Prishtinë, 16 dhjetor 2015
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti të mërkurën mbledhjen e 64-të, ku miratoi disa projektligje dhe mori vendime të tjera të rëndësishme.
Fillimisht, u aprovua një deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian mbi zgjerimin.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Isa Mustafa, tha se është punuar shumë që nga shtatori e këndej me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për t’i përmbushur edhe rekomandimet e fundit të cilat kanë mbetur për liberalizimin e vizave, duke sqaruar se ato kanë qenë rekomandime e jo kritere.
“Kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Prokurorinë e Shtetit, me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me Ministrinë e Punëve të Jashtme, me Ministrinë e Financave, me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, në mënyrë që t’i përmbushim të gjitha, dhe të gjitha i kemi arrit. Çështjet e percepcionit për disa fusha të caktuara, mbesin çështje tjera të cilat ne nuk mund t’i matim me parametra dhe të themi se ato janë përmbushur apo nuk janë përmbushur, sepse janë çështje të perceptimit, por si rekomandime ne i kemi përmbushur të gjitha, dhe vlerësojmë se nuk ka asnjë arsye që Bashkimi Evropian të mos jap rekomandime lidhur me liberalizimin e vizave. Çështjet teknike i kemi përmbushur. Vendimi është vendim politik. Është vullnet politik i Bashkimit Evropian që duhet ta shpreh edhe ndaj Kosovës, ashtu siç e ka shprehur ndaj vendeve tjera në Ballkanin Perëndimor, që edhe ne të lëvizim pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim. Është një marrëveshje e rëndësishme për ne, një perspektivë e hapur evropiane, por e cila nuk e ka vlerën, dhe nuk e ka domethënien në qoftë se ekonomia jonë mbetet ekonomi e izoluar, dhe në qoftë se qytetarët tanë mbesin qytetarë të izoluar. Bashkëpunim tregtar dhe bashkëpunim ekonomik në vendet e Bashkimit Evropian nuk ka në qoftë se bizneset tona janë biznese të izoluara, dhe në qoftë se qytetarët tanë janë qytetarë të izoluar. Mbetet vetëm një dokument në letër, i cili nuk e ka asnjë vlerë të mirëfilltë në implementimin dhe realizimin e saj. Ne, po ashtu, jemi të ndërlidhur me shumë procese të bashkëpunimit euroatlantik për të cilat foli edhe zëvendëskryeministri Thaçi, për të cilat na nevojitet besimi i qytetarëve tanë dhe bindja e qytetarëve tanë se Bashkimi Evropian ka qasje pozitive ndaj tyre, dhe i dëshiron ata të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe nuk shohim ne asnjë arsye që Bashkimi Evropian të mos t’i dëshiroj vetëm qytetarët e Kosovës që ata të jenë të barabartë në lëvizje me qytetarët e tjerë. Në qoftë se dikush mund t’i argumentojë Kosovës nga Bashkimi Evropian se ne kemi diçka që dallojmë nga qytetarët tjerë të Ballkanit Perëndimor, dhe se ne duhet të jemi të diferencuar nga ata, atëherë duhet të na thotë, por një vlerësim të tillë e kam të sigurt se nuk mund ta bëjë asnjëri në këtë demokraci evropiane dhe në këtë pasuri të vlerave demokratike evropiane ndaj qytetarëve tanë. Unë, sot, e kam pasur një bisedë edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, me z. Zhbogar. Më ka njoftuar se dokumenti i cili është dhënë dje nuk është dokument i cili vlerëson çështjet e liberalizimit të vizave. Është dokument i cili është i lidhur me zgjerimin, dhe se vlerësimi lidhur me plotësimin e kushteve për liberalizim do të jepet së shpejti, në ditët në vijim. Dhe po ashtu i kam shpreh edhe shqetësimet dhe brengosjen tonë lidhur me vonimin e këtij procesi dhe kërkesën që Bashkimi Evropian të vendos në mënyrë të drejtë, të merr vendim të drejtë politik sa i përket liberalizimit të vizave. Ne mund të jetojmë edhe pa liberalizim, por do të jetojmë shumë më keq sesa që jetojnë qytetarët e tjerë, sepse do të jemi të privuar nga një e drejtë themelore. Në qoftë se Bashkimi Evropian angazhohet për lëvizjen e lirë të qytetarëve këtu, edhe ne kemi bërë çdo gjë që qytetarëve tanë t’ju sigurojmë lëvizje të lirë, atëherë pse Bashkimi Evropian e pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian. Ne demokracinë nuk e shohim si demokraci të standardeve të dyfishta. Standardet duhen të jenë të njëjta si në nivel të një shteti, ashtu edhe në nivel të këtij kontinenti ku ne jetojmë. Dhe unë ju ftoj që ta përkrahim deklaratën e Qeverisë, që është e ndërlidhur me këtë dhe po ashtu ju ftoj që së bashku si Qeveri të bëjmë apel te Bashkimi Evropian, në mënyrë që të jetë i drejtë ndaj këtij procesi për të cilin ne kemi punuar gjatë, i kemi përmbushur detyrimet tona dhe presim me të drejtë që në vitin e ardhshëm ne do të lëvizim pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, duke e përkrahur në tërësi deklaratën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka shprehur disa opinione jashtë kornizave të deklaratës që është diskutuar edhe më herët në kabinetin qeveritar, edhe me kryeministrin, dhe tërë ekipi që ka punuar këmbëngulësisht në realizimin e të gjitha standardeve dhe kritereve për nënshkrimin e MSA-së, duke e vlerësuar si një sukses të jashtëzakonshëm për Kosovën. “Natyrisht se do të ishte me rëndësi jetike për Kosovën që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi sa më shpejt që është e mundur dhe të filloj së zbatuari. Është një vonesë e panevojshme që po ndodhë, por ka qenë jashtëzakonisht sukses i madh për vitin 2015. Tani, Kosova ka implementuar në tërësi të gjitha kriteret për rekomandim për liberalizimin e vizave. Prandaj, natyrisht duke marrë parasysh edhe rrethanat e reja të krijuara në Kosovë, duke marrë parasysh zbatimin e plotë të të gjitha kritereve dhe standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian në raport me Kosovën, mund të them lirisht se ndonjëherë janë kërkuar standarde më të tepërta për Kosovën, se sa për krejt vendet tjera të rajonit në këtë fazë të procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe rekomandimit për liberalizimin e vizave. Këtu duhet t’i jap një kredi të madhe edhe Qeverisë së Kosovës, të gjitha ministrive, dikastereve të ndryshme, Parlamentit të Kosovës, Presidencës, të gjitha strukturave institucionale të vendit tonë. Kosova ka kryer me përgjegjësinë më të lartë edhe këtë vit të gjitha përgjegjësitë që i ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare. Bile edhe më tepër, më shpejt dhe më mirë se sa që ka pritur edhe vetë bashkësia ndërkombëtare. Ky, gjithashtu, është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, në këtë frymë ne kemi mbajtur disponimin, optimizmin, shpresën dhe besimin e qytetarëve të Kosovës, mund të them lirisht me përqindjen më të lartë nga të gjitha vendet e rajonit, pro Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sepse është rruga e vetme, qëllimi i vetëm, vizioni i vetëm i yni. Dhe nuk ka qytetarë në rajon që janë më pro Bashkimit Evropian, se sa qytetarët e Kosovës. Jo vetëm nga nevoja, por edhe nga mishërimi me vlerat e civilizimit evropian dhe se jemi evropianë. Por e tërë kjo nuk duhet të jetë vetëm në relacion platonik në mes të qytetarit dhe institucioneve të Kosovës dhe Brukselit. Prandaj, e ritheksoj edhe sot, duke e mbështet në tërësi deklaratën, kjo paqartësi e këtyre ditëve e Brukselit, paraqet një vonesë absurde në raport me rekomandimin për liberalizimin e vizave. Unë jam i vetëdijshëm se kjo do të ndodhë ose në fund të këtij viti ose në javët e para të vitit të ardhshëm, por është plotësisht i padrejtë ky hezitim në raport me Kosovën. Duhet të theksoj se kjo vonesë në të njëjtën kohë po paraqet edhe rreziqe të ndryshme edhe për Kosovën. Pikë së pari, duke nxitur elemente të radikalizmit edhe fetar, për të shfrytëzuar këtë vonesë evropiane në raport me Kosovën, po nxit dhe po shfrytëzohet edhe prej ekstremizmit politik, me idetë por edhe me projektet që s’janë në përputhshmëri me vlerat euroatlantike të Kosovës. Në të njëjtën kohë, po nxit dhe po rrezikon migrimin e ri të qytetarëve të Kosovës drejt kryeqendrave të Evropës. Pastaj përsëri Kosova po paguan çmim. Ne kemi arrit sukses të madh në fillim të vitit kur ndodhi ai migrim i paligjshëm i qytetarëve, me fushatën tonë të drejtë informuese kudo, për të ndaluar këtë proces dhe për të filluar rikthimin e qytetarëve të Kosovës. Dhe sot, ky sukses i Kosovës shfrytëzohet si argument jashtëzakonisht i madh edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Në të njëjtën kohë, kjo vonesë e padrejtë e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, po rrezikon dhe vonon edhe procese të rëndësishme për fqinjësinë e mirë të Kosovës me vendet e rajonit, në veçanti në normalizimin e marrëdhënieve të plota me Serbinë, për zbatimin e të gjitha atyre marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe vazhdimin e këtij procesi. Në njërën anë kërkohet dialog, dhe në anën tjetër, përpos anëtarëve të atij delegacioni, qytetarët e atij vendi janë të privuar nga e drejta për të lëvizur në Evropë. Nuk është e mjaftueshme që vetëm bartësit e institucioneve të kenë në pasaportat e tyre viza, kur nuk ka studenti, nuk ka punëtori, nuk ka biznesmeni, nuk ka qytetari i thjeshtë. Kjo është thirrje e Qeverisë së Kosovës që duhet t’i bëjë ndërgjegjes evropiane në Bruksel, në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës, në raport me evropianët më të rinj. Andaj, dëshiroj të theksoj se jemi ballafaquar këto ditë me reagime të ndryshme. Unë jam njëri prej njerëzve që më së tepërmi kam avokuar për këto procese, në shtatë vitet e fundit si kryeministër i vendit, dhe tash si zëvendëskryeministër, dhe ministër i Jashtëm dhe në mbështetje të plotë të agjendës që e kemi, që e ka kryeministri, që e ka Qeveria e Kosovës, institucionet e vendit. Por, në të njëjtën kohë, kjo shpresë e Brukselit në raport me Kosovën nuk duhet të jetë shpresë e thatë, por duhet të jetë një vendim substancial që ndërlidhet direkt me interesat e qytetarëve të Kosovës. Përndryshe, secili qytetarë i Kosovës mund të troket në kryeqytetet rajonale për dyshtetësi dhe pasaportë me vizë. Çdo serb mund të troket në Beograd. Çdo shqiptar mund të troket në Shkup, mund të troket në Tiranë, me të drejtë të plotë, në bazë të së drejtës kushtetuese për dy shtetësi.
Dhe pastaj kush po mbetet pa viza në Kosovë? Një grumbull i vogël i njerëzve. Kjo do të nxit edhe reagime të ndryshme pastaj në agjendat politike që mund të lëndojnë këtë konsensus politik dhe qytetarë për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Kjo mund të paraqes pasoja edhe për sigurinë dhe stabilitetin. E përsëris, çmimin e paguajmë ne, faji na mbetet neve. Por kësaj radhe nuk është faji ynë. Ne në tërësi dhe me përgjegjësinë më të lartë e themi, se kemi implementuar të gjitha kriteret një nga një. Bile nganjëherë të dyfishuara me nën kritere dhe me kërkesa që hyjnë në procesin e vonshëm të liberalizimit të vizave. Pastaj tërë këtë angazhim që e kemi 15 vjeçar, e kemi bërë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare, 7 vite me OKB-në. Gjithë legjislacioni është i nxjerr sipas kritereve dhe standardeve më të larta të Bashkimit Evropian. Asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës nuk kalon pa u konsultuar dhe pa u aprovuar prej zyrës evropiane që është në Kosovë. Edhe zbatimi i tyre. Dhe përsëri vonesë. Mendoj se përsëri duhet ta thërrasim ndërgjegjen e atij lidershipi në Bruksel, që të vlerësoj realisht të arriturat e Kosovës, por edhe të merr guximshëm për Kosovën, siç po merr vendim të guximshëm, shumë më të guximshëm edhe për Ukrainën, edhe për Kolumbinë, edhe Timorin Lindor. Natyrisht se ne jemi shumë të predispozuar në mbështetje të zgjerimit të vlerave evropiane dhe të këtij komunikimi të qytetarëve të tërë globit me bashkësinë ndërkombëtare, dhe ne jemi pjesë e kësaj familje, jo sipas nevojës, por sipas vlerave, sipas standardeve dhe perspektivës që e kemi, por përsëri e theksoj se Bashkimi Evropian duhet t’i jap fund këtij fjalori: thjesht, Kosova duhet të jetë optimiste. Drita po shihet në fund të tunelit. Ne nuk jemi qorr, e shohim. Dhe natyrisht se duhet të na respektoj ashtu si jemi, me një tolerancë maksimale dhe shembull edhe politik, edhe multietnik, edhe fetar. Jemi vendi kampion në rajon kundër ekstremizmit fetar, kundër terrorizmit dhe është vlerësim ndërkombëtarë. Jemi të vetmit që e kemi mbështetjen e plotë në sistemin e drejtësisë dhe përvojën ndërkombëtare në sistemin e drejtësisë. Me përgjegjësinë më të lartë e themi se e kemi policinë më moderne dhe më profesionale në rajon. Kështu që me të drejtë sot çdo qytetarë i Kosovës, nëse nuk ndodhë rekomandimi këto ditë për liberalizimin e vizave, duhet të ndihet jo i zhgënjyer, por i fyer. Dhe me të drejtë krejt skena politike, qytetarët, shoqëria civile dhe mediat mund të protestojnë kësaj radhe para selisë së zyrës së Bashkimit Evropian, dy milionë qytetarë të Kosovës për padrejtësitë dhe diskriminimin e Bashkimit Evropian në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën. Natyrisht protestë të qetë”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Qeveria e Kosovës miratoi sot Projektligjin për Falimentimin. Objektiv i këtij projektligji është krijimi i bazës së mirëfilltë ligjore për fushën e falimentimit.
Projektligji për Energjinë Elektrike, dhe ai për Rregullatorin e Energjisë po ashtu janë miratuar nga kabineti qeveritar. Këto dy projektligje përbëjnë pakon e tretë të ligjeve për energjinë. Projektligji për Energjinë Elektrike ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe masave për funksionimin e sektorit të energjisë elektrike për të garantuar furnizim të sigurt, të rregullt dhe cilësor me energji elektrike, me çmime reale, duke pasur në konsideratë ruajtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin efikas të tij. Ndërsa, Projektligji për Rregullatorin e Energjisë ka për qëllim përcaktimin e kompetencave dhe funksioneve të Zyrës së Rregullatorit për Energji, përfshirë kushtet për dhënien e licencave për kryerjen e aktiviteteve në fushën e energjisë.
Qeveria miratoi edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për realizimin e Projektit për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit. Kredia në fjalë ka vlerë 11 milionë dollarë.
Projekti është i organizuar në tri komponente: 1) në përmirësimin e planifikimit strategjik, menaxhimin e financimit, monitorimit dhe vendimmarrjes, 2) në forcim të kapaciteteve menaxhuese dhe të llogaridhënies për përmirësimin e cilësisë së arsimit, dhe 3) mbështetje për zbatimin e projektit dhe komunikim.
Kabineti qeveritar miratoi edhe Programin Kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, i cili është një nga obligimet bazë që rrjedhë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Qeveria, po ashtu, miratoi edhe rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores nr.02/2013 mbi kriteret për krijimin e ndërmarrjeve publike lokale dhe pjesëmarrjen e komunave në bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve rajonale të ujit, si dhe udhëzimin administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve.
Gjatë shqyrtimit të pikës lidhur me vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare për Privatizim, kryeministri Mustafa bëri të ditur se kjo pikë duhet të riformulohet, pasi që Qeveria ka vendosur dhe i ka dorëzuar Kuvendit propozimin lidhur me Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kryeministri Mustafa theksoi se nuk bëhet fjalë për propozim të ri të vendimit, por vetëm që të shtohet se ky Bord do ta ketë fuqinë e marrjes së vendimit, pas hyrjes në fuqi të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për AKP-në, dhe se propozimi i Qeverisë bazohet në Rregulloren e Punës së Qeverisë së Kosovës.
Qeveria ka marrë vendim për miratimin e Nismës për negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Teknik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Federale të Republikës së Gjermanisë, për vitin 2014 dhe 2015. Marrëveshjet janë në formë granti, dhe për vitin 2014 kap vlerën prej 7.59 milionë euro, ndërsa për vitin 2015 vlerën prej 12.5 milionë eurove.
Është miratuar edhe propozim vendimi për miratimin e Nismës për negocimin e Marrëveshjes për Largimin e Ujërave të Zeza në Jug-Perëndim të Kosovës, faza IV, në Komunën e Pejës, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Departamenti Federal i Çështjeve Ekonomike, Arsimit dhe Hulumtimit.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është mbledhja dhe trajtimi i ujërave të zeza në Komunën e Pejës, që ndikon direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj komune, dhe mbrojtjen e burimeve të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore.
Qeveria miratoi edhe vendimin për aplikimin e Kalendarit të Akcizës në Duhan, sipas së cilit rritja e akcizës do të bëhet në mënyrë graduale, në përputhje me direktivën e BE-së.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për kursimin, harmonizimin dhe ndarjen e mjeteve financiare në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Po ashtu, është marrë vendimi për miratimin e transferimit të mjeteve nga Ministria e Financave për kompensimin e veteranëve për rregullimin e protezave dhe shërimin e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, në vlerë prej 200 mijë euro.
Ministri i Integrimit Evropian, informoi kabinetin qeveritar për rezultatet e takimit të Komitetit të Përbashkët Monitorues për Asistencën e Bashkimit Evropian (IPA), me fokus në parakushtet e BE-së për përfitimin e Kosovës nga përkrahja buxhetore sektoriale.
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë mbledhjes shprehu mirënjohjen për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për aprovimin në mbledhjen e kaluar të Buxhetit për vitin 2016, si një dokument shumë i rëndësishëm i cili siguron stabilitet buxhetor edhe makroekonomik të vendit. “Edhe përkundër asaj që seanca është mbajtur në kushte mjaft të rënda, mirëpo kemi pas një përkushtim të deputetëve të pozitës të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj janë aprovuar edhe disa ligje të cilat janë mjaft të rëndësishme veçmas për sferën e ekonomisë dhe për sferën e forcimit të shtetit ligjor. Ligji për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, që pastaj mundëson që buxheti të shtohet për vitin e ardhshëm me pjesën e huave të cilat do t’i marrim për investime të drejtpërdrejta në bazë të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ligji për Prokurimin Publik që e kemi pas si kriter nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave por edhe si kriter për uljen e të gjitha mundësive të keqpërdorimeve në procesin e prokurimit publik. Ligjin për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, që po ashtu është një ligj shumë i rëndësishëm për të nxitur bizneset e vogla dhe të mesme, si pjesë e Fondit Zhvillimor, që ne ju kemi premtuar edhe bizneseve, edhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kemi siguruar që të përmbushim edhe sferën sociale, të rrisim ndihmat sociale për 25 për qind, ashtu siç ka vendosur Qeveria dhe të rrisim pensionet kontributdhënëse për 23 milionë, tri shtylla të atyre pensioneve.
Unë po ju falënderoj edhe juve por edhe Kuvendin që është punuar mjaft shumë dhe që kemi arritur që këto çështje t’i shtyjmë në kohë dhe që të sigurojmë që Qeveria të punoj në mënyrë shumë normale, sa i përket kësaj baze. Dhe e dyta, po ashtu, dëshirova që përmes Qeverisë të shpreh konsideratat tona të larta për Malin e Zi dhe kryeministrin Gjukanoviq për vlerësimet e tij në deklaratën lidhur shënimin e kufirit. Natyrisht që edhe ne besojmë që shënimi i kufirit është bërë në bazë të vijave administrative, sipas Kushtetutës së vitit 1974, mirëpo edhe ne kemi dhënë përkrahjen tonë që një komision ndërkombëtar i cili do të bashkëpunoj edhe me Komisionin Qeveritar edhe me opozitën, të bëj vlerësimin e procedurave të shënimit të kufirit dhe që para të gjithë opinionit të qartësojë rregullsinë e shënimit të vijës kufitare. Unë vetëm dëshiroj të shtoj këtu se ne me këtë nuk insistojmë edhe të themi që çdo gjë është bërë në rregull ose nuk është bërë në rregull. Ne vlerësojmë se Qeveria e ka aprovuar një punë e cila është bërë në mënyrë të rregullt nga Komisioni, por e lëmë mundësinë e hapur që një Komision i tillë ta vlerësoj këtë dhe ne vlerësojmë se Komisioni e ka përmbyllur punën e vet sa i përket shënimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Ndërkaq, vetëm dëshiroj që të theksoj këtu se në propozimin gjithëpërfshirës të zgjidhjes së statusit të Kosovës, që është pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është përcaktuar se territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ashtu siç ka qenë kjo vijë kufitare me 31 dhjetor të vitit 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga Marrëveshja e Demarkacionit mes Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë me 23 shkurt të vitit 2001. Do të thotë, ky është kriteri mbi të cilin është dashur dhe mbi të cilin mund të bisedohet dhe të shqyrtohet çdo vërejtje ose çdo rregullsi e përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Por, ne vlerësojmë lart përkushtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, dhe po ashtu kemi lënë gjithmonë mundësinë që çdo vërejtje të merret parasysh dhe çdo vërejtje t’i paraqitet dhe t’i prezantohet palës malazeze”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka informuar kabinetin qeveritar për ecurinë e Projektit të Termocentralit “Kosova e Re”. Ai bëri të ditur se të martën është pranuar fletëgarancia nga kompania amerikane “Contour Global”, duke paralajmëruar që në 48 orët e ardhshme do të nënshkruhen dy marrëveshje dhe do të bëhet inaugurimi i një projekti, të cilat përfundimisht do të transformojnë sektorin e energjisë në Kosovë. “Ne do ta kemi nënshkrimin e Marrëveshjes për parimet e përgjithshme me kompaninë amerikane të premten, ndërkaq nesër e nënshkruajmë Marrëveshjen për shkëmbimin energjetik me Shqipërinë dhe rregullimin e rezervës sekondare, po ashtu e përurojmë edhe përmbylljen e punimeve te pjesa e Interkonjeksionit nga Kosova”, bëri të ditur Stavileci, duke njoftuar edhe për vizitat shumë të rëndësishme që ka zhvilluar në kompani me renome botërore në SHBA, së fundi.
