Prishtinë, 28 janar 2015
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e njëmbëdhjetë të rregullt në të cilën ka miratuar projektligje dhe rregullore nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të saj.
Në fillim të mbledhjes, miratimin e ka marrë Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me projektin për reformën shëndetësore. Kredia kap vlerën e 16.5 milionë euro dhe ka periudhën e kthimit për 25 vite, me periudhën 5 vite greis periodë.
Në vazhdim, është miratuar gjithashtu edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për financimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me projektin për efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme. Kjo kredi është 20,1 milionë euro, me afat kthimi 25 vite dhe 5 vite greis periodë.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për llojin e objekteve, masat hapësinore, urbanistike, ndërtimore dhe masat e tjera teknike të mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Kjo Rregullore rregullon procedurat e evakuimit, pajisjen e qytetarëve të rrezikuar, mbrojtjen radiologjike, kimike dhe biologjike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, llojin e objekteve dhe masat hapësinore, urbanistike, ndërtimore dhe masat tjera teknike të mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Rregullorja rregullon edhe menaxhimin e të dhënave lidhur me masat mbrojtëse.
Edhe Rregullorja për procesin e përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës është miratuar në mbledhjen e sotme. Rregullorja përcakton procedurat e përkthimit, koordinimit e procesit të përkthimit, si dhe unifikimit të terminologjisë të acquis të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe të zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit. Pronat janë në zonat kadastrale Konjuh, Lipjan, Smallushë, Gadime e Epërme, Marec, Gadime e Ulët dhe Babush i Muhaxhirëve në komunën e Lipjanit; në zonat kadastrale Dobratin dhe Gushtericë e Ulët në komunën e Graçanicës; si dhe zonat kadastrale Babush i Serbëve, Cernillë, Mirash, Surqinë, Rahovicë, Papaz dhe Sazli të komunës së Ferizajt.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka njoftuar kabinetin qeveritar me vizitën në Mbretërinë e Bashkuar ku ka marr pjesë në Forumin Botëror të Arsimit, ku është diskutuar për ngritjen e cilësisë së arsimit. Gjatë qëndrimit në Londër janë zhvilluar takime të rëndësishme me ministrin e Arsimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe me autoritetet tjera britanike të arsimit ku është marr mbështetja për avancimin e arsimit në Kosovë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka informuar për vizitën në Hungari dhe aktivitetet e zhvilluar gjatë kësaj vizite. Ai ka vlerësuar takimin me ministrin hungarez dhe pajtimin që shteti hungarez të mbështesë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Interpol, trajnimet për oficerët e policisë si dhe për luftimin e migrimit ilegal.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka prezantuar para kabinetit qeveritar edhe vlerësimet për zhvillimin e protestës së dhunshme gjatë ditës së djeshme në qendër të Prishtinës. Ministri ka theksuar se shkelja e parë është evidentuar nga ana e organizatorit me dështimin për të marr lejen për protestë nga organet kompetente. Megjithëkëtë, Policia e Kosovës ka marr të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës, por nuk ka mundur të respektojë ultimatumin për heqjen e pengesave të cilat janë vendosur në përputhje me vlerësimet profesionale të sigurisë së protestës dhe pronës publike, nga ana e Policisë së Kosovës. Protesta ka rezultuar me akte të shumta të dhunës dhe me një numër të madh të të lënduarve, ku dominojnë të lënduarit nga ana e policisë. Ministri Hyseni ka theksuar respektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për të drejtën e protestës në Republikën e Kosovës.
Në fund, kryeministri Isa Mustafa, ka lexuar një deklaratë të Qeverisë së Kosovës në lidhje me ngjarjet dhe dhunën e demonstruar gjatë protestës së djeshme në Prishtinë.
