Qeveria e Republikës së Kosovës miraton vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë, përfituesit e skemave sociale dhe pensionistët


Image


Image

Prishtinë, 10.03.2014
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Hashim Thaçi ka miratuar vendimin e paralajmëruar për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik, përfituesit e skemave sociale dhe pensionistët. Rritja për të gjithë do të jetë njëzet e pesë për qind (25%), përjashtimisht për ish-minatorët e “Trepçës”, ku rritja do të jetë pesëdhjetë për qind (50%). Rritja do  të fillojë me pagat e muajit prill të këtij viti.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se rritja e pagave do të jetë ogur i mirë për dyqind e katërdhjetë mijë familje kosovare, buxheti i të cilave do të jetë më i mirë dhe jeta e tyre do të përmirësohet. Kjo është pjesë e angazhimit të përbashkët e kabinetit qeveritar dhe e partnerëve qeverisës, ka thënë kryeministri Thaçi.
 
Në vijim po japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në mbledhjen e Qeverisë:
 
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
I nderuar kabinet qeveritar,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 
Siç edhe kemi paralajmëruar sot Qeveria e Republikës së Kosovës do të marrë një vendim të rëndësishëm, në vazhdën e vendimeve që përherë kanë pasur qëllim interesat e gjëra të qytetarëve dhe qëllimet madhore të vendit tonë.
 
Gjatë kësaj periudhe së bashku kemi kaluar nëpër suksese të pamohueshme dhe nëpër sfida të rëndësishme, të cilat na kanë bërë më të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona institucionale.

Të mos harrojmë se në fillim të vitit 2008, kemi punuar maksimalisht që të kemi projekte sa më të qarta për t’i realizuar hap pas hapi.
 
Hapi i parë dhe më i rëndësishëm i punës së Qeverisë ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në koordinim më bashkësinë ndërkombëtare. Pastaj, fillimi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik ishte hapi tjetër në drejtim të forcimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.

Sot shtetet më të fuqishme të botës e kanë njohur Kosovën, janë 106 shtete që na kanë njohur, dhe kemi hapur një perspektivë të sigurt për të ardhmen integruese për në NATO, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
 
Legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës e shpalli edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke shënuar një fitore të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, ndërkaq në saje të punës së mirë dhe të përgjegjshme të institucioneve  tona në shtator të vitit 2012 arritëm që me sukses të plotë të përmbyllim edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë.
 
Kosova u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe arriti të drejtën e pjesëmarrjes në takime rajonale dhe ndërkombëtare.
 
Kosova brenda kësaj periudhe përmbushi parakushtet edhe për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për procesin e Stabilizim –Asoccimit, si hap i parë drejt integrimeve euroatlantike, duke shënuar rezultate edhe në drejtim të liberalizimit të vizave dhe tani kemi edhe konfirmimin për rekomandim nga euro deputetet Lunaçek dhe Fajon.
 
Në këtë periudhë kohore duke punuar maksimalisht të gjithë arritëm të rrumbullakojmë edhe krijimin e institucioneve tona qendrore që kulmoi me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që Forcën e Sigurisë së Kosovës ta shndërrojmë në Forca të Armatosura të Kosovës, pra në Ushtri të Kosovës, si dhe të formojmë edhe Ministrinë e Mbrojtjes.
 
Janë marrë edhe shumë vendime tjera të rëndësishme, për të cilat dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve. Në këtë rekapitullim të mos harrojmë se në kohën kur filluam punën kemi pasur edhe probleme, edhe vështirësi, edhe pengesa të ndryshme. Pra, kemi bërë investime të ndryshme në të gjitha sferat e jetës institucionale për të ndryshuar rendin për të mirë, por edhe për të rritur mirëqenien sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
 
Unë dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për mirëkuptimin që keni treguar gjithmonë në vendimet jo të lehta që kemi marrë. Dëshiroj t’i falënderoj partnerët e koalicionit që jemi këtu, zëvendëskryeministrin Behxhet Pacolli, zëvendëskryeministrin Bujar Bukoshi, falënderoj ministrin Ferid Agani, ministrin Mahir Jagxhillar, falënderoj zëvendëskryeministrin Slobodan Petroviç, falënderoj të gjithë mbështetësit e punës sonë që kemi bërë.
 
Prandaj, edhe sot vendimi që kemi marrë për rritjen e pagave është vendim i përbashkët i partnerëve të koalicionit, është vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 
Sot propozojmë që të nxjerrim vendimin për rritjen e pagave që i prek rreth 240 mijë familje në Kosovë. Pra, rritja e pagave për të gjithë shërbyesit publik që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës, numri i përgjithshëm i përfituesve është 80 mijë e 475 nëpunës publikë.

Në kuadër të kësaj rritje do të përfitojnë mësuesit, profesorët e shkollave të mesme, profesorët universitarë, akademikët, institutet shkencore, punëtorët shkencorë, familjet e dëshmorëve, policët, pjesëtarët e FSK-së, TMK-së, gardianët, zjarrfikësit, inspektorët policorë, pylltarët, shërbyesit civilë, infermierët, mjekët, specialistët, doganierët, inspektorët tatimorë, auditorët e ZAP-it, auditorët e brendshëm, prokurorët, prokurorët specialë, gjykatësit, artistët dhe të gjithë kategoritë tjera.
 
Rritja për nëpunësit/shërbyesit publikë do të jetë 25 për qind e rrogës bazë. Rritja e beneficioneve për kategorinë e pensioneve numri i përgjithshëm i përfituesve është 66 mijë 671 përfitues. Në kuadër të kësaj rritje do të përfitojnë personat me aftësi të kufizuar, pensionistët, pensionet bazë të kontribut dhënësve, pensionistët e pjesëtarëve të FSK-së, pensionistet minatorë të Trepçës, pensionistët e përkohshëm të TMK-së, pensionistët invalidë të luftës.

Personat me aftësi të kufizuar 17 mijë e 450, invalidët e luftës 8 mijë e 780, minatorët pensionistë të Trepçës 4 mijë e 65, pensionistët e parakohshëm të TMK-së 531, pensionet bazë të kontribut dhënësve 35 mijë e 638, pensionet e pjesëtarëve të FSK-së, 237 të gjitha këto rritje do të jenë 25 për qind më përjashtim të pensioneve të minatorëve të Trepçës  që do të jenë 50 për qind.

Ndërsa, gjithashtu edhe për familjet e dëshmorëve, familjet e të pagjeturve do të jetë 25 për qind, ndërsa rritje do të ketë edhe për pensionistët e moshës  që janë 90 mijë që do të jetë gjithashtu 25 për qind.

Kjo rritje e pagave dhe pensioneve do t’i prekë  240 mijë familje kosovare.
 
Gjithashtu sa i përket të përndjekurve politikë apo të burgosurve politikë, numri i përgjithshëm i përfituesve do të jetë 4 mijë e 197, sipas raportit të Komisionit Qeveritar i cili nuk është miratuar ende në Qeveri. Kjo kategori përfituese  do të përfitoj nga vendimi i Qeverisë kompensimin e gjithë përfituesve potencialë për periudhën pesë vjeçare.

Gjithashtu, do të përfshihen edhe beneficione nga Ligji për Veteranët e luftës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors