Prishtinë, 21 nëntor 2012
Fjalimi i znj. Edita Tahiri, zëvendëskryeministre dhe Kryesuese e Këshillit Nacional për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
Të nderuar të pranishëm
Qeveria e Republikës së Kosovës në programin e saj si prioritet ka respektimin e të Drejtave të Njeriut e veçanërisht të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Themelimi i Këshillit Nacional për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, si një nga mekanizmat më të fuqishëm në vend për personat me aftësi të kufizuar është shumë i rëndësishëm.
Kjo strukturë e lartë reprezentative dhe këshillëdhënëse, bashkëpunoj dhe lehtësoj komunikimin dhe koordinimin e politikave, programeve dhe proceseve në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, komunitetit të personave me aftësi të kufizuar, OJQ-ve, dhe shoqërisë civile në përgjithësi.
Për më tepër qëllimi i Këshillit Nacional mbi Aftësinë e Kufizuar është që të punoj për krijimin e mundësive të barabarta si dhe të siguroj që nevojat dhe interesat e personave me aftësi të kufizuar të merren gjithmonë parasysh kur Qeveria sjell vendime për diç që ndikon në gjendjen e personave me aftësi të kufizuar.
Puna, përkushtimi dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe bashkëpunimi dhe partneriteti me vendet e tjera në respektimin e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës tregojnë hapat që po bëhen me të gjitha mënyrat dhe mjetet që ne të krijojmë një shoqëri ku respektohen të drejtat e njeriut në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Një nga të arriturat dhe hapat konkret është hartimi i draft Strategjisë dhe Planit Nacional të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara i cili është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Zyrës së Kryeministrit/Zyrës për Qeverisje të Mirë, ekspertëve italian nga Italian Cooperation dhe punës së përbashkët me përfaqësues institucionesh nga niveli qendror dhe lokal, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe agjencitë vendore e ndërkombëtare.
Zyra për Qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, është një mekanizëm shumë me rëndësi dhe ka fuqishëm përkrahjen politike për të koordinuar dhe monitoruar procesin e zbatimit të Strategjisë dhe Planit Nacional për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju ftoj të gjithë juve që të vazhdojmë të punojmë dhe bashkëpunojmë në ngritjen e një shoqërie ku çdo individ ka mundësi të barabarta në mirëqenie, shkollim, përgatitje profesionale dhe punësim. Në këtë mënyrë personat me aftësi të kufizuara nuk do të jenë të anashkaluar por, cilësia e jetës së çdo individi do të jetë në qendër të vëmendjes të të gjithë shoqërisë.
