Shoqata “Nënë Tereza” dhe Materniteti në Kodrën e Trimave simbol i humanizmit, solidaritetit dhe rezistencës


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 9 dhjetor 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Maternitetit në Kodrën e Trimave.
 
Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga personalitete të shumta publike, përfaqësuesit e Shoqatës “Nënë Tereza”, mjekët e punonjësit e tjerë shëndetësorë që vepruan në këtë Maternitet dhe qytetarë të shumtë të Prishtinës, fillimisht ka bërë zbulimin e pllakës përkujtimore të objektit të Maternitetit dhe më pas mori pjesë në manifestimin solemn që u mbajt në këtë përvjetor jubilar.
 
Pas ceremonisë së zbulimit të pllakës, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga Don Lush Gjergji, kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” dhe doktori Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, vizituan ambientet e ndërtuara në shtëpinë e z.Shaban Sfirca në Kodrën e Trimave, ku ishin ofruar shërbimet shëndetësore.
 
Kryeministri Isa Mustafa, para të pranishmëve në manifestimin qendror foli për rolin e Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Tereza” dhe Maternitetit në Kodrën e Trimave.

“Në vitet e ’90-ta, u themelua një organizatë unike, e cila parimin e solidaritetit, bamirësisë dhe ndihmës, e ngriti në shkallën më të lartë, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, “Nënë Tereza”, që për një kohë rekorde krijoi me dhjetëra degë dhe qindra nëndegë, duke përfshirë kështu me qindra mijëra aktivistë dhe vullnetarë në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, duke folur më gjerësisht për organizimin e një sistemi të ndihmave nga diaspora, nga brenda Kosovës dhe nga organizatat humanitare nga mbarë bota.

Kryeministri Mustafa, më tej tha se një pjesë të veçantë të kësaj historie të bujshme por edhe unike do të jetë hapja e Maternitetit në vitin 1996 në Kodrën e Trimave, në një objekt që enkas për këtë e ndërtoi veprimtari Shaban Sfirca.

“Nga kjo kohë, Materniteti gjeti përkrahjen e bashkatdhetarëve tanë, e gjeti përkrahjen e qytetarëve, përkrahjen e lagjes së Kodrës së Trimave dhe përkrahjen e popullit të Kosovës. Puna e tyre e pashoq e profesioniste, sjellja njerëzore bëri që Kosova në tmerret e dhunës dhe të okupimit të organizoj një fushë të veçantë të kujdesit shëndetësor. Materniteti në Kodrën e Trimave është simbol i lindjes së mbi 10 mijë foshnjave, sot u dha 12 mijë e 500, që sot janë burra e gra të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar rolin e Shoqatës “Nënë Tereza” në proceset historike të asaj periudhe.
 
Kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, Don Lush Gjergji, tha se parimi bazë i Shenjë Terezës sonë ishte “kudo që jeta është në rrezik aty duhet te jemi ne”, e ky parim u shndërrua në një betim as të fikur, as të koritur.

“Kështu Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, u mundua që jetën dhe veprën e Nënë Terezës ta nderoj, popullin tonë dhe gjithë njerëzit t’i ndihmoj, t’i afroj dhe bashkoj në një solidaritet të pashoq në këto hapësira”, tha Don Lush Gjergji.

Duke folur për punën në këtë Maternitet, Don Lush Gjergji tha se nëpërmjet shërbimeve shëndetësore është mbrojtur jeta e qytetarëve të kërcënuar dhe të rrezikuar, sidomos të nënës dhe të fëmijës.

“Mjekët dhe personeli shëndetësor me punë dhe orvatje të jashtëzakonshme ishin natë e ditë në mbrojtje të jetës, nëpërmjet asistimeve të lindjes së nënave dhe të fëmijëve të tyre, në kushte minimale, por me përkushtim dhe dashuri optimale”, tha Gjergji.
 
Dr. Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, kujtoi punën e palodhshme të punëtorëve shëndetësor për t’i dalë në ndihmë qytetarëve anembanë Kosovës, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat ata përballeshin. 

Ai theksoi përkushtimin e punëtorëve shëndetësor, sidomos të gjinekologëve, të cilët punonin në punkte shëndetësore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, ku ofronin vizita dhe shërbime tjera gjinekologjike e obstetrike.

Hoxha foli edhe për historikun e këtij Materniteti, duke theksuar se deri në fund të vitit 1996 ishin kryer 1198 lindje, në vitin 1997 ishin kryer 3574 lindje, më 1998 ishin kryer 6402 lindje, ndërsa në periudhën nga 1 janari deri më 28 mars 1999 kur u mbyll Materniteti nga forcat policore, ishin kryer edhe 1342 lindje, ndërkaq, deri më 28 mars 1999 kur edhe u mbyll materniteti janë kryer 12.482 lindje.
 
Ish-koordinatori kryesor i Shoqatës dhe Maternitetit, Palok Berisha, theksoi vullnetin, dëshirën dhe gatishmërinë e gjithë punonjësve shëndetësorë që atë kohë bënin të pamundurën për t’i dalë në ndihmë popullatës.

“Lëvizja jonë ishte një shprehje e paparë e bashkimit të mundësive për të vepruar si një njeri. Na bashkoi një ide, një motiv, një qëllim, të ndihmojmë njerëzit në nevojë dhe që sado pak të zbusim vuajtjet e mijëra njerëzve anembanë Kosovës në momentet kur rreziku nga shfarosja ishte real”, tha ish-koordinatori Berisha.
 
Shaban Sfirca, pronari i shtëpisë që u shndërrua në Maternitet i falënderoi punëtorët shëndetësorë për punën e bërë dhe banorët e Lagjes “Kodra e Trimave”, të cilët kishin ofruar mbrojtje dhe mbështetje për personelin shëndetësor dhe për popullatën.

“Kjo ngjarje më kujton ditën kur Presidenti Historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2002 e zbuloi pllakën në hyrje të shtëpisë, e cila po ashtu ishte shndërruar në spital, në të cilën punoi dr. Gani Demolli me mjekë e me infermiere”, tha Sfirca.
 
Në fund të këtij manifestimit u ndanë mirënjohje për një pjesë të atyre që punuan dhe kontribuuan në forma të ndryshme në këtë Maternitet.
 
Në manifestim, të pranishëm ishin ministrat Hykmete Bajrami, Imet Rrahmani, Arban Abrashi, deputetë të Kuvendit, mjekë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë të cilët me punën e tyre kontribuuan në hapjen dhe mbarëvajtjen e këtij Materniteti, duke u dalë në ndihmë popullatës përmes ofrimit të shërbimeve.

Fjala e plotë e Kryeministrit në manifestim.
 
20 vjet janë një periudhë e shkurtër për vendet të cilat kanë krijuar një histori të gjatë të ndryshimeve të tyre, por për Kosovën 20 vjet, sidomos këto të fundit, e shënojnë një periudhë të ndryshimeve shekullore.

Janë vitet në të cilat provuam kujdesin shëndetësor në shtëpi private, nën pronësinë e solidaritetit të plotë të qytetarëve dhe të solidaritetit kombëtar. Janë vitet e ndërtimit të një shëndetësie në një shtet të pavarur në Republikën e Kosovës, ndryshime epokale. Janë këto vite, ku disa që jeni këtu sot u shkolluat në shtëpi-shkolla dhe vite në të cilat tani po arsimohen të rinjtë tanë në ndërtesa të ndërtuara me Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe atyre universitare të Republikës së Kosovës. Janë disa nga ata që kanë lindur në objektet për të cilat ne sot po flasim dhe të cilët sot janë mjekë, profesorë dhe gjenden në elitën intelektuale dhe shkencore e profesionale të Kosovës. Janë vite, në të cilat në mënyrën më të vrazhdë ne e provuam dhunën, eksodin, vrasjet, plaçkitjet, vitet e rezistencës paqësore, të luftës së UÇK-së, vite të shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në këtë fokusim vitesh, ne sot shënojmë një përvjetor të një vepre humanitare dhe historike, të një frymëzimi popullor dhe patriotik të një sakrifice sublime. Vepër kjo, e cila meriton të shënohet me shkronja të arta në historinë tonë të re.

Vitet e ’90-ta, kur Kosova kalonte fazën e tmerrshme të zhbërjes institucionale, persekutimeve të përditshme dhe të largimit të njerëzve nga puna e arsimi, nga shëndetësia dhe organizatat punuese, erdhi një përgjigje e shpejtë, e fortë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, një sistem i tërë i rezistencës u krijua si platformë e qartë dhe në mënyrë brilante u udhëhoq nga Presidenti ynë historik, Ibrahim Rugova.

Në vitet e ’90-ta, u themelua një organizatë unike, e cila parimin e solidaritetit, bamirësisë dhe ndihmës, e ngriti në shkallën më të lartë, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, “Nënë Tereza”, që për një kohë rekorde krijoi me dhjetëra degë dhe qindra nëndegë, duke përfshirë kështu me qindra mijëra aktivistë dhe vullnetarë në Kosovë.

Shoqata “Nënë Tereza” dëshmoi angazhim të pashoq, mblodhi rreth vetes njerëz të vullnetit të mirë, me autoritet të madh dhe me ndikim si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj. U organizua një sistem i ndihmave nga diaspora, nga brenda Kosovës dhe nga organizatat humanitare nga mbarë bota.

Ishte koha kur njerëzit ndihmonin të varfrit, kur familjet ndihmonin familjet, ndërkaq populli rezistonte falë rritjes së besimit dhe vetëbesimit dhe falë ekzistencës së moralit të lartë.

Shoqata do të arrinte kulmin e vetë të angazhimit gjatë viteve 1997 dhe 2000, kur të gjitha organizatat me nam botërorë kishin një adresë: Shoqatën “Nënë Tereza”. Ishte kjo koha kur Shoqata organizonte projektet më të mëdha së bashku me qytetarët e Kosovës, me përkrahje të Presidentit Rugova, Qeverisë e cila vepronte në ekzil dhe të gjithë veprimtarëve dhe patriotëve tanë.

Kujtojmë sot edhe doktor Gani Demollin, një mjek dhe veprimtar i cili drejtoi hapjen dhe funksionimin e rreth 100 ambulancave anembanë Kosovës, në të cilat u angazhuan mijëra mjek, infermier, infermiere, duke marrë kujdesin shëndetësor për popullatën, përmes ofrimit të kontrolleve shëndetësore, këshillave mjekësore, trajtimeve specialistike si dhe përmes sigurimit të barnave falas për qytetarë.

Një pjesë e veçantë e kësaj historie të bujshme por edhe unike do të jetë hapja e  Maternitetit në vitin 1996 në Kodrën e Trimave, në një objekt që enkas për këtë e ndërtoi veprimtari Shaban Sfirca, dhe nga kjo kohë Materniteti gjeti përkrahjen e bashkatdhetarëve tanë, e gjeti përkrahjen e qytetarëve, përkrahjen e lagjes së Kodrës së Trimave dhe përkrahjen e  popullit të Kosovës.

Puna e tyre e pashoq e profesioniste, sjellja njerëzore bëri që Kosova në tmerret e dhunës dhe të okupimit të organizoi një fushë të veçantë të kujdesit shëndetësor.

Materniteti në Kodrën e Trimave simbolizon lindjen e mbi 10 mijë foshnjave, sot u dha 12 mijë e 500, që sot janë burra e gra të Kosovës, disa prej të cilëve besoj se janë mjeke dhe mjek në Kosovë, që vazhdojnë traditën e shkëlqyer të profesorëve të tyre që sot i kemi këtu, të atyre që u kujdesën më së shumti për shëndetin e Kosovës.

Dua të shtoj se tregimi për Shoqatën “Nënë Tereza”, për solidaritetin, dinjitetin, vetëbesimin dhe organizimin lidhet në nyje me një vepër të madhe të lirisë dhe pavarësisë, si dëshmi e fuqishme e forcës dhe  rezistencës për të mbijetuar dhe për të arritur objektivin madhor shtetëror dhe kombëtar.

Këtë vit në Vatikan derisa bëhej shenjtërimi i të madhes Nënë Tereza, më dukej se po shenjtërohej çdo vepër e saj veç e veç dhe çdo njeri që me të ose në emër të saj veproi për njerëzimin dhe me njerëzimin. Kjo figurë e ndritur ishte shenjë dalluese, e Shoqatës “Nënë Tereza”, ishte engjëlli i mbrojtjes së saj edhe në atë periudhë shumë të rëndë.

Si kryeministër i vendit por edhe si njeri që për 9 vjet qëndroi në ekzil në Qeverinë e atëhershme dhe patëm një bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën “Nënë Tereza”, sot mburrem me veprën e madhe të njerëzve të kësaj shoqate, sepse ata lanë gjurmë të pashlyeshme në shumë familje, te shumë njerëz, ndërtuan një histori të veçantë të Kosovës, një histori të shëndetësisë, të humanizmit, të solidaritetit dhe të rezistencës.

Unë jam mirënjohës ndaj të gjithë atyre që vepruan në këtë shoqatë, që vepruan në atë kohë shumë të vështirë, që veprojnë edhe më tutje në interes të qytetarëve të Kosovës, prandaj respektin tim në këtë moment e shpreh posaçërisht ndaj atyre që punuan në Maternitet.

Ju faleminderit shumë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors