Prishtinë, 12 maj 2011
Në këtë takim u bisedua për rrjedhat e dialogut teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me ç’rast të dy palët vlerësuan rëndësinë e angazhimit konstruktiv për gjetjen e zgjidhjeve praktike në interes të qytetarëve, të bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve evropiane.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka një filozofi moderne për shtetin, angazhohet për një Kosovë euro-atlantike dhe se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është garant i vlerave demokratike, të ekonomisë së tregut dhe mundësive të barabarta për gjithë qytetarët dhe komunitetet.
Ne angazhohemi për fqinjësi të mirë midis shteteve dhe stabilitetin rajonal dhe në këtë kuadër kemi pranuar dialogun teknik me Serbinë, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri.
Z.Stefanoviç, nga ana e tij falënderoi zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, për këtë takim dhe konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Serbisë për të kontribuar pozitivisht në mbarëvajtjen e dialogut teknik.
