Prishtinë, 24 gusht 2015
Zyra e Prokurimit Publik në kuadër të ZKM-së, me respekt sqaron opinionin publik lidhur me artikullin e publikuar në mediat e shkruara dhe elektronike, i cili i referohet servisimit të një veture (BMW X5, i blinduar) të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në servisin e vetëm të autorizuar të BMW-së në Kosovë, Makcar, i cili menaxhohet nga z. Besnik Mustafa.
Sigurojmë opinionin dhe të gjithë taksapaguesit në Republikën e Kosovës se kjo procedurë është kryer në përputhje të plotë në dispozitat dhe kriteret e përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik, duke i kushtuar kujdes maksimal shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe se në përzgjedhjen e fituesit nuk kishte asnjë motiv tjetër.
Mbështetur në këto kritere, në konkurrencë edhe me dy operatorë të tjerë ekonomik konkurrues, në kushte të barabarta, ka rezultuar se operatori i përgjegjshëm, me çmimin më të lirë për shërbimin e kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të jetë kompania Makcar.
Për dijeni të opinionit, dy operatorët e tjerë ekonomik konkurrues kishin ofertuar me çmimet 3,480 Euro, përkatësisht 3,207 Euro, ndërsa operatori Makcar kishte ofertuar me çmimin 2,946 Euro dhe si rezultat ishte shpallur fitues.
Për këto dhe arsye të tjera të cilat mund të vërtetohen nga kushdo dhe në çdo kohë, japim garanci për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se përzgjedhja e operatorit fitues në rastin konkret është bërë në përputhje të plotë me ligjin dhe në interes të shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe nuk ka të bëjë asgjë me faktin se z. Besnik Mustafa, si pronar-menaxher i këtij operatori është djali i kryeministrit Isa Mustafa.