Prishtinë, 5 shkurt 2015
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të dymbëdhjetën me radhë. Në mbledhje janë shqyrtuar dhe miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, është aprovuar nga kabineti qeveritar dhe i njëjti do të procedohet për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar gjendjen emergjente në Republikën e Shqipërisë, pas vërshimeve të ditëve të fundit, ka aprovuar vendimin për dërgimin e një Kontingjenti të Forcës së Sigurisë për operacione humanitare në Republikën e Shqipërisë. Vendimi i është dërguar Presidentes së Kosovës për autorizim të operacionit sipas ligjit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin për themelimin e një Komisioni Ekzekutiv për shqyrtimin e mundësisë për faljen e borxheve të personave fizik dhe juridik, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës, deri më 31 dhjetor 2008. Komisioni brenda një muaji do të shqyrtojë të gjitha mundësitë dhe do t’i rekomandojë vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se ky vendim do të stimulojë edhe më shumë zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve në Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, në këtë përbërje:
1. Nazmi Zenelaj, Sekretar i Përgjithshëm në MZHE, Kryesues; 2. Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm në MAPL, anëtar; 3. Naim Baftiu, Sekretar i Përgjithshëm në MF, anëtar; 4. Kapllan Halimi, Sekretar i Përgjithshëm në MBPZHR, anëtar dhe 5. Shkëlzen Syla, Sekretar i Përgjithshëm në MFSK, anëtar;
Në vazhdim, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovimin e Katalogut të Vendeve të Punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin në Tabelat e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, me qëllim të përmbushjes së obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projektet kapitale shumëvjeçarë.
Me vendimin e aprovuar sot në mbledhje, është autorizuar ministri i Financave që të aprovoj transfere nga programi i Shpenzimeve të Paparashikuara për shumat individuale që nuk kalojnë njëzetmijë euro.
Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe vendimin për aprovimin e Koncept dokumentit për ngritjen e nivelit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i cili rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit ekzistues ose hartimin e ligjit të ri.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për plotësimin e vendimit për themelimin e Komisionit Qeveritar për privatizimin e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe furnizim me energji elektrike. Me ndryshimin e vendimit, komisioni ka këtë përbërje:
1. Ministri i Zhvillimit Ekonomik; kryesues
2. Ministri i Financave, anëtar
3. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, anëtar
4. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, anëtar
5. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, anëtar
Programit Legjislativ për vitin 2015 të Qeverisë së Republikës së Kosovës i është shtuar edhe hartimi i Projektligjit për përgjimet e komunikimeve elektronike, me vendimin e sotëm të kabinetit qeveritar. Ky ndryshim vjen si nevojë, pas kthimit nga Kuvendi i Kosovës në Qeverinë e Kosovës për ridraftim të Ligjit për Përgjimet e Komunikimeve Elektronike.
Me një vendim tjetër të miratuar nga kabineti qeveritar është autorizuar Dogana e Kosovës që të lejojë importin e lodrave duke u bazuara në dokumentin e konformitetit të lëshuar nga prodhuesi në vendin e prodhimit.
Qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e shtatë vjetorit të Pavarësisë në këtë përbërje:
1. Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Kryesues;
2. Përfaqësues, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;
3. Përfaqësues, Ministria e Punëve të Jashtme, anëtar;
4. Përfaqësues, Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;
5. Përfaqësues, Zyra e Kryeministrit, anëtar;
6. Përfaqësues, Zyra e Presidentes, anëtar;
7. Përfaqësues, Kuvendi, anëtar;
8. Përfaqësues, Komuna e Prishtinës, anëtar;
9. Kryetarët e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar;
10. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, anëtar; dhe 11. Përfaqësues të OJQ-ve.
Manifestimet do të mbështeten me 50 000 (pesëdhjetë mijë euro) nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Dhe Këshillin Organizativ për Manifestimin gjithë-popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila do të organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, më 5, 6 dhe 7 mars në këtë përbërje:
1. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kryesues;
2. Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, anëtar;
3. Përfaqësues, Komuna e Skenderajt, anëtar;
4. Përfaqësues, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, anëtar;
5. Përfaqësues, Ministria e Punëve të Jashtme, anëtar;
6. Përfaqësues, Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar.
7. Zyra e Presidentes, anëtar;
8. Kuvendi, anëtar;
9. Komuna e Prishtinës, anëtar;
10. Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar; 11. Asociacioni i Komunave të Kosovës, anëtar dhe 12. Përfaqësues të OJQ-ve.
Edhe ky manifestim do të mbështete me 50 000 (pesëdhjetë mijë euro) nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka informuar kabinetin qeveritar për vizitën e tij në Kroaci dhe takimet e zhvilluar në këtë vend. Në këto takime është biseduar, sipas ministrit Murati, për integrimin e diasporës kosovare në këtë vend dhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.
