U mbajt konferenca për prezantimin e gjetjeve të Anketimeve të Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë, me temë “Investimi në Fëmijë”


Image


Image

Prishtinë, 19 tetor 2015
 
Organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës, u mbajt të hënën në Prishtinë konferenca për prezantimin e gjetjeve të Anketimeve të Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë, me temë “Investimi në Fëmijë”.
 
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, para të pranishmëve tha se Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë, është një program ndërkombëtar për anketim nëpër familje, i zhvilluar nga UNICEF-i dhe i projektuar për të mbledhur të dhëna statistikisht të sakta dhe vlerësime ndërkombëtarisht të krahasueshme me treguesit kryesorë që janë përdorur për të vlerësuar gjendjen e fëmijëve dhe të grave në fushën e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes së fëmijëve, etj.
 
“Kjo është praktikë e mirë që siguron një mjet për të monitoruar progresin drejt qëllimeve për promovimin e mirëqenies së fëmijëve”, tha ai.
 
Zëvendëskryeministri Shala po ashtu theksoi se institucionet e Kosovës i gëzohen faktit që Kosova merr pjesë për herë të parë në këtë anketim dhe se përmes këtij procesi, janë mbledhur të dhëna për më shumë se 100 indikatorë, për të vlerësuar gjendjen e fëmijëve, grave dhe burrave.
 
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për realizimin dhe afirmimin e të drejtave të fëmijëve që ndërlidhen kryesisht me edukimin dhe shëndetin e nënave dhe të fëmijëve. Edukimi i fëmijëve dhe i brezave të rinj, janë në mesin e prioriteteve kryesore të Programit të Qeverisë, bashkë me punësimin dhe zhvillimin ekonomik”, tha Shala, duke shtuar se një program i tillë, me të dhëna të tilla të sakta dhe të krahasueshme, ua mundëson institucioneve dhe organizatave të ndryshme hartimin e politikave publike që adresojnë me saktësi dhe me efektivitet problemet me të cilat përballemi.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors