25 shkurt 2014
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, qëndroi në Toronto të Kanadasë ku mori pjesë në festën e pavarësisë në Toronto të organizuar nga Shoqata shqiptaro -kanadeze “Kosova.”
Në ditën e parë të qëndrimit në Toronto, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi një takim të veçantë me Kryetarin e shoqatës shqiptaro- kanadeze Sami Ademi dhe anëtarët e Kryesisë, Agim Hadri dhe Remka Huruglica, ku u njoftua me misionin dhe aktivitetet e kësaj shoqate. Ajo vlerësoi lartë punën e kësaj Shoqate në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit dhe kulturës kombëtare dhe të mbajtjes së lidhjeve me Kosovën si i falënderoi për ftesën për të marrë pjesë në festimet e pavarësisë.
Në ceremoninë e festës së pavarësisë, Zëvendëskryeministrja mbajti një fjalim para të pranishme me ç’ rast në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës uroi gjithë diasporën shqiptare në Kanada për gjashtë vjetorin e pavarësisë së Kosovës si dhe foli për të arriturat në ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Në fjalën e saj zëvendëskryeministrja Tahiri, theksoi se shteti i Kosovës ka bërë përparime të jashtëzakonshme në shumë plane, si në drejtim të konsolidimit të vet si shtet demokratik dhe funksional ashtu edhe në avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke siguruar njohjen nga 106 shtete dhe avancimin në integrimet euroatlantike.
Pavarësia e Kosovës ka forcuar kombin shqiptar në përgjithësi dhe ne jemi të bindur se shekulli njëzetë e një do të jetë një shekull i drejtësisë, paqes dhe prosperitetit për gjithë shqiptarët kudo që janë. Duke përshëndetur praninë e Ambasadores së Shqipërisë në Kanada, Elida Petoshati, në këtë tubim, zëvendëskryeministrja Tahiri, tha se është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Kosova dhe Shqipëria festojnë dhe punojnë së bashku për ardhmërinë e ndritur të kombit shqiptarë.
Jemi të bashkuar në konceptin euroatlantik dhe në përcaktimet tona për bashkim gjithnjë e më të madh të shqiptarëve sepse ne dolëm fitimtar në luftën tonë për liri, demokraci dhe pavarësi në të dy anët e kufirit, tha ajo. Po ashtu, znj. Tahiri vlerësoi kontributin e madh të diasporës shqiptare në Kanada për pavarësinë e Kosovës si dhe premtoi angazhimet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për të forcuar më tej lidhjet e diasporës me atdheun, duke i ftuar ata që të ruajnë dhe kultivojnë identitetin kombëtar dhe të jenë qytetarë të respektuar në shoqërinë kanadeze.
Zëvendëskryeministrja Tahiri falënderoi shtetin e Kanadasë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e rëndësishme të proceseve të lirisë dhe pavarësisë dhe u zotua që marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, do të shënojnë ngritje në nivele të reja të bashkëpunimit në fushat e interesit të ndërsjellë.
Gjatë qëndrimit në Toronto, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi një takim me deputetin e parlamentit të Kanadasë, z. Mike Sullivan, me të cilin bisedoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe për sferat konkrete të angazhimeve të përbashkëta. Deputeti Sullivan, shprehu urimet më të përzemërta për pavarësinë e Kosovës dhe vlerësoi përparimet e shtetit të Kosovës si dhe orientimet perëndimore në shtetndërtimin demokratik të vendit tonë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri mori pjesë edhe në mbrëmjen festive për pavarësinë, të organizuar nga shoqata e shqiptarëve të qytetit të Hamiltonit.
Në vizitën e saj në Kanada, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ishte e shoqëruar nga këshilltarja Elona Cecelia dhe shefi i protokollit Imer Reçica.
