Në takimin e radhës së Këshillit Ndërministror për Ujërat u aprovua Politika e Qeverisë për Ujëra dhe iu dërgua Kabinetit Qeveritar për miratim
I udhëhequr nga Zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, Këshilli Ndër-Ministror për Ujërat në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbajti takimin e katërt të radhës. Në këtë takim merrnin pjesë Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani si dhe zëvendësministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli. Në takim ishin prezent edhe Drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, z. Markus Baechler dhe nga Ambasada e Luksemburgut z. Pierre Weber.
Në takimin e katërt Këshilli aprovoi Politikën e Qeverisë për Ujëra dhe vendosi që t’ia dorëzojë Kabinetit Qeveritar për miratim. Gjithashtu iu sugjerua Sekretariatit të Këshillit që ta finalizojë Strategjinë për Integrimin e Sistemeve Rurale të Ujësjellësit në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përkatëse dhe t`ia paraqes Këshillit për aprovim.
Po ashtu u raportua për aktivitetin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Menaxhimin e Thatësisë, të themeluar kohë më parë nga Këshilli, konkretisht mbi punimet rreth transferimit të ujit nga Ujmani në Badovc. Me këtë rast u theksua se vazhdojnë punimet intensive rreth pastrimit të Kanalit Ibër – Lepenc dhe zëvendësimi i gypit përballë minierës së Kishnicës. Gypi pritet të lëshohet nga java e ardhshme, pasi që të bëhen analizat për cilësinë.
Gjithashtu u raportua mbi aktivizimin e puseve në Llukar që do të zvogëlojnë ngarkesën në liqenin e Batllavës, si dhe në Gërmi që do lehtësojnë gjendjen në Badovc. Njëkohësisht janë duke u bërë hulumtime mbi burime tjera alternative për sigurimin e ujit të pijshëm. Reshjet e fundit kanë ndikuar pak në ngritjen e nivelit. Po ashtu, u vendos që të merren masa më të rrepta për mbrojtjen e liqenit të Batllavës. Këshilli vlerësoi kontributin e institucioneve qendrore, të Komunës së Prishtinës, Kompanisë Rajonale të Ujit – Prishtina dhe Kompanisë Ibër-Lepenc, si dhe komunitetit të donatorëve.
