Tiranë, 23 mars 2015
Me moton “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr” u zhvillua të hënën në Tiranë, mbledhja e dytë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Mbledhja u drejtua bashkërisht nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
I nderuari zoti Kryeministër Rama
Të nderuar anëtarë të kabineteve qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës,
Ju falënderoj shumë për organizimin e këtij takimi. Ju falënderoj poashtu shumë për fjalën tuaj, e cila është një mbështetje shumë e madhe për thellimin e bashkëpunimit tonë në të ardhmen.
Për mua është kënaqësi e veçantë t’iu drejtohem sot në këtë takim të përbashkët mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë këtu në Tiranë.
Ky takim, sikurse edhe ai i pari që u zhvillua në Prizren, dëshmon se dy qeveritë tona po realizojnë ëndrrën e kamotshme të kombit tonë, për bashkëpunim të pa penguar dhe për marrëdhënie speciale dhe vëllazërore ndërmjet nesh.
Sot jemi këtu në Tiranë, vetëm pak vite pas luftës, ku qindra mijëra shqiptarë të Kosovës 16 vjet më parë ishin dëbuar nga atdheu i tyre dhe kishin gjetur strehë nëpër shtëpitë bujare të Tiranës dhe gjithandej në Shqipëri.
Unë shfrytëzoj edhe këtë rast t’iu falënderoj të gjithë shqiptarëve për mikpritjen që treguan atëherë, dhe të theksoj se të gjithë njerëzit tanë e përjetuan këtë në mënyrë vëllazërore.
Ky takim i yni i përbashkët, i dyti me radhë, pas atij të Prizrenit në janar të vitit të kaluar, vjen në kohën kur Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, dhe kur Kosova po pret nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe marrëveshjes për vizat dhe liberalizimin e tyre.
Prandaj, me të drejtë mund të themi se ky bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, i konfirmuar edhe formalisht në takimin e Prizrenit me aktin e firmosjes së Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik nga kryeministrat e dy vendeve, është bërë një model i bashkëpunimit rajonal.
Për qeverinë që unë drejtoj, prioritet mbetet bashkëpunimi me Shqipërinë. Një bashkëpunim përmes një politike të bashkërenditur për interesa tona të përbashkëta, për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të proceseve të integrimeve euro-atlantike.
Poashtu Kosova dhe Shqipëria, nëpërmjet avancimit të marrëdhënieve të përbashkëta, dhe me karakter strategjik, mendoj se i japin kontribut të drejtpërdrejt paqes, sigurisë, dhe stabilitetit rajonal, dhe në të njëjtën kohë promovojnë evropianizimin e mëtejshëm të rajonit, të Evropës Juglindore.
Ne dy vendet kemi klimë shumë të volitshme që na mundëson rregullimin e përbashkët të shumë çështjeve. Një avantazh i tillë që rrallë kush e ka në rajon, por edhe më gjerë, përbën edhe një sfidë për ne, një sfidë të veçantë për qeveritë tona, sepse ky avantazh na detyron që në ato fusha që i konsiderojmë të përbashkëta dhe të përshtatshme për thellimin e bashkëpunimit, t’i bashkërendisim politikat tona në të mirë të qytetarëve tanë, dhe të arrijmë rezultate sa më të mira të mundshme.
Me shembujt tanë të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare , ne sot jemi një burim global i frymëzimit, veçmas në kohën kur mungesa e këtyre vlerave po shkakton dhunë dhe gjakderdhje anë e mbanë botës.
Edhe Shqipëria edhe Kosova kanë demonstruar gatishmërinë për t’iu bashkuar luftës globale kundër terrorizmit, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mund të themi se ne jemi në një vijë me vullnetin e qytetarëve tanë, të dy shteteve tona, të cilët kanë treguar gjithmonë gjatë historisë një përkrahje të madhe ndërmjet veti, në ditët më të mira dhe në ditët më të liga.
I nderuari kryeministër Rama,
Më lejoni që në vija të trasha të them atë që mendoj se është thelbësore për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.
Do të filloj nga ekonomia, sepse vlerësoj se marrëdhëniet tona ekonomike ndërmjet vendeve tona, kanë mbetur më mbrapa nga marrëdhëniet në fushat e tjera.
Kosova dhe Shqipëria kanë synim strategjik që avantazhet politike të dy vendet t’i përdorin për të ngritur bashkëpunimin ekonomik. Prandaj nuk guxojmë të mendojmë se afërsia unike në mes të dy shteteve tona, vetvetiu do të zgjidh problemet që natyrshëm ndodhin, për shembull mes dy ekonomive tona që janë në zhvillim në përpjekje për të siguruar vendin e vet të merituar në tregun rajonal dhe në tregun botëror.
Problemet e tilla nuk mund të zgjidhen as vetvetiu as me idealizimin romantik, i cili është i rëndësishëm për ne, por nuk mund të jetë rregulluesi kryesor që garanton marrëdhëniet harmonike në mes nesh.
Ne jemi zotuar dhe po punojmë intensivisht, që të krijojmë një sistem bashkëpunimi, i cili ka për bazë konkurrencën e lirë në treg, ndërsa qeveritë tona do të heqin të gjitha barrierat që ky bashkëpunim të jetë konkret dhe frytdhënës.
Sistemi që ne bashkërisht po krijojmë, eliminon subjektivizmin për pengimin e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve në kohë reale.
Ne kemi bërë hapat e parë në këtë drejtim, por do të ndërmarrim edhe shumë hapa të tjerë në ditët në vijim.
Rregullimi i përbashkët i pikës doganore në Vërmicë, është shembulli i dukshëm i bashkëpunimit tonë strategjik, i cili po jetësohet.
Kosova dhe Shqipëria do ta plotësojnë njëra- tjetrën me produkte dhe shërbime. Shembulli më i mirë për këtë është ndërtimi i autostradës energjetike 400 kilovolt, që do të lidh dy shtetet tona, dhe kjo lidhje energjetike do t’i bëj Kosovën dhe Shqipërinë faktor energjetik në rajon dhe do ta ul varësinë tonë nga importi i energjisë.
Ndërkaq, agjencitë tona të mallrave dhe shërbimeve janë në proces të unifikimit, prandaj standardizimet në njërën nga shtete tona, do të vlejnë edhe tek tjetra.
Bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik ndërkufitar të zonës Has-Tropojë-Gjakovë, do të barazojë kushtet e jetesës në këtë anë, dhe do të përmirësojë infrastrukturën dhe komunikimin ndërmjet njerëzve tanë.
Integrimi ynë euroatlantik është i sigurt, jo vetëm pse ky është një qëllim i qeverive tona, por ky orientim është një aspiratë dhe vullnet i pathyeshëm i popullit që ne e përfaqësojmë.
Prandaj, ne do të plotësojmë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, dhe nëpërmes plotësimit të këtyre kritereve, do të forcojmë shtetet tona, do të nxisim zhvillimin ekonomik, do të përmirësojmë standardin e qytetarëve, dhe do të jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë.
Kosova dhe Shqipëria kanë nisur procesin e përfaqësimit të përbashkët diplomatik, dhe kjo praktikë, ashtu siç e thatë edhe ju, e diplomacisë ndërkombëtare, do të zgjerohet edhe më tutje. Lidhshmëria jonë kombëtare, që na bënë edhe më të fuqishëm në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, së bashku me perspektivën dhe integrimin tonë evropian, e krijon kornizën vepruese brenda së cilës, Kosova dhe Shqipëria duhet të ushtrojnë politikat e veta si dy shtete të pavarura, duhet të kenë gjuhën e përbashkët për të gjitha çështjet e interesit bilateral dhe gjithëkombëtar dhe duhet të kultivojnë marrëdhënie speciale në mes të dy shteteve.
Sa i përket Kosovës, agjenda evropiane shtron përpara nesh shumë sfida që duhet adresuar, dhe shumë standarde që ne duhet t’i përmbushim gjatë periudhës që pason.
Në planin ekonomik, neve na duhet të dëshmojmë se ky vend po ndërton një ekonomi të tregut, e cila gjithnjë e më pak rregullohet nga shteti, por nga konkurrenca e lirë, sepse synojmë të zhvillojmë veprimtari prodhuese mbi asetet tona të mëdha natyrore, të krijojmë brendet tona dhe të konkurrojmë në tregun ndërkombëtar me prodhimet tona vendore; se Kosova është treg i hapur, dhe se kapitali i huaj, sidomos ai nga Bashkimi Evropian, do të jetë i mbrojtur si të ishte vendor, se Kosova nuk pranon të akomodohet me statusin vetëm të pranuesit të asistencës ndërkombëtare, siç ishte rasti deri më tani dhe rasti i pasluftës, por do të zhvillojë edhe kapacitetet e veta ekonomike, dhe do të bëhet ekonomikisht shtet i qëndrueshëm.
Në planin politik, neve na duhet të dëshmojmë se mundemi të ndërtojmë një shtet demokratik, në qendër të vëmendjes së të cilit është qytetari i tij, se mund të sigurojmë funksionimin e pushtetit të ligjit dhe ndarjen e drejtësisë, sipas standardeve evropiane, se mund të jemi një shoqëri e qytetarëve të lirë, dhe me të drejtat e tyre të mbrojtura, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, religjioze, grupore apo një përkatësie tjetër; se mund të jemi një shoqëri ku mediat janë të lira dhe të pavarura, ndërsa zëri i shoqërisë civile do të luaj rol të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes.
Kosova në këtë rrafsh po ushtron dialogun me Serbinë, përmes të cilit duhet të dëshmojmë se jemi në gjendje që të gjitha çështjet t’i zgjidhim përmes dialogut.
Për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme që sa më shpejt të jetë e mundur të arrij marrëveshjen për liberalizimin e vizave.
Me këtë marrëveshje do të largohet ndjenja e izolimit, e cila rëndon mbi qytetarët e Kosovës, dhe do të përforcohet ndjenja e përkatësisë dhe identitetit të tyre evropian.
Të gjitha këto janë sfida dhe prioritete tona që na presin në rrugën tonë të integrimit euroatlantik në vitet në vijim.
Unë mendoj se sfida gati të njëjta, apo gati të ngjashme shtrohen edhe përpara Shqipërisë.
Ky rrugëtim do të jetë i rëndësishëm për ne, nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë me vlera të veçanta. Prandaj na duhet shumë mund, na duhet shumë punë, na duhet energji, na duhen investime, dhe na duhet të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona të cilat janë të limituara.
Por ajo që na bashkon në këtë rrugë, është zotimi që stacioni ynë i fundit do të jetë rrugëtimi për Bruksel, dhe unë shpresoj shumë se bashkërisht do ta arrijmë këtë rrugë më shpejt.
Të nderuar të pranishëm
I nderuari kryeministër Rama,
Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha kushtet që mes tyre të vendosin zonën për qarkullim, zonë e lirë dhe e papenguar jo vetëm e qytetarëve, por edhe e mallrave të shërbimeve, të informacionit, dhe të mirave ekonomike.
Dy ekonomitë dhe bizneset tona, nuk duhet ta konsiderojnë njëra-tjetrën si konkurrente, por si partnere dobiprurëse, me të cilat mund të planifikohet gërshetimi ekonomik dhe shfrytëzimi i përparësive krahasuese, që ekonomitë tona i kanë ndaj njëra tjetrës.
Prandaj në fund dëshiroj të them se Qeveria jonë dhe unë jemi shumë optimist për të ardhmen e dy shteteve tona.
Ne kemi vullneti, poashtu kemi resursin më të fuqishëm që njeh bota për zhvillim dhe përparim. Ky resurs është popullata e re me potenciale të mëdha zhvillimore, andaj synimi ynë i përbashkët është që këtë resurs, pra popullatën e re, ta vëmë në interes të zhvillimit, në interes të përmirësimit të cilësisë së jetës, dhe të integrimit tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian.
Unë ju falënderoj shumë për këtë organizim të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive tona. Ju uroj sukses dhe uroj që në takimet e ardhshme të realizojmë edhe synimet të cilat ne dëshirojmë t’i realizojmë sa më shpejt.
Faleminderit.
Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës:
Zoti Kryeministër i Kosovës dhe bashkëdrejtues i kësaj mbledhje,
Zonja dhe zotërinj ministra,
Të dashur bashkëqytetarë andej dhe këndej bjeshkëve,
Rikthimi në tryezën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona, zanafilla e së cilës u ngjiz në qytetin e të gjitha zanafillave të historisë shqiptare drejt shtetformimit, në Prizren, ndodh në kohën e duhur.
Cilido që i njeh objektivat dhe raundet teknike të marrëveshjeve që vijnë sot për nënshkrim, nga krijimi i një hapësire tregtare të përbashkët, tek kontrolli kufitar dhe përndjekja e përbashkët e krimit të organizuar, mund të dëshmojë se në një vit, ne i kemi bashkuar ndjeshëm agjendat tona.
E vërteta është, se ajo që ndodhi dje në Prizren dhe që po ndodh sot në Tiranë është përmbushje e një urdhërese madhore të kohës; politikbërjes në bazë të realiteteve.
Shqiptarët nuk reshtin prej kohësh tanimë, së propozuari dhe ndërtuari ura lidhëse drejt ëndrrës shekullore të rikthimit në shtëpinë e përbashkët europiane. Dje të sfilitur nga segregacioni në territoret fqinje, sot të vetëdijshëm për rolin çelës në rajon, shqiptarët me zemërgjerësi dhe kurajë shtrijnë dorën për mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Dialogu dhe përafrimi janë çka shqiptarët duan përmes mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Bashkimi mes vedi dhe i krejt rajonit tonë me Europën e Bashkuar është çka shqiptarët aspirojnë. Ne jemi krejt të vetëdijshëm se urat e së nesërmes, jo hendeqet e së djeshmes na çojnë drejt qëllimit tonë të madh strategjik. Fjala vjen, ndonëse ende në Maqedoni, të penguar në rrugën drejt jetësimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët i mbeten besnikë marrëveshjes, jo vetëm në germë, por edhe në frymë, me vetëpërmbajtjen e tyre të lavdërueshme ata garantojmë qëndrueshmëri dhe nxisin bashkëpunim në një rajon ku pa vështirësi mund të rindizen thëngjijtë e përçarjes, përballjes dhe krisjes së paqes.
Në të vërtetë shqiptarët në rrugëtimin e marrjes së plotë të të drejtave që u përkasin duan ekuilibër dhe jo prishje ekuilibrash. Kërkojnë thjesht atë që ju takon si bashkësi njerëzore në shtetet ku jetojnë, apo po ashtu kërkojnë thjesht çfarë ju kanë njohur si të drejtë të tjerëve në të dyja shtete e tyre, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Përballur në dekada me realitetin e hidhur të etnisë së shkelur dhe të dhunuar, shqiptarët japin sot një shembull fisnik në bashkëjetesën me etni të tjera, që janë minoritete në dy shtetet tona. Në këtë aspekt, Republika e Kosovës është një shembull rrezatues për gjithë Europën e sotme, jo vetëm për Ballkanin. Frymëzimi nga ky kuadër bashkëjetese në Shqipëri dhe në Kosovë i bën edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës të këmbëngulin me kërkesa të përsëritura parimore, për të jetësuar po njësoj në Serbi, mishërimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes tyre dhe popullit serb.
Por sjellja jonë e shkëlqyer me minoritetet na bën të kërkojmë njëzëri nga Serbia, që të garantojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, as më shumë e as më pak, po sa ç’u është garantuar serbëve të veriut të Kosovës.
Përtej apologjive dhe ndjesave protokollare, Francës dhe Gjermanisë iu desh në vitet që pasuan fundin e Luftës së Dytë Botërore të kapërcenin botëkuptimet e rrënjosura prej shekujsh, për të arritur në një paqe që ia vlen të jetohet. Kur gjenerali de Gaulle dhe kancelari Adenauer shfaqen në meshën e madhe të pajtimit në katedralen e Reims-it në vitin 1963, gjithë konflikti vëllavrasës është lënë mbrapa, për t’i lënë vendin zyrave të rinisë dhe bashkëpunimit universitar, projekteve për menaxhimin e lundrimit mbi Rin apo të aerospacialit.
Kthjelltësia e brendshme mbi të shkuarën dhe pajtimi i pashmangshëm me modelin franko-gjerman të së ardhmes mund t’u japin shqiptarëve dhe serbëve një shtysë të jashtëzakonshme, për ta kthyer plotësisht faqen e historisë së rajonit tonë në një faqe suksesi përbashkues.
Këtë rrugëtim pa komplekse dhe autentikisht angazhues, Shqipëria dhe Kosova ia kanë propozuar dhe ia propozojnë Serbisë, si një rrugëtim të pashmangshëm europian. Ne jemi gati të luajmë deri në fund rolin tonë, për ta mundësuar kthimin e fjalëve premtuese në angazhime dhe projekte konkrete bashkëpunimi me Serbinë.
Bashkimi i forcave në përforcimin e rolit të së ardhmes mbi politikat e sotme të vendeve të rajonit, është një domosdoshmëri për t’i nxitur konkretisht edhe partnerët europianë, të pranojnë nevojën e integrimit sa më shpejt të Ballkanit, si një projekt strategjik europian, jo si një vazhdë e një procesi burokratik.
Të presuar mes shfaqjes së terrorizmit në kontinent, zhgënjimit të brendshëm të pjesëve të ndryshme të opinionit të tyre ndaj ëndrrës europiane dhe hordhive të fanatikëve që prodhon në seri një Lindje, sa e largët aq dhe e afërt, e rraskapitur nga skamja dhe çorodia, europianët e Bashkimit Europian duhet më shumë se kurrë t’i promovojnë idealet europiane, pa e parë rajonin tonë si një hall të tepërt, në hallet me të cilat duhet të përballen.
Ne jemi të bindur se sfidat e mësipërme, të cilat i bien barrë jo vetëm vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por edhe vendeve si tonat, mund të zgjidhen vetëm duke dalë nga shtigjet e rrahura dhe e një inkuadrimi normativ që ushqen vetveten dhe privon Europën nga energji dhe potenciale të reja.
Modeli shqiptar i bashkëjetesës është sa një mburojë, po aq dhe një udhërrëfyes për mbarë Europën, tashmë e përshkuar dhe e përbërë nga një larmi fetare dhe etnike domethënëse. Për këtë arsye, ne kemi bindjen, sistematikisht, të përcjellë tek partnerët tanë eruopianë se rajoni ynë, dhe konkretisht Shqipëria dhe Kosova, meritojnë vëmendje dhe qasje strategjike. Për ne, as anëtarësimi në NATO dje dhe as integrimi i plotë në Bashkimin Europian nesër, nuk janë projekte fitimprurëse. Po ashtu, për Bashkimin Europian, Shqipëria, Kosova dhe Ballkani nuk mund të jenë biznes, “as usual”.
Në këtë kontekst, procesi i çelur në Berlin dhe instrumentet jashtë kornizave të vjetra që ai ofron, shfaqet si një proces pragmatik dhe shpresëdhënës të cilin kërkojmë ta intensifikojmë në bazë të udhërrëfyesve të mësipërm. Ballkani, si pjesë e qenësishme e vizionit të etërve themeltarë të Bashkimit Europian, përbën sot një çelës sigurie dhe harmonie brenda kontinentit të vjetër.
Kosova dhe Shqipëria kanë në zgjedhur politikbërjen në bazë realitetesh. Realitetin e një toke, të një populli dhe të një ëndrre.
Një tokë që për politikbërjen reale është një terren i pakufishëm bashkëpunimi, një hapësirë që i ofrohet çdokujt, një rrugëtim që bëhet çdo ditë e më i përbashkët.
Një popull që për politikbërjen mbi realitete është një bashkësi qytetarie dhe qytetarësh, të lirë të qarkullojnë, të shkojnë dhe të vijnë, të ndërveprojnë dhe të sipërmarrin, të begatojnë në paqe dhe në ndërvarësi të plotë.
Sa për ëndrrën tonë, bashkimi kombëtar përmes Bashkimit Europian, politikbërja mbi realitete e ka urtësi dhe frymëzim të saj të përhershëm.
Më kujtohet shënimi që një gjimnazist, rezistent francez, la amanet, pak çaste përpara pushkatimit nga nazistët. “Ëndrra e njerëzve, – shkruan ai, – është vetë ngjarja”. I vetmi realitet autentik i denjë për t’u jetuar.
Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë sëbashku politikë mbi realitete, sepse siç do të thoshte koritësi i ideologjive dhe korifeu i kthejlltësisë Sharl de Gaulle, kjo politikë është e vetmja e vlefshme.
Në harkun kohor të një viti u vërtetua se politikat e ndërmarra i përgjigjen ambicies sonë të përbashkët dhe të madhe, sidomos çka kemi bërë në aspekt të harmonizimit të politikave kryesore, me karakter zhvillimor. U punua për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik dhe për realizimin e linjës sonë të interkonjeksionit 400 kilovolt; U intensifikua bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, me synim njehsimin e standardeve, përshtatjen e metodave të legjislacionit në fushën e kontrollit ushqimor; U hodh themeli unifikues i sistemit arsimor parauniversitar; Realizimi i politikave të përbashkëta zhvillimore, kryesisht në zonat e brezit kufitar u konsiderua si prioritet në politikat tona bujqësore; Po kështu, është konkretizuar bashkëpunimi në fushën e kulturës, turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Realitetet janë në sytë e të gjithëve dhe shfaqen sot e gjithë ditën ekzigjente dhe pa lëshime. Kosova është një ëndërr njerëzore që bën event ngjarje të çdo dite, shtet i pavarur, i shoqëruar në rrugëtimin drejt konsolidimit nga aleatë të mëdhenj strategjikë, duke filluar nga Shqipëria e vogël tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Gjermania dhe Franca, mëvetësisht, që, duke i njohur të drejtën e vetëvendosjes, shmangën më të keqen dhe i dhanë trup një qytetarie të mohuar.
Realitetet, më shumë se pasionet, drejtojnë sytë e Shqipërisë nga Kosova, me projektin përbashkues të një populli jo më të fragmentuar, por edhe të një Ballkani jo më fragmentar, por të unifikuar nga sinergjitë e përbashkëta, nga strategjitë gjithëpërfshirëse, në një terren të kultivuar nga bashkëjetesa.
Kosova dhe Shqipëria po përpiqen të dëshmojnë se janë dy pole ndërveprimi dhe një lokomotivë e proceseve rajonale, të hapura për rrezatim të përbashkët me vendet fqinje, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë.
Procesi i Berlinit dëshmon se kjo përpjekje është reale dhe se sfida me të cilën Kosova në veçanti ka vokacion të përballet, si realitet me të drejtë të plotë qytetarie në bashkësinë ndërkombëtare, nuk do të jetë vetëm suksesi i Kosovës, por suksesi i mbarë rajonit dhe pa asnjë dyshim, suksesi i vetë Europës.
Kosova vazhdon të mbështetet fuqishëm nga Shqipëria si partnere strategjike parësore, për t’iu përmbajtur axhendës së dy vendeve tona, duke çelur konsullata të përbashkëta, si ajo e Munihut që parashikohet të çelet këtë vit, pas eksperiencës së suksesshme të Milanos në 2014-n, duke përshpejtuar njohjen nga sa më shumë shtete dhe duke vijuar në fazën e integrimeve në organizata ndërkombëtare edhe falë punës së palodhur të diplomacisë këtej dhe andej kufirit, gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ne e përshëndesim me gjithë zemër pranimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, në organizmat rajonalë të Nismës për Bashkëpunim të Europës Juglindore, të verifikimit dhe implementimit të kontrollit të armëve, të migrimit, azilit dhe refugjatëve dhe angazhimit të saj konkret në Komisionin e Venecias, Bankën e Këshillit të Europës, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe e fundit, por në sytë e mi jo më pak e rëndësishme, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit.
Standardizimi i politikave të qeverisë së Kosovës, në njehsim me politikat e BE-së dhe të NATO-s, punon fort për integrimin e saj në këto struktura dhe vazhdimin e bashkëpunimit të deritanishëm në fushën diplomatike, të mbrojtjes, të luftës kundër terrorizmit dhe fanatizmave, të krimit të organizuar, të korrupsionit, të trafiqeve të paligjshme. Dhe në bazë të realiteteve të reja që po mishëron Kosova në rajon dhe në kontinentin Europian, Shqipëria nuk do të reshtë së mbështeturi fuqishëm dhe me krenari të plotë, për gjithçka Kosova ka bërë dhe po bën, për përfundimin me sukses të Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe dizinklavimit të Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës nëpërmjet liberalizmit të vizave dhe të drejtës së qarkullimit të lirë. Mosheqja e vizave për qytetarët e Kosovës është një paradoks i madh në raport me të shkuarën e errët të Kosovës, kur sidoqoftë njerëzit e asaj toke mund të lëviznin lirisht drejt Europës. Ndërkohë që, regjimi i sotëm i vizave e ka kthyer Kosovën në një enklavë dëshpëruese të burokracisë europiane.
Ne e kemi thënë dhe do ta themi kudo dhe kurdo që na jepet rasti; regjimi i vizave sot në Kosovë është një padrejtësi cinike ndaj Kosovës dhe kjo padrejtësi duhet të marrë fund një orë e më parë. Sepse nuk cenon vetëm dinjitetin e popullit të Kosovës, por cenon dhe dinjitetin e vetë Europës. Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është turp për Bashkimin Europian.
Përfshirja e Kosovës në të gjitha projektet rajonale, ndër më të rëndësishmit të të cilëve ne konsiderojmë Trans-Adriatik Pipeline, TAP-in, mbetet gjithashtu një përparësi.
Nga ana tjetër, realitetet janë ekzigjente për ne, Shqipërinë dhe Kosovën, që besojmë fort në dinamikën e tyre. Bash për këtë arsye duhet të jemi të vërtetë dhe pa lëshime me të vërtetën. 160 milionë euro shkëmbime ekonomike janë një realitet, por nuk janë një realitet i kënaqshëm për ne dhe nuk mund të jetë një realitet me të cilin të dyja qeveritë tona mund të pajtohen lehtësisht. Dyfishimi minimalisht i kësaj shifre duhet të jetë ambicia jonë.
Ndërkohë që, promovojmë strategji ekonomike afatgjata, ende nuk i kemi dhënë vetes instrumentet angazhues, konvencionalë dhe ligjorë, për të sjellë në jetësimin e plotë të tyre. Soliditeti dhe besimi në vetvete i aktorëve ekonomikë, për të ndërmarrë hapat e domosdoshëm në thurjen e një rajoni ekonomik, ndërmjet fijeve dhe rrjeteve infrastrukturore, energjetike, hidrike dhe tregtare, mbetet ende dorëzanës i influencës dërrmuese të aktorit publik. Në këtë aspekt, ne jemi shpresë plotë që nismat e ndërmarra në përputhje me deklaratën e përbashkët për partneritet strategjik të firmosur në Prizren do të vijojnë të konkretizohen.
Në shkurt të këtij viti u realizua bashkërendimi i kontrolleve doganore, i cili përtej lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës është një shembull për mbarë rajonin, për të shtendosur presionin doganor dhe fiskal dhe për të liberalizuar qarkullimin e lirë. Një nga faktorët historikë të suksesit të projektit europian.
Bashkërendimi strategjik në qeverisjen e hapësirës sonë të përbashkët Shqipëri-Kosovë është një përgjegjësi së cilës, ne të mbledhur sot në Tiranë, nuk i shmangemi. Instrumentet e bashkëpunimit që do të nënshkruhen sot nuk janë instrumente të zakonshëm në funksion vetëm të një bashkëpunimi ndërshtetëror efikas, por janë instrumente në shërbim të mbrojtjes së të gjitha lirive publike të bashkëkombësve tanë.
Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, të sigurisë, të ndjekjes së menjëhershme ndërkufitare, të shfrytëzimit të përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit do ta tkurrin kufirin administrativ midis dy vendeve dhe do ta kthejnë në një konvencion, sikundër do të krijojnë një kordon sanitar të vërtetë ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe infiltrimeve terroriste.
Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, asociiuar me atë për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë, do të tkurrin distancat gjeografike mes shqiptarëve kudo që ndodhen, nëpërmjet njehsimit të mësimdhënies dhe përçimit të kulturës së qytetërimit tonë dhe mbi të gjitha, të qytetarisë si edukim i përhershëm, falë gjuhës dhe trashëgimisë sonë të përbashkët. Shpërndarja e librave, shoqërimi konsullor i pajisjes me dokumentacionin e nevojshëm për familjet, studentët dhe të gjithë bashkëkombësit në nevojë janë në qendër të dispozitivit që pritet të bëhet realitet.
Arsimi nuk shkon pa kulturën dhe kalendari tanimë i fiksuar i shkëmbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, i përshkallëzuar jo vetëm në marrëdhënie të përditshme, por edhe në evente dhe manifestime të nivelit kombëtar do të përbëjnë një proces themeltar në çimentimin e përkatësisë sonë të përbashkët shqiptare dhe europiane, në këtë rrugë drejt Europës.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili u riçel dje, edhe në prezencë të ambasadorit të Republikës së Kosovës dhe Festivali i ardhshëm Mbarëkombëtar i Gjirokastrës që do të zhvillohet në maj janë shkëndija të dukshme që do të vazhdojnë të yjëzojnë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe sinkroninë tonë kulturore.
Së fundi, dua ta mbyll fjalën time, duke nënvizuar se marrëveshjet në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar janë një premisë e jashtëzakonshme, për t’i dhënë një hov të ri cilësor një tregu të hapur, pa barriera burokratike, të inkurajuar nga aktorët publikë dhe privatë, si partnerë të barabartë në nismën e lirë të sipërmarrjes dhe konkurrencën pa shtrëngesa dhe pa komplekse.
Të dashur miq dhe bashkë vendimmarrës të ardhur sot nga Kosova, përpara se t’ia kaloj fjalën homologut dhe mikut tim, Kryeministrit të Kosovës, ju uroj edhe një herë mirëseardhjen dhe ju shpreh bindjen time se ky institucion që ne kemi krijuar dhe konsolidojmë si një institucion i përbashkët i vendimmarrjes strategjike për krejt hapësirën që dy shtetet tona qeverisin, pa as më të voglin dyshim do të bëhet një shtysë e fuqishme drejt çeljes së shtigjeve të reja përbashkuese për të gjithë njerëzit tanë.
Na priftë e mbara në punën tonë të përbashkët!
Në përfundim të mbledhjes janë nënshkruar:
1. Protokolli ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës “Për zbatimin e Marrëveshjes Kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë”.
2. Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës “Mbi Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
3. Protokolli ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës “Mbi Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokolli ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë.
6. Memorandumi i Mirëkuptimit “Për Forcimin e Bashkëpunimit Ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”
7. Memorandum ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës “Mbi Bashkëpunimin në Fushën e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.
8. Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
9. Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”
10. Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
11. Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.
