Prishtinë, 15 korrik 2021
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett.
Ambasadori Kosnett u interesua për takimin e fundit që zëvendëskryeministri Bislimi dhe ekipi i tij patën në Bruksel gjatë javës së kaluar.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se takimi në Bruksel kishte për qëllim arritjen e një pajtueshmërie në mes të palëve të përfshira për gjendjen aktuale dhe ecurinë e implementimit ndër vite të marrëveshjeve që janë pjesë e dialogut.
Ai tha se kjo është bërë përmes krijimit të një inventari të marrëveshjeve të kaluara duke konsideruar nivelin e implementimit të tyre.
Prandaj, zëvendëskryeministri theksoi se gjatë takimit nuk ka pasur negocim, por vetëm përgatitje për fazat e ardhshme të dialogut.
Në takim u diskutua për gjendjen emergjente të krijuar në Deçan dhe masat e ndërmarra nga Qeveria për tejkalimin e kësaj situate.
