Zyra e Kryeministrit

Zyra për Çështje të Komuniteteve

Zyra për Çështje të Komuniteteve kontribuon në koordinimin e përpjekjeve të Qeverisë për të zbatuar kornizën ligjore kombëtare për të drejtat e komuniteteve dhe për të siguruar që politikat qeveritare dhe veprimet adekuate të përmbushin nevojat dhe interesat e komuniteteve.

Korniza institucionale

Korniza legjislative për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve në Kosovë, është e mbështetur nga një rrjet i institucioneve në nivel qendror dhe lokal të qeverisjes. Së bashku, këto janë përgjegjëse për zhvillimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e të drejtave të komuniteteve në Republikën e Kosovës.

Legjislacioni

Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejta të barabarta për të gëzuar mbrojtje të të drejtave fundamentale njerëzore të tyre. Mbrojtja e tillë ngërthen mbrojtjen e përgjithshme kundër diskriminimit, të drejtën në jetë, lirinë e të shprehurit dhe mbledhjes, dhe shumë të drejta tjera. 

Të drejtat e komuniteteve në Kosovë garantohen nga një varg aktesh legjislative primare dhe sekondare, përfshirë:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

Ligji nr. 03/l-047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës

Ligji nr. 05/l -021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Ligji nr. 03/l-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës

Ligji nr. 02/l-37 për Përdorimin e Gjuhëve

Ligji nr. 03/l-040 për Vetëqeverisjen Lokale

Ligji nr. 02/l-88 pёr Trashëgiminë Kulturore

Ligji nr. 03/l-039 për Zonat e Veçanta tё Mbrojtura

Fushëveprimtaria e Zyrës

Zyra për Çështje të Komuniteteve është formuar në vitin 2008 dhe funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Mandati i ZÇK-së përfshinë informimin e Kryeministrit në lidhje me çështjet e rëndësishme për komunitetet, njofton kryeministrin për çështjet që kërkojnë ndërhyrjen e tij personale, kontribuon në koordinimin e punës së organeve qeveritare, agjencive dhe institucioneve të pavarura në nivel ministror dhe në nivel komunal, kontribuon në koordinimin e punës së donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare për të siguruar që çështjet e komuniteteve të adresohen në mënyrë efektive në mbarë Kosovën. Eliminon përpjekjet e dyfishta dhe siguron përdorimin efektiv dhe të barabartë të shpërndarjes së fondeve në dispozicion. Kontribuon, analizon dhe ofron këshilla lidhur me politikat qeveritare që ndikojnë në të drejtat dhe interesat e komuniteteve. Në bazë të nevojës rekomandon ndryshime ose ndihmon në përshtatjen e ligjeve të komuniteteve dhe politikave për çështje të komuniteteve në qoftë se ato nuk janë adresuar në mënyrë adekuate.

ZÇK ka në dispozicion buxhetin vjetor të cilin e shfrytëzon kryesisht në:

  1. Subvencionimi i aktiviteteve kulturore dhe shënimin e ditëve të veçanta të komuniteteve
  2. Subvencionimi i projekt propozimeve të OJQ-ve në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve
  3. Subvencionimi për masat aktive të tregut të punës
  4. Zhvillimi profesional i të rinjëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë 
  5. Organizimi i tryezave të rrumbullakëta me përfaësuesit e komuniteteve

Institucionet e nivelit qendror

Zyra për Çështje të Komuniteteve, funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, është organ qeveritar i cili i dedikon punën e saj koordinimit dhe mbështetjes së politikave qeveritare për komunitetet. Përgjegjësitë e ZÇK-së përfshijnë këshillimin e Kryeministrit për sa i përket çështjeve të komuniteteve, koordinimin e organeve qeveritare, donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe hartimin dhe monitorimin e legjislacionit dhe strategjive për komunitetet.

Zyra për Qeverisje të Mirë,  (ZQM/ZKM) funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës që nga viti 2002. Ajo është e mandatuar për të mbikëqyrur dhe këshilluar ministritë për fushat brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre, dhe për të hartuar politika përkatëse dhe për të dhënë udhëzime. Kjo zyrë gjithashtu vlerëson legjislacionin, politikat, procedurat dhe praktikat në aspektin e pajtueshmërisë me standardet e zbatueshme të të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë. 

Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit (MKK) është themeluar në vitin 2005, dhe është ministria kyçe e ngarkuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. MKK-së i është dhënë një mandat i gjerë për të hartuar politika, dhe për të promovuar dhe zbatuar legjislacionin mbi të drejtat e komuniteteve. MKK gjithashtu është ngarkuar me detyrën për të ndërtuar mirëbesimin në mes të komuniteteve, dhe për të hartuar dhe mbikëqyrur strategjinë qeveritare për zbatim në terren në këtë fushë. 

Këshilli Konsultativ për Komunitete është organ i themeluar në kuadër të autoritetit të Presidentit, për të ofruar forum për shkëmbim të rregullt ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve.  KKK përfshin përfaqësues të të gjitha komuniteteve në Kosovë, të organizuar përmes Organizatave Përfaqësuse të Komuniteteve, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Këshilli funksionon në atë mënyrë që të ndihmojë përfaqësimin politik të komuniteteve në nivelin qendror, duke vepruar si mekanizëm për shkëmbim të rregullt pikëpamjesh në mes të komuniteteve dhe institucioneve qeverisëse, dhe për t’u mundësuar komuniteteve për të komentuar, në fazat e hershme të hartimit të tyre, nismat politike dhe legjislative që prekin interesat e tyre. Funksionimi i tij është jetik për të siguruar që pikëpamjet e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në lidhje me legjislacionin, politikat publike dhe programet e rëndësisë së veçantë për to janë artikuluar dhe marr në konsideratë nga institucionet.

Komisioni, në kuadër të fushëveprimit dhe të përgjegjësive, i shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me të drejtat dhe me interesat e komuniteteve. Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim (KDIKK) është komision i përhershëm i Kuvendit të Kosovës, me përfaqësim të garantuar të komuniteteve jo-shumicë. Përveç rolit të tij të përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, ky komision është i ngarkuar me detyrën e vlerësimit të pajtueshmërisë së legjislacionit të propozuar me të drejtat e komuniteteve, dhe për të siguruar që këto të drejta të adresohen në mënyrë adekuate. Komisioni mundet gjithashtu të ndërmarrë nisma legjislative dhe të monitorojë implementimin e ligjeve të miratuara. Në ushtrimin e funksioneve të tij komisioni bashkëpunon me ministrinë e resorit përkatës dhe me të gjitha ministritë e tjera, nga të cilat mund të kërkojë të dhëna konkrete, duke i përfshirë edhe raportet e drejtpërdrejta të ministrave ose të personave të tjerë përgjegjës, kur kjo kërkohet nga komisioni.

Për më shumë informata: Rregullorja për Strukturën Organizative të Zyrës së Kryeministrit.

Comments are closed.

×