Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, z. Michael Giffoni.
Në këtë takim zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Italisë, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri, shprehu mirënjohje për shtetin Italian dhe personalisht për Ambasadorin Giffoni, për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në të gjitha periudhat historike të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Nga ana e tij, Ambasadori Giffoni siguroi se Italia mbështet fuqishëm perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe u shpreh i kënaqur me progresin që ka arritur shteti i Kosovës në pesë vitet e qëndrimit të tij në këtë vend si ambasador.
Ai u shpreh i bindur se ardhmëria e Kosovës është në Bashkimin Evropian, duke inkurajuar për vazhdimin e reformave evropiane dhe euro-atlantike.
