Kuvendi më 4 tetor. Ky dokument parasheh reforma kyçe politike, ekonomike e të sundimit të ligjit për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Meqë tani Kosova ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit të MSA-së, këto prioritete janë kritike për rrugën tonë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Por jo vetëm kaq. Me zbatimin e tyre ne gjithashtu do të përmirësojmë funksionimin e institucioneve tona, do ta forcojmë shtetin e së drejtës dhe të do krijojmë më tepër hapësirë e mundësi për vende të reja pune e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Këto janë edhe prioritete të programit tonë qeverisës.

Meqë në këtë mbledhje do të diskutojmë mbi zbatimin e reformave për përmbushjen e këtyre prioriteteve gjatë dy viteve të ardhshme dhe detyrat konkrete të secilit institucion në këtë drejtim, më lejoni të theksoj pritjet e mia si Kryeministër dhe si Kryesues i Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

Së pari, nga komunikimi i drejtpërdrejtë gjatë muajve të fundit me udhëheqës të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare – përfshirë me Kancelaren Merkel, Presidentin Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Von der Leyen – është rikonfirmuar gatishmëria e tyre për të përkrahur Kosovën, politikisht dhe financiarisht (në veçanti përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor) në zbatimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian. Kjo përkundër faktit se në shumicën e vendeve anëtare aktualisht mungon konsensusi për të përshpejtuar procesin e pranimit të shteteve të reja anëtare. Në këtë drejtim presim që të merret vendimi sa më shpejtë për heqjen e regjimit të vizave për vendin tonë, pasi që ka vite që i kemi përmbushur kriteret, e në korrik janë mbushur 3 vjet prej se Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Gjithsesi, vonesat nga ana e Bashkimit Evropian nuk duhet të na hidhërojnë, por të na shtojnë përkushtimin për më shumë angazhim. Duhet të kryejmë detyrat që ia kemi caktuar vetes për zbatimin e reformave që kërkon ERA dhe të përmbushim prioritetet politike shumë më shpejt dhe më mirë sesa deri tani. Reformat me ndryshime të prekshme janë të domosdoshme në radhë të parë për ta bërë Kosovën një ekonomi të qëndrueshme dhe një vend demokratik ku sundon ligji e drejtësia, e rrjedhimisht një shoqëri që do të pritet natyrshëm në familjen e vendeve demokratike evropiane.

Së dyti, sa na përket neve si Qeveri dhe si vend, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, është inkurajues fakti që tani kemi stabilitet politik, me një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Ky është parakusht kritik që ka munguar në të kaluarën dhe do ta lehtësojë në masë të madhe punën tonë në zbatimin e këtyre reformave, dhe rrjedhimisht edhe performancën tonë si vend në këtë drejtim. Në këtë të fundit do të kontribuojë fakti se tani gjithashtu kemi dukshëm më shumë pronësi vendore mbi këto reforma. Kjo pasi që është e domosdoshme për të gjithë ne si institucione që vërtet t’i integrojmë ato në punën tonë konkrete e të përditshme, e jo t’i shohim si diçka abstrakte e të imponuara prej jashtë.

Prandaj, ju bëj thirrje që të gjitha institucionet të zbatojnë me kohë dhe në mënyrë të duhur të gjitha veprimet e parapara në këtë dokument të rëndësishëm. Këto prioritete do të shërbejnë si udhërrëfyes në punën time të drejtpërdrejtë si Kryeministër me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të shteteve anëtare. Në të njëjtën kohë, vazhdimisht do të kërkoj llogari nga i tërë kabineti im dhe të gjitha nivelet e Qeverisë që drejtoj, për të siguruar zbatimin e këtyre reformave edhe me kohë edhe në mënyrën e duhur. Gjithashtu presim nga Kuvendi, institucionet e sistemit të drejtësisë dhe institucionet tjera të pavarura që të trajtojnë me përkushtim zbatimin e veprimeve të reformave që keni marrë përsipër me këtë dokument. Unë si Kryeministër dhe Qeveria që drejtoj jemi të gatshëm të ju mbështesim në këtë drejtim.

Së treti, më lejoni të nënvizoj diçka që pritet konkretisht të arrijmë së bashku si institucione shtetërore deri në mesin e vitit 2023 nga 15 prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane.

Në kuadër të shtyllës së parë, për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, nga Kosova në radhë të parë pritet që të tregojmë rezultate dukshëm më të mira se deri më tani në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, duke përmirësuar qeverisjen në fushën e sistemit të drejtësisë dhe punëve të brendshme, e rrjedhimisht edhe besimin e publikut në drejtësi efektive. Nga ne gjithashtu pritet që të përmbyllim reformën e administratës publike, të nisur qysh moti, në mënyrë që ta vendosim funksionimin e institucionet publike mbi baza e parime të shëndosha e të standardeve evropiane. Po kështu, nga ne pritet që të tregojmë rezultate dukshëm më të mira se deri më tani në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë barazinë gjinore dhe të drejtat e pakicave. E fundit në këtë shtyllë, por jo me më pak rëndësi, nga ne pritet të adresojmë mangësitë ekzistuese në sistemin elektoral.

Në kuadër të shtyllës së dytë, për konkurrueshmëri, klimën e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, nga Kosova, si detyrë urgjente, pritet që të rimëkëmbim ekonominë pas pandemisë COVID-19, në mënyrë që t’i rikthehet normalitetit. Nga ne gjithashtu pritet që të përmirësojmë dukshëm mjedisin afarist dhe parakushtet e tjera për rritje të ndërmarrjeve ekzistuese dhe tërheqjen e investimeve të huaja, e kësisoj të ndërtojmë një ekonomi tregu më konkurruese në rajon dhe më gjerë. Po kaq me rëndësi, duhet të përmirësojmë funksionimin e institucioneve për konkurrencë dhe ndihmë shtetërore, pasi që pa konkurrencë të lirë e të drejtë në treg nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik me mundësi të barabarta për të gjithë.

Meqë akoma jetojmë në një mjedis goxha të ndotur, nga ne gjithashtu pritet të përmirësojmë dukshëm mbrojtjen e mjedisit bazuar në vizionin afatgjatë për tërë rajonin dhe kontinentin, të vendosur në Marrëveshjen e Gjelbër të Bashkimit Evropian dhe në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Lidhur me këtë dhe meqë ende përballemi me pasiguri energjetike, duhet të përmirësojmë dukshëm efiçiencën e energjisë dhe të rrisim shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritshme, gjë që gjithashtu do të na mundësojë të diversifikojmë burimet e energjisë. Po ashtu duhet të reformojmë prokurimin publik dhe financat publike, të cilat janë kritike për të shpenzuar fondet publike në mënyrë sa më efektive, transparente e të përgjegjshme.

Në kuadër të shtyllës së tretë, për punësimin, arsimin dhe shëndetësinë, duhet të punojmë në rimëkëmbjen sociale pas pandemisë COVID-19, të rrisim punësimin, por gjithashtu sigurinë e shëndetin në punë të atyre që janë të punësuar, dhe të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve. Meqë pa arsim cilësor nuk mund të ketë punësim të qëndrueshëm, duhet të përmirësojmë qeverisjen dhe cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet. E fundit në këtë shtyllë, duhet të përmirësojmë sistemin tonë shëndetësor.
Ju ftoj që në këtë takim të diskutojmë hapur rreth detyrave konkrete që na presin, por gjithashtu të bëjmë të qarta sfidat që mund të na presin dhe si duhen trajtuar ato, gjatë dy viteve të ardhshme të zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane.

Ju faleminderit shumë për vëmendjen tuaj.