Bruksel, 1 Gusht 2013
Për tre ditë më radhë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian janë mbajtur takimet e radhës të grupit punues për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë përkatësisht për çështjet e sigurisë. Temë kryesore e këtyre takimeve ishte diskutimi mbi planin e integrimit të individëve të komunitetit serb nga pjesa veriore e Kosovës të cilët duan të integrohen në strukturat e Policisë së Kosovës dhe mbi vazhdimin e konsolidimit të Drejtorisë së Policisë së Kosovës për pjesën veriore.
Në kuadër të kësaj agjende pala jonë edhe një herë ka elaboruar aspektin ligjor dhe rregullativat në fuqi të Kosovës për rekrutimin e individëve në Policinë e Kosovës e më pas është folur për kriteret dhe modalitete e këtij integrimi të mundshëm. Gjithashtu gjatë këtyre takimeve është biseduar për afatet kohore sipas Planit të Integrimit të përgatitur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i cili përfshinë edukimin e vazhdueshëm përkatësisht trajnimin që organizon Policia e Kosovës në Akademinë në Vushtrri për policët e rinj të cilët do të integrohen në radhët e saja. Duhet theksuar se këto trajnime mbështeten në programet të avancuara dhe cilësore gjithnjë duke u bazuar në standardet dhe praktikat më bashkëkohore.
Bashkimi Evropian është zotuar se përmes misionit të EULEX-it do të lehtësoj këtë proces në kuadër të rolit të saj Këshillues, Monitorues dhe Mentorues.
Delegacioni ynë konfirmoi se është duke i përmbushur me kohë dhe drejtë të gjitha obligimet e saja që dalin nga marrëveshja për normalizim dhe plani për zbatim. Lidhur me konsolidimin e drejtorisë së policisë së Kosovës në pjesën veriore, pala jonë ka treguar për progresin për nxjerrjen e udhëzimit administrativ dhe angazhimet për funksionalizimin e mëtejshëm të kësaj drejtorie rajonale, ku edhe një herë është qartësuar se kjo Drejtori Rajonale do të jetë i njëjtë me drejtoritë tjera rajonale që ka Policia e Kosovës në pjesët tjera të Kosovës si për nga struktura poashtu për nga zinxhiri komandues dhe funksionimit dhe se e gjitha kjo është sipas ligjit në fuqi për Policinë e Kosovës.
Delegacioni i Republikës së Kosovës në këto takime përbëhej nga: Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme; Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri; Rashit Qalaj, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe Lendita Haxhitasimi, Sekretare e Parë e Ambasadës së Kosovës në Bruksel.
