Zëvendëskryeministri Limaj paralajmëron ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore


Image


Prishtinë, 4 nëntor 2017

Zëvendëskryeministri i Republikës së  Kosovës, Fatmir Limaj së bashku me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kanë vizituar Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ku kanë biseduar për bashkëpunimin dhe avancimin e proceseve ekonomike, me theks të veçantë për mundësitë e krijimit të vendeve të reja të punës.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se janë të përkushtuar që të mbështesin Odën Ekonomike, duke premtuar trajtim të dinjitetshëm për bizneset vendëse.

Duke i quajtur prodhuesit vendës ambasadorë, zëvendëskryeministri Limaj tha se Qeveria do të jetë partnere e atyre që janë gjenerues të vendeve të reja të punës.

“Ne do të jemi afër jush për aq sa e lejon korniza ligjore dhe nëse ka ndonjë ligj që e pengon zhvillimin ekonomik ai duhet të ndryshohet. Kemi vullnet si Qeveri dhe do të bëjmë hapa konkret në këtë drejtim”, theksoi zëvendëskryeministrin Limaj, duke shtuar se prioritet yni është stimulimi i prodhuesve vendorë.

Më  tutje, zëvendëskryeministri Limaj tha se duhen miratuar ligje që iu përshtaten nevojave dhe interesave të vendit, duke paralajmëruar ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore, në mënyre që shteti të iu ofrojë investitorëve të huaj dhe vendorë  hapësirë  ku ata janë të gatshëm për të investuar dhe, kjo, sipas Limajt është  e rregulluar edhe me Ligjin për Investime Strategjike.

“Fatkeqësisht paragjykimet dhe përceptimi negativ vazhdon të jetë ndaj atyre që e kanë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe në këtë drejtim duhet bashkë të angazhohemi ta ndryshojmë atë ”, tha Limaj, duke potencuar nevojën e ndërtimit të  partneritetit të besimit, që nënkupton ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për ta çuar përpara vendin.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se biznesmenët jo vetëm që duhet ta ndjejnë  veten drejtues të kompanive, por kanë edhe përgjegjësi ndaj vendit dhe janë burrështetas që ta çojnë përpara atë. Falë vizionit të tyre, theksoi Limaj, hapen vende të reja të punës, mbushet arka e shtetit dhe ngitet mirëqenia.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se është e pamundur që në shpejtësi të zgjidhen problemet e grumbulluara nga e kaluara, por me një  bashkëpunim të  ngushtë  me Qeverinë, këto problemet do të  tejkalohen.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se prioritet i Ministrisë që ai drejton, do të jetë punësimi i të rinjve, sidomos i atyre me arsim të lartë dhe në  këtë drejtim ka kërkuar edhe përkrahjen e prodhuesve vendës.

Në këtë takim prezent ishin edhe përfaqësues të bizneseve dhe kryetarë  të shoqatave të ndryshme, të cilët treguan veshtirësitë me të cilat ballafaqohen.

Zëvendëskryeministri Limaj ka kërkuar nga ta që të bëjnë listën me probleme me të cilat ballafaqohen dhe bashkërisht do t’i zgjidhin ato.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors