Prishtinë, 9 shtator 2015
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 48-të me radhë.
Projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Sipas këtij projektligji, bashkësitë fetare ekzistuese dhe ato që regjistrohen të reja, kanë statusin e personave juridik dhe kanë të drejtë të themelimit të institucioneve të ndryshme brenda tyre, me karakter humanitar, fetar, edukativ, apo karakter tjetër të ngjashëm, të cilat mund të fitojnë edhe vetë statusin e personit juridik. Shteti respekton të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës, njeh si përfaqësues të tyre vetëm personat e autorizuar nga bashkësitë fetare në Kosovë, dhe garanton mbrojtjen e bashkësive fetare nga çdo person apo grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, logot dhe vulën e tyre.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka emëruar drejtorët në Bordet e Ndërmarrjeve Publike: “Posta e Kosovës Sh.A”, “Aeroporti i Gjakovës” dhe “Hekurudhat e Kosovës – INFRAKOS Sh.A”.
Është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes Rajonale për Themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione.
Themelimi i Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione është një nismë rajonale që synon të realizohet përmes marrëveshjes rajonale që do të nënshkruhet më 17 shtator të këtij viti në Split të Kroacisë, nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Qendra e Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione do të jetë një organizatë ndërkombëtare e pavarur, jofitimprurëse dhe në pronësi të palëve nënshkruese të marrëveshjes rajonale. Kjo qendër do të mbështes fuqizimin e bashkëpunimit në nivel evropian dhe nivel ndërkombëtar, duke përmirësuar klimën e Ballkanit Perëndimor për hulumtime dhe inovacione.
Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës është aprovuar nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë për Transportin Rrugor Ndërkombëtarë të Udhëtarëve dhe Mallrave.
Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi vendimin për rishikimin e ndarjes së shtesave të cilat realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
