Prishtinë, 18.09.2013
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka pritur një delegacion nga Gjermania, i cili përbëhej nga 18 profesorë të universiteteve të ndryshme nga Gjermania, të udhëhequr nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung.
Më këtë rast, Zëvendëskryeministrja Tahiri falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, si dhe në këtë kuadër Fondacionin Friedrich-Ebert-Stiftung, që me programet e zhvilluara në Kosovë kanë ndihmuar vendin tonë drejt demokratizimit të shoqërisë dhe edukimit të brezave të rinj në sferën politike.
Znj . Tahiri tha se Kosova si shtet i ri ka vizion të qartë drejt integrimeve europiane dhe euroatlantike. Në kuadër të këtyre angazhimeve është duke realizuar një varg reformash në fushën e sundimit të ligjit, si dhe duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e qwndrueshwm ekonomik dhe rritjen e mundësive për investime të reja në vend dhe punësimin e të rinjve.
Zëvendëskryeministrja Tahiri po ashtu theksoi se pavarësia e Kosovës ka forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe Kosova tashmë është një promotor i fuqishëm i fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Në këto kontekst ajo foli për angazhimet konstruktive të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat duhet të rezultojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, në kuadër të realiteteve të reja të krijuara në Ballkan pas zhbërjes së ish-Jugosllavisë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri potencoi se duhet të përshpejtohen integrimet evropiane dhe euro-atlantike për të gjitha vendet e rajonit, si një faktor përcaktues për arritjen e një paqe dhe stabiliteti të qëndrueshëm në rajon. Në këtë drejtim, Gjermania ka qenë dhe mbetet një faktor i rëndësishëm në arritjen e këtyre synimeve, tha znj.Tahiri.
Nga ana tjetër, profesorët gjerman shprehen kënaqësinë e tyre për përparimin e Kosovës, dhe se ndihen të lumtur që fondacioni i tyre do të vazhdoj ta përkrah Kosovën në proceset e konsolidimit të demokracisë dhe ardhmërisë evropiane.
Në mirënjohje për këtë takim miqësor dhe të vlefshëm, kryetarja e delegacionit i dhuroi Zëvendëskryeministres Tahiri një libër mbi historinë e Partisë Socialdemokratike të Gjermanisë.
