Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri: Me këto dy marrëveshje Serbia ka njohur pavarësinë e Kosovës në fushën e telekomit dhe energjisë


Image


Image

Prishtinë, 9 shtator 2013

Fjalimi i Zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, në konferencë për media

Përshëndetje të gjithëve. Ju faleminderit që keni ardhur në këtë konferencë për shtyp.

Siç jeni njoftuar, mbrëmë në Bruksel në takimin ndërmjet kryeministrave të të dyja shteteve, kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, në Bruksel, me ndërmjetësimin e znj. Ashton, janë arritur dy marrëveshje të rëndësishme. Është arritur Marrëveshja për telekomin dhe ajo për energjinë, si dhe janë bërë përkushtime dhe afirmime që zgjedhjet lokale në Kosovë të organizohen në mënyrën më të mirë dhe me një pjesëmarrje sa më të madhe të gjithë qytetarëve, në veçanti të atyre në katër komunave veriore të vendit tonë.

Marrëveshja për telekomin dhe ajo energjinë, janë dy marrëveshje të rëndësishme për shtetin e Kosovës, janë marrëveshje të cilat peshojnë në shumë plane.

Këto marrëveshje praktikisht mundësojnë vendosjen e një bashkëpunimi ndërshtetëror, midis Kosovës dhe Serbisë në fushën e telekomit dhe energjisë. Por, ajo që është më e rëndësishme, që dua të vlerësoj është se me këto dy marrëveshje Serbia ka njohur pavarësinë e Kosovës në fushën e telekomit dhe energjisë.

Në bazë të këtyre marrëveshjeve, të dyja shtetet kemi marrë zotimet, që të vendosim bashkëpunim ndërshtetëror, në fushën e energjisë, në bazë të Traktatit të Athinës për energji. Ndërsa, në fushën e telekomit në bazë të standardeve evropiane dhe standardeve të ITU-së. Si dhe një aspekt shumë i rëndësishëm, për të cilin të gjithë kemi qenë të brengosur: këto marrëveshje i japin fund operatorëve ilegalë në të dyja fushat. Praktikisht shuhen operatorët ilegalë ne fushën e energjisë dhe të telekomit.

Besoj që është shumë e rëndësishme, të flas për të gjitha çështjet për të cilat me kohë kemi biseduar dhe  ju kam njoftuar, tani edhe njëherë të konfirmojmë përfundimisht se çka është arritur mes të dyja shteteve.

Në fushën e telekomit, çështja e parë dhe kryesore është që Kosova do të ketë kodin e saj shtetëror telefonik, kodin ndërkombëtar, të cilin do të ja jap ITU, dhe Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Kosovën për ta marrë këtë kod.

Marrja e kodit shtetëror telefonik është edhe një forcim i shtetit të Kosovës. Kosova do të ketë identitetin e saj shtetëror, në fushën e telekomit, në fushën e telefonisë dhe me këtë kod, i cili pritet të realizohet sipas procedurave. Në janar të vitit 2015, mund të them se kodi i Serbisë do të shkojë, me këtë shkojnë edhe të gjitha ato implikime që kemi pas me faktin që një kohë e kemi pasur të imponuar ta kemi kodin e ish-okupatorit.

Ne presim që ITU t’ ja jap Kosovës kodin 383 ose 384, ashtu siç i ka takuar edhe në të kaluarën, nga statusi i saj i mëparshëm. Po ashtu, ky kod do të jetë unik për të gjithë operatorët tjerë që veprojnë në Kosovë. Në Kosovës kemi operatorë të ndryshëm siç janë operatori i Monakos (VALA), apo IPKO, dhe të gjithë do të kalojnë në kodin unik shtetëror.

Sipas ekspertëve, që i kemi edhe këtu, e që kanë qenë pjesë esenciale e suksesit të kësaj marrëveshje, siç është edhe shefi i ART-së, periudha e migrimit në aspektin teknik nga këto kode në kodin shtetëror të Kosovës, merr rreth 12 muaj, natyrisht këto janë procese që i jetësojnë aspiratat tona që më në fund kur thërrasim në Kosovë do të thërrasim në kodin e saj shtetëror, ashtu siç kemi luftuar për këtë ideal dhe për këtë aspiratë të shtetit të pavarur të Kosovës.

Po ashtu, Marrëveshja për telekomin, përmban marrëveshjen për frekuencat, që është një lajm shumë i mirë sidomos për mediat. Kjo marrëveshje përcakton kufirin frekuencor, midis dy shteteve, kufi ky i cili është shkelur nga ana e Serbisë për një kohë të gjatë. Me këtë rast në fushën e frekuencave tani mund të llogarisim që më shpejt do të punojmë në planin e digjitalizimit dhe të jemi edhe ne në rrjedhat e agjendës digjitale, e cila është në rrjedhë e sipër, e cila ngrit dhe avancon teknologjinë tonë mediale.

Marrëveshja po ashtu, përmban inkurajimin që autoritetet e telekomit të dy shteteve të vendosin  bashkëpunim, si dhe të inkurajojmë operatorët mobilë të të dyja shteteve, që të hyjnë në marrëveshje interkonjeksioni, por edhe në marrëveshje roamingu, që në fakt do të jetë në dobi të qytetarëve dhe të uljes së tarifave në këto fusha.

Në fushën e telefonisë fikse, marrëveshja parasheh lejimin apo licencimin e ndonjë kompanie të re, e cila dëshiron të japë shërbime të telefonisë fikse dhe siç mund ta dini nga Ligji për telekom dhe korniza rregullatore për telefonin fikse nuk ka nevojë për ndonjë tenderim ndërkombëtar.

Ndërsa, për sa i takon telefonisë mobile, nuk ka licencim të operatorit të tretë,  sepse për licencim të operatorit të tretë duhet tenderim ndërkombëtar dhe marrëveshja e thotë qartë, për çfarëdo licencimi në fushën e telefonisë mobile, duhet tenderim ndërkombëtar në bazë të  parimeve të Bashkimit Evropian, por edhe në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës për telekom dhe kornizës rregullatore të telekomunikacionit.

Është lejuar një shërbim i përkohshëm, me fushëveprim të kufizuar në mënyrë që të mundësohet që një kompani e re, deri në kohën e tenderimit të japë shërbime në pjesë të caktuara të vendit tonë, mirëpo ajo që është më e rëndësishmja të gjithë operatorët që kanë vepruar, qoftë në telefoni fikse apo mobile shuhen në Republikën e Kosovës.

Jam e bindur se me këtë marrëveshje, ne po vendosim rend dhe rregull në telekomunikacionin e vendit tonë, në tregun telekomunikues, por edhe në sundimin e ligjit në këtë fushë.

Kemi diskutuar edhe për postat, dhe aty ka ndërhyrje nga ana e Serbisë dhe ka nevojë që të largohen këto ndërhyrje në mënyrë që Posta e Kosovës ta funksionojë pa pengesa. Për këtë mund të ju them që veç e kemi konstatuar, që fazën e ardhshme do të diskutojmë dhe do të arrijmë marrëveshje.
Përgjithësisht marrëveshja për telekomin, jo vetëm që ka efektet e saja politike, sepse së pari është njohje e Kosovës nga ana e Serbisë në fushën e telekomunikacionit.

E dyta, i jep Kosovës pozicionin e saj ndërkombëtar përmes ITU-së, organizatës ndërkombëtare të telekomit, e cila do t’ia alokojë kodin shtetëror Kosovës, ndërkohë që e bënë vendin tonë që të jetë në rrjedhat evropiane dhe ndërkombëtare të avancimeve të digjitalizimit apo edhe avancimeve të tjera. Dhe, sigurisht ka edhe përfitime ekonomike, për shkak se ne jemi detyruar pa nevojë t’i paguajmë Monako-s, çdo vjet disa obligime financiare.

Më shumë se kaq është me rëndësi se duke pas kodin shtetëror telefonik dhe të gjithë pjesët që shoqërohen, përfshirë edhe serverin kryesor, ne mund të llogarisim se çështja e sigurisë së informatës do të kontrollohet nga shteti ynë.

Sa i përket çështjes së energjisë, edhe kjo marrëveshje ka një histori trevjeçare, si marrëveshja për telekomin, që nga pranvera e vitit 2011.

Është me të vërtetë arritje e madhe, këtu kemi edhe ekspertët e energjisë.
Marrëveshja për energjinë parasheh që të dyja shtetet, në radhë të parë të kryejnë të gjithë obligimet që kanë ndaj njëra tjetrës, në përputhje me Traktatin e Athinës për energjinë.

Duke e thënë këtë përkufizim në fakt obligimet këtu janë të Serbisë ndaj Kosovës, sepse Serbia ka shkelur deri ma tash Traktatin e Athinës ndaj Kosovës. Kjo marrëveshje rregullon marrëdhëniet ndërshtetërore në mes të dyja shteteve në fushën e energjisë.

Me këtë rast, KOSTT-i, autoriteti i transmisionit të energjisë, më nuk do të jetë i penguar që të anëtarësohet në organizatat evropiane dhe rajonale, si dhe Serbia tash e tuje nuk mund të shfrytëzojë rrugët e transmisionit të shtetit të  Kosovës, pa i kompensuar për atë shfrytëzim.

Ndërkohë, për të gjitha përdorimet që i ka bërë në të kaluarën, marrëveshja paraqet formimin e një komisioni, i cili do të bëjë llogaritjen e asaj, se sa Serbia i ka borxh Kosovës, përkatësisht operatori i homolog i KOSTT-it, në Serbi, i ka borxh KOSTT-it në atë se ka përdorur rrugët transmetuese të shtetit tonë por nuk e ka kompensuar.

Po ashtu, në këtë pjesë thuhet se në qoftë se të dy palët nuk merren vesh për lartësinë e mjeteve financiare që mund të bëhen në emër të kompensimit, atëherë mund të krijohet edhe një arbitrim ndërkombëtar për këto çështje.

Po ashtu, marrëveshja parasheh që KOSTT dhe autoriteti homolog në Serbi të paraqesin një bashkëpunim, bashkëpunim i cili duhet të bazohet në parimet e Traktati të Athinës për energji, dhe marrëveshja përcakton shuarjen e të gjitha operatorëve ilegalë të Serbisë në Kosovë e ju besoj që e keni parasysh, që ka operatore ilegal të Serbisë, qoftë në transmision, qoftë në distribucion, qoftë në furnizim, të gjitha këto do të shuhen.

Ndërkohë, operatori publik KEDS-i, mbetet operatori i vetëm publik për distribucion ndërsa, jemi pajtuar me këtë marrëveshje që në fund të vitit  të ardhshëm është koha kur gjithë rajoni kalon në procesin e liberalizimit të tregut me energji elektrike. Ne jemi pajtuar që në kohën kur të ndodhin këto ndryshime pozitive të liberalizimit, atëherë ne mund të ofrojmë lejimin apo licencimin e ndonjë kompanie të re, e cila dëshiron të marrë pjesë në tregun e energjisë si furnizues.

Pala serbe ka kërkuar edhe licencime për distribuim, siç edhe ju kemi njoftuar edhe më herët edhe tani po ju konfirmoj nuk është lejuar kjo, sepse KEDS-i është i vetmi distributor i licencuar i ligjshëm në bazë të ligjeve të Kosovës në këtë fushë.

Po ashtu është më rëndësi të theksohet se me këtë marrëveshje, KOSTT-i  do të marrë kontrollin mbi stacionin e Vallaçit, në të cilin për shkak të ndërhyrjeve ilegale ka pasur gjithmonë pengesa në këtë drejtim. Dhe, me këtë rast do të kemi normalizimin e gjendjes, ne fushën e energjisë, si dhe do të kemi sundimin e ligjit, ashtu siç bëhet edhe në të gjitha vendet demokratike dhe evropiane, ku rregullat e energjisë duhet të respektohen dhe tregu i energjisë duhet të funksionojë në bazë të ligjeve, të shtetit tonë, kornizës rregullatorë dhe Traktit të Athinës për energji.

Sigurisht pas këtij suksesi për arritjen e marrëveshjes do të pasojë faza e implementimit. Implementimi është një proces po ashtu shumë i rëndësishëm, por këto dy marrëveshje shënojnë një sukses të madh.

E para, për shkak të forcimit të shtetësisë së Kosovës në këto dy fusha, largimit dhe shuarjes së operatorëve ilegal. Por, është e rëndësishme që u morëm vesh që të vendosim marrëdhënie, bashkëpunim në mes të dy shteteve në këto fusha, sepse kjo është e definuar edhe në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe në kuadër të plotësimit të standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal.

Ju faleminderit!

*********************************

Në vazhdim, po i prezantojmë pyetjet e gazetarëve dhe përgjigjet e Zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri

Pyetje:
Kur do të shuhen operatorët ilegal të telefonisë, që operojnë në Kosovë, dhe sqarimin për çështjen e operatorit të përkohshëm, cili është ky operator, kush e licencon dhe si operon?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri:
Shuarja e operatorëve ilegalë do të ndodhë në procesin e implementimit, në bazë të dinamikave do të ndodhë sa më shpejt që është e mundur teknikisht.
Ndërsa, sa i takon veprimit të një operatori me fushëveprim të përkohshëm, një shërbimi të tillë do ta ofrojë një kompani e re, e cila do të licencohet nga ART-ja, do të jetë më licencim të përkohshëm dhe do të ketë fushëveprim të përkohshëm. Është në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës dhe me kornizën rregullatore.

Pyetje:
Kjo që thoni ju tingëllon shumë më ndryshe nga ato që janë thënë në Beograd. Pse nuk e publikoni marrëveshjen?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri:
Marrëveshjet janë të inicializuara nga të dy kryeministrat dhe Baronesha Ashton, dhe praktikisht në kuadër të procesit të normalizimit, Bashkimi Evropian është ai që na jep sinjalin se kur t’i publikojmë. Por, nga praktika meqenëse jam që nga fillimi, që nga viti 2011,  ne i kemi publikuar të gjitha marrëveshjet dhe ato gjenden ne Ëebsajtin e Qeverisë së Kosovës, por i keni edh ju. Edhe këto në një moment të harmonizimit të veprimeve me BE-në, gjithsesi do t’i publikojmë, janë për publikun dhe janë në dobi të publikut, të vetë shtetit të Kosovës.

Pyetje:
Rreth operimit te operatorit të përkohshëm?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri:
Është fjala për një kompani të re, e cila do të regjistrohet pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të shtetit të Kosovës si kompani, më pas do të plotësojë kushtet për një veprim të kufizuar dhe të përkohshëm, paraqitet pranë ART-së. Sipas ligjit, ART-ja do të vlerësojë, nuk do të thotë një kompani mund të jenë më shumë kompani, por njëra prej tyre do të merr licencimin nëse plotësohen kushtet.

Pyetje:
Znj, Zëvendëskryeministre, mbrëmë kryeministri i Serbisë, z. Daçiq, tha se thirrjet telefonike që do të bëhen brenda territorit të Kosovës, do të konsiderohen si thirrje lokale në Serbi. A është diskutuar kjo dhe a do të lejohet një gjë e tillë?

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri:
Thirrjet brenda Kosovës në fakt janë lokale, por thirrjet telefonike në mes dy shteteve janë thirrje ndërkombëtare. Mbase mund të ketë menduar në marrëveshjen roaming, dhe koston. Me të vërtetë, synimi ynë është dhe ne kemi ftuar, autoritetin tonë shtetëror rregullator dhe Serbia autoritetin e vet rregullator, që të inkurajojnë operatorët mobilë të krijojnë marrëveshje roamingu, në mënyrë që të ketë çmime më të ulëta për qytetarët, dhe synimi është që të jenë më të ulëta.
Mbase ai ka mëndu, se çmimet do të duken sikur çmimet e thirrjeve lokale, përndryshe marrja e kodit shtetëror telefonik nga ITU-ja, me rregullat e ITU-së, nënkupton se thirrjet janë në mes dy shteteve apo thirrje ndërkombëtare.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors