Prishtinë, 3 shtator 2009
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka pritur sot ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almofer dhe drejtorin e qendrës së OSBE-së për parandalimin e konflikteve, Herbert Salber.
Në takim u bisedua rreth procesit te zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe rolit të OSBE në kete proces. Bashkëbiseduesit vlerësuan se ky rol kësaj radhe do të jetë përkrahës për Komisionin Qendror Zgjedhor për organizimin sa më të suksesshëm të këtij procesi më rëndësi jetike për momentin e tashëm politik në vend.
Në takimin e zëvendëskryeministrit Kuçi me përfaqësuesit e OSBE-së u bisedua gjithashtu për pjesëmarrjen sa më të lartë të votuesve dhe inkurajimin e komunitetit serb për pjesëmarrje në zgjedhje, si një hap përpara ndaj procesit të integrimit të mëtejmë të këtij komuniteti në realitetin kosovar.
Gjendja e sigurisë u vlerësua stabile, duke shprehur shqetësimin për ngjarjet e paradokohshme në Kroin e Vitakut, që tanimë kanë filluar t’u kthehen normalitetit.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ripotencoi se pjesëmarrja aktive e komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës është tejet e rëndësishme dhe në këtë drejtim Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë afirmativë që i kontribuojnë në mënyrë konkrete avancimit të gjithanshëm të kushteve për këtë komunitet.
Zëvendëskryeministri gjithashtu theksoi se Kosova është e gatshme dhe shumë e vullnetshme të jetë pjesë proaktive e procesit të bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat, duke nënvizuar se institucionet e vendit e kuptojnë rëndësinë e këtij procesi, si rrugë drejt integrimeve rajonale, evropiane dhe më gjerë.
