Zëvendëskryeministrja Tahiri priti ambasadorin e Belgjikës, Marc Michielsen


Image

Prishtinë, 17 janar 2012

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës,  Edita Tahiri priti në takim Marc Michielsen, ambasador i Mbretërisë së Belgjikës për Kosovë, rezident në Sofje, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet në mes dy vendeve, të cilat u vlerësuan shumë të mira, pastaj për  procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe reformat që i ka ndërmarrë në realizimin e këtij qëllimi.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës ka përcaktuar prioritetet e këtij viti dhe është duke punuar me përkushtim në fuqizimin e ligjit dhe rendit në Kosovë, po ashtu ka ndërmarrë reforma në fushën ekonomike, ndërkaq ka vënë si prioritet kapitalin njerëzor në dobi të shtetndërtimit. Znj.Tahiri tha se Qeveria është duke u angazhuar për një administratë të reformuar, të pavarur dhe efikase, si dhe është e vendosur në luftën  kundër dukurive negative dhe korruptive.

Më tutje, zëvendëskryeministrja Tahiri lidhur me dialogun teknik i cili po zhvillohet në Bruksel, u tha se Kosova po kontribuon me një frymë të moderuar tipike evropiane. Znj Tahiri tha se pakoja dhe përkrahja që erdhi për Kosovën nga Bashkimi Evropian dëshmon konstruktivitetin e Kosovës për reforma dhe dialog teknik dhe, me këtë rast Kosova ka hapur një kapitull të ri bashkëpunimi me BE-në. Zonja Tahiri vlerësoi nismën e zbatimit të marrëveshjeve duke theksuar se Serbia duhet ti heq pengesat politike duke zhbërë strukturat paralele dhe mentalitetin e barrikadave.

Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës, Marc Michielsen konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe shprehu gatishmërinë për ndihmë gjatë këtij procesi.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors