Prishtinë, 26 gusht 2013
Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar akte dhe dokumente nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka theksuar se delegacioni i Kosovës sot do të udhëtoj për në Bruksel, për të vazhduar nesër takimet në nivel kryeministror në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në takim do të diskutohen çështjet që kanë mbetur për implementim nga marrëveshja e 19 prillit të këtij viti. Ndërsa, do të diskutohet që të përmbyllet sa më shpejt edhe çështja e telekomunikacionit dhe energjisë dhe disa aspekte nga fusha e drejtësisë.
“Të them shumë hapur, sa i përket tri çështjeve që i potencova, Kosova i ka përmbyllur obligimet e veta, i ka kryer me kohë, në afat rekord të gjitha obligimet, i ka kryer sipas standardeve evropiane dhe Marrëveshjes që e kemi arritur në Bruksel. Edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i baroneshës Ashton, ka qenë i qartë: kjo zvarritje dhe vonesë ka ndodhur nga neglizhenca dhe hezitimi i Beogradit” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
“Sa i përket zgjedhjeve, ne do të diskutojmë që edhe Serbia t’i inkurajojë serbët për pjesëmarrje në zgjedhje. Dhe në të njëjtën kohë, përsëri, megjithëse janë bërë të shpeshta, por nuk do të ndalemi së inkurajuari për serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, që ata të respektojnë afatin e rregullt kohor për regjistrimin e partive politike, lëvizjeve qytetare apo kandidatëve të pavarur” ka thënë kryeministri.
“Ndërsa sa i përket zhurmës që është bërë për logo, Qeveria e Kosovës, delegacioni i Kosovës, nuk e ka ndonjë mandat sa i përket kësaj çështje. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe është në autoritetin e plotë të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës, ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike. Kështu që, kjo çështje nuk shtrohet për diskutim në Bruksel, dhe nuk është as në autoritetin e Qeverisë së Kosovës që të merr ndonjë vendim. Ne vetëm respektojmë vendimet e institucionit të pavarur të KQZ-së” ka deklaruar kryeministri Thaçi dhe ka theksuar se Qeveria e Kosovës do t’i jap mbështetje të plotë të gjitha vendimeve që i merr Komisioni Qendror Zgjedhor.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur besimin e plotë se gjatë ditëve në vijim Qeveria e Kosovës dhe spektri politik do t’i kryej të gjitha obligimet, duke e theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të gjitha institucionet e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim etnik.
“Janë zgjedhje që do të shënojnë një kapitull të ri për Kosovën, një kapitull definitivisht të suksesit, sepse do të organizohen zgjedhjet për herë të parë në gjithë territorin e Kosovës, ku do të marrin pjesë të gjitha komunitetet. Këtë përkushtim tonin do ta prezantojmë edhe në Nju Jork”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij të hyrjes.
Kryeministri Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar se pas Brukselit Delegacioni i Kosovës do të udhëtojë për në Nju Jork, ku në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, që do të zhvillohet të enjten do të prezantohet progresi i arritur i Kosovës në këta tre-katër muajt e fundit.
Qeveria e Kosovës, në vazhdim të mbledhjes, ka miratuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Strategjinë për Diasporën dhe Mërgatën, nëpërmjet të së cilës, me veprime konkrete, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të sigurojë avancim të të drejtave politike e sociale për diasporën. Strategjia gjithashtu synon të ruaj identitetin kulturor dhe gjuhësorë, të shmangë asimilimin dhe ta ndihmojë integrimin e diasporës sonë në vendet ku jetojnë. Objektivi i strategjisë është edhe lehtësitë ligjore dhe administrative për ata që dëshirojnë ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të atdheut të tyre.
Një nga synimet e strategjisë është edhe organizimi sa më i mirë i diasporës, duke e ndihmuar në rrjetëzimin e organizimeve të ndryshme të diasporës kosovare nëpër botë.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për mbështetjen financiare të shënimit të Ditës së komunitetit Boshnjak në Kosovë.
Duke vlerësuar anagzhimin shtesë dhe zgjatjen e orarit të punës, për përgatitjen e suksesshme të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, për të gjithë zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për lejimin e mjeteve shtesë në kategoritë paga dhe mëditje për këto institucione, me qëllim të kompensimit të tyre.
Me vendimin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, Ismail Osdautaj dhe Ujup Krasniqi janë propozuar edhe për një mandat në Bordin Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare të Pronës.
Me kërkesën e ministres së Integrimeve Evropiane është miratuar nisma për fillimin e dialogimit e marrëveshjes me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për asistencën zhvillimore.
