Prishtinë, 12 janar 2022
Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier.
Ai i uroi mirëseardhjen ambasadorit dhe konfirmoi miqësinë e palëkundur mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Z. Hovenier theksoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm mes dy vendeve dhe e përgëzoi zëvendëskryeministrin për arritjet e qeverisë së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, shprehu gatishmërinë për mbështetje të qeverisë së Republikës së Kosovës mbi proceset e ndërmarra.
Në lidhje me temat e diskutimit, ambasadori Hovenier, nënvizoi mbështetjen e SHBA-së veçanërisht për zhvillim ekonomik e energji të qëndrueshme. Një prej temave me interes të madh që u përmend nga ambasadori Hovenier, ishte avancimi i të rinjve në Kosovë.
Për sa i përket dialogut, zëvendëskryeministri Bislimi informoi ambasadorin rreth angazhimit të palës kosovare në procesin e dialogut duke potencuar konstruktivitetin që kjo palë ka shfaqur përmes ofrimit të vazhdueshëm të propozimeve në shërbim të arritjes së normalizimit të marrëdhënieve.
Progresi dhe avancimi në implementimin e objektivave të përbashkëta ishin fokusi i bisedës dhe njëkohësisht dakordësisë mes dy vendeve.
Z. Hovenier ritheksoi se porta e tij është e hapur drejt urës së bashkëpunimit mes dy shteteve dhe mbështetjes për Kosovën nga SHBA.
Zëvendëskryeministri Bislimi gjithashtu tha se dera e tij është gjithmonë e hapur për shtetin mik dhe e falënderoi ambasadorin për përkrahjen dhe partneritetin e vazhdueshëm të SHBA-së me Qeverinë e Republikës së Kosovës.