Prishtinë, 30 gusht 2011
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, udhëheqëse e delegacionit të Republikës së Kosovës në dialogun teknik, u takua sot me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian, z. Robert Cooper, me të cilin bisedoi për përgatitjet për vazhdimin e dialogut, i cili ishte ndërprerë për shkak të mosgatishmërisë së palës serbe për t’i njohur vulat e doganave të Kosovës.
Në këtë takim u diskutua për agjendën e dialogut si dhe u ra në dakord që në takimin e radhës në Bruksel që do të mbahet me 2 shtator, temat që do të diskutohen do të jenë: çështjet e tregtisë së lirë përkatësisht njohja e vulave të doganave të Kosovës, çështja e telekomunikacionit, energjisë, kthimi dokumenteve kadastrale si dhe bashkëpunimi rajonal.
Zëvendëskryeministrja Tahiri siguroi z. Cooper se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve praktike me shtetin fqinjë Serbinë përmes dialogut duke respektuar plotësisht Kushtetutën, Ligjet dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe parimet euro-atlanike.
Sikurse gjatë gjithë procesit të deritashëm, pala e Kosovës mbetet një palë konstruktive në dialogun teknik duke kontribuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal si standarde kruciale për integrimin evropian të Kosovës, tha zonja Tahiri.
Palët u pajtuan se dialogu në Bruksel është në funksion të fqinjësisë së mirë dhe forcimit të paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe përshpejtimit të integrimeve evropiane për të dyja shtetet.