Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, të 132-tën me radhë


Image


Image


Image

Prishtinë, 28.05.2013

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka aprovuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së parë Ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në mbledhje është aprovuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave.

Kryeministri Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes ka theksuar se me miratimin e marrëveshjes nga ana e të dy qeverive janë krijuar kushtet për ratifikim ligjor dhe kushtetues të marrëveshjes. Prandaj, ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi, miratimi dhe procedimi i këtij projektligji për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nënshkrim nga Presidentja, hapë rrugën e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje nga institucionet e Kosovës dhe nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX, nga KFOR-i dhe nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Në vazhdim kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përafruar më 19 prill 2013 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë, miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 22 prill, 2013 dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 22 prill, 2013.

Projektligji ratifikon gjithashtu edhe  Planin e Zbatimit për këtë marrëveshje, përafruar më 22 maj 2013 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë, miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 24 maj, 2013.

Ky ligj do të zbatohet nga institucionet e Republikës së Kosovës, me ndihmën e Bashkimit Evropian, KFOR-it dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ligji hyn në fuqi menjëherë pas shpalljes së tij nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave, i aprovuar sot në mbledhjen e qeverisë,  përcakton ndryshimet e kufijve administrativ të komunave të Republikës së Kosovës. Çështjet të cilat janë adresuar në ndryshimin dhe plotësimin e këtij Projekt-ligji ndërlidhen me ndryshimin e kufijve administrativ të komunës së Gjakovës dhe Prizrenit.

Projekt-ligji për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave përcakton zonat kadastrale të komunës së Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe përcaktimin e zonave kadastrale të komunave të reja, Komunës së Rogovës dhe Komunës së Gjonajve.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors