Prishtinë, 12 nëntor 2015
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ndër të tjera ka miratuar amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Koncept Dokumentin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, njoftoi kabinetin qeveritar për pranimin e Raportit të Progresit nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian.
“Mund të them se është një raport i rëndësishëm për ne, një raport i cili në mënyrë mjaft reale prezanton situatën në vendin tonë, prezanton në rend të parë progresin të cilin e kemi bërë në shumë fusha, sidomos progresin në nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si një dokument tepër i rëndësishëm që ne na e hap rrugën e integrimit në BE, por edhe na mundëson që të kemi marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, hap një perspektivë të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik, dhe në fushën e forcimit të shtetit ligjor. Ky raport, po ashtu vlerëson progresin të cilin e kemi bërë ne në marrjen e përgjegjësive mjaft të rëndësishme, veçmas tek vendimi i Qeverisë dhe i Kuvendit të Kosovës për themelimin e dhomave të veçanta, në progresin që ne kemi bërë në dialogun me Serbinë dhe në normalizimin e marrëdhënieve, përkundër problemeve të cilat ne i kemi me opozitën, por edhe të vendimeve të tjera të cilat kjo Qeveri i ka marrë, të cilat janë me rëndësi strategjike për të ardhmen e këtij vendi.
Natyrisht se na mbetet që të punojmë në çështje të tjera që janë adresuar në Raportin e Progresit. Janë çështje të cilat janë adresuar se jemi në fazën fillestare të marrjes me to. Por, nuk është adresuar një çështje të cilën ne e kemi lënë anash, e për të cilën nuk kemi pasur kujdes si Qeveri e Republikës së Kosovës, ose institucionet e Republikës së Kosovës, sepse raporti nuk adreson vetëm çështjet e Qeverisë, por të gjitha organet e Republikës së Kosovës. Ne, natyrisht se do të lexojmë çdo pikë dhe çdo kapitull të këtij raporti, dhe do të marrim masa në sendërtimin e tyre, në mënyrë që progresi jonë në vitin e ardhshëm të jetë më i mirë. Unë besoj shumë, sepse besoj që kohezioni i këtij koalicioni, fuqia e koalicionit, por edhe serioziteti me të cilin koalicioni qeverisës i është qasë problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë, është shumë i lartë.
Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, kemi pas një koherencë shumë të mirë ndaj problemeve me të cilat jemi ballafaquar gjatë kësaj periudhe dhe ju garantoj se ne do të vazhdojmë me këtë, dhe sigurisht se raporti në të ardhmen do të jetë shumë më i mirë. Ne kemi biseduar edhe me ministrin e Financave, edhe me ministrat tjerë, se duhet të trajtojmë edhe çështjen e adresimit sa i përket indikatorëve makroekonomik të zhvillimit të Kosovës, veçmas normës së rritjes ekonomike si normë vjetore, normës së punësimit dhe normës së papunësisë, sepse ka dallime të konsiderueshme ndërmjet asaj çfarë thonë institucionet ndërkombëtare, Fondi Monetar, Banka Botërore, çfarë thotë Banka Qendrore e jona dhe çfarë thotë Agjencioni i Statistikave, dhe ne këto duhet t’i sintetizojmë dhe duhet t’i unifikojmë, në mënyrë që të mos kemi indikatorë që interpretohen në mënyrë të ndryshme nga adresa të ndryshme, sepse pastaj krijojnë konfuzion edhe tek raportet e tilla. Por, ajo që është me rëndësi, është se është punuar edhe në fushën e ekonomisë në mënyrë shumë serioze dhe rezultatet ne do t’i kemi të sintetizuara në fund të këtij viti se çfarë kemi bërë në këtë lëmi.
Dëshiroj, po ashtu, të them se edhe përkundër asaj që ne nuk arritëm të anëtarësohemi në UNESCO për tre vota, ne kemi arritur që të kemi përkrahjen e pjesës dërrmuese të anëtarëve të UNESCO-s. Kemi arritur 92 vota, që është një sukses shumë i madh i diplomacisë sonë dhe i njerëzve të cilët kanë punuar në këtë fushë. Është edhe një rivërtetim i përkrahjes që ne kemi nga bota demokratike si vend i ri, është edhe një impuls që ne të punojmë edhe më tutje, në mënyrë që pas dy viteve mos t’i marrim 95 vota, apo 97, apo shumë më shumë vota për anëtarësimin tonë. Anëtarësimi jonë në UNESCO nuk e dëmton askënd, ai është në dobi të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të të gjithëve, është në dobi të arsimit dhe bashkëpunimit arsimor me të gjitha vendet e botës dhe është në dobi të bashkëpunimit shkencor me të gjitha vendet e botës sepse as Kosova dhe asnjë vend, nuk meriton të përjashtohet nga pjesëmarrja e saj në këto procese, sepse janë procese të cilat cilësojnë zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë.
Sa i përket adresimit të presidentes ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, është një çështje e cila ka qenë e paraparë edhe me marrëveshjen që e kemi nënshkruar ne në Bruksel, sepse Gjykata është dashur ta jap mendimin lidhur me këtë marrëveshje. Unë nuk e konsideroj se marrëveshja është suspenduar, ose se është vu në dyshim marrëveshja. Konsideroj se marrëveshja ka shkuar në Kushtetuese në mënyrë që të vërtetohet se çdo pikë e kësaj marrëveshje është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është ajo që edhe ne do ta bënim si Qeveri, sepse kemi qenë të detyruar ta bëjmë dhe kjo në asnjë rast nuk e bie në pikëpyetje dialogun tonë që duhet ta zhvillojmë, ose normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, natyrisht se ngjarjet që kanë ndodhur me UNESCO-n do të kërkojnë që ne të kërkojmë që të gjithë të jemi përgjegjës për normalizim të marrëdhënieve, sepse nuk është normalizim i marrëdhënieve nëse ne dëshirojmë të ecim në një rrugë, ndërkaq e pengojmë tjetrin të ecë në rrugën tjetër. Është zëvendëskryeministri këtu, që ka qenë kryeministër atëherë dhe ne me marrëveshjen e parë për normalizim, në pikën e fundit, jemi zotuar të dyja palët se nuk do ta pengojmë njëra-tjetrën sa i përket ecjes përpara tek anëtarësimet në organizatat e ndryshme, sepse është në dobi të të dy vendeve”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka folur për orientimin e Kosovës që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, prioritetet në këtë drejtim si dhe sukseset por edhe vështirësitë, pengesat dhe sfidat.
“Edhe e drejta jonë për t’u anëtarësuar në UNESCO është një drejtë e patjetërsueshme, legjitime dhe legale, dhe ka një mbështetje shumë të gjerë edhe ndërkombëtare. Vendimi ynë për të aplikuar për anëtarësim në UNESCO, s’ka qenë i drejtuar kundër askujt, por ka qenë në interes për vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, si një vend atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, si një vend me trashëgimi kulturore të të gjithë qytetarëve, të respektuar dhe të afirmuar prej institucioneve të vendit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve të Kosovës, si dhe dokumentit të Presidentit Ahtisaari, dhe me garancione shtesë prej të gjitha institucioneve të vendit, qoftë në nivel qendror apo në nivel lokal.
Vendimi për mospranimin e Kosovës në UNESCO, nuk i minimizon të arriturat e Kosovës si shtet. Ne sapo kemi nënshkruar, siç e përmendi edhe kryeministri, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Presim në të ardhmen shumë të afërt edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave. Kjo është një njohje e të arriturave të Kosovës. Gjithashtu edhe vlerësimi prej Raportit të Progresit shihet se Kosova po lëviz përpara, me hapa të sigurt, dhe me reforma të rëndësishme. Natyrisht se ky vlerësim prej Bashkimit Evropian dhe miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, ishte një mbështetje, mund të them e madhe, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. I gjithë procesi i aplikimit, i fushatës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ka qenë pozitiv, dhe i koordinuar me të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës, që ndërlidhen drejtpërdrejt me përkushtimet tona të përbashkëta për lirinë e Kosovës, për pavarësinë, konsolidimin e shtetit, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, dhe të ardhmen euroatlantike.
Për fat të keq, kjo çështje u keqkuptua nga ana e Serbisë, dhe ajo filloj një fushatë të egër, agresive, një fushatë, mund të themi lirisht, jo vetëm kundër Kosovës, por kundër vlerave të civilizimit, kundër vlerave evropiane, kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve dhe ndërtimit të paqes dhe stabilitetit, kundër frymës së Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve, që e kemi arritur në Bruksel në prill 2013. Gjuha e përdorur nga Serbia, për fat të keq, jo vetëm nga politikanët e Serbisë, por edhe nga Kisha, gjithashtu edhe nga opinionbërës të ndryshëm, ishte një opinion luftënxitës, dhe në kufi me racizmin. Kjo situatë është padyshim një goditje e madhe ndaj të gjitha përpjekjeve dhe akterëve të Ballkanit Perëndimor, që janë përpjekur për forcimin e paqes dhe stabilitetit. Por, megjithatë, kur shikojmë votat e dhëna, ne lehtësisht mund të themi se Kosova ka fituar më shumë se Serbia. Kosova ka siguruar mbështetjen e 92 shteteve anëtare të UNESCO-s me të drejtë vote, në mesin e tyre shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, në kuptimin bilateral. Më e rëndësishmja është se shtetet që e përkrahën pranimin e Kosovës në UNESCO janë pjesë e familjes së demokracive liberale, ku edhe Kosova i takon dhe dëshiron të jetë pjesë e kësaj familje. Në anën tjetër, Serbia ka arritur vetëm mohimin e komuniteteve në Kosovë, përfshirë komunitetin serb në Kosovë, të drejtën për të përfituar nga anëtarësimi në UNESCO, të jetë pjesë e projektit të ndërtimit të pajtimit dhe paqes, përmes bashkëpunimit në arsim, në shkencë, në kulturë. Dhe në anën tjetër, ne jemi duke jetuar, dhe duhet të jemi të vetëdijshëm, në një botë të ndarë gjithnjë e më përgjatë vijave ideologjike. Votimi nuk ishte kundër Kosovës, ishte një votë kundër asaj që përfaqëson Kosova, një votë kundër idesë së të drejtave dhe lirive të njeriut, që mbizotërojnë mbi të gjitha paradigmat dhe ideologjitë tjera. Pra, ne gjatë gjithë këtij procesi të fushatës sonë pozitive, dhe dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ato të reja dhe të rinj kosovarë që ju kanë bashkëngjitur kësaj fushate, me një fushatë të urtë, me një fushatë pozitive, me një fushatë shumë afirmative, që kanë bërë që të kemi një mbështetje të gjerë. Dëshiroj të falënderoj edhe gjithë miqtë dhe partnerët tanë për një mbështetje shumë të fuqishme që e prezantuan Kosovën në UNESCO, që e mbrojtën të drejtën e Kosovës në UNESCO, dhe prezantuan argumentet dhe të drejtat e Kosovës.
Sido që të jetë, tani gjithkush që ka besuar se Serbia ka nisur një faqe të re dhe është shkëputur nga politikat e Millosheviqit, dhe gjatë javëve të fundit sjellja e Serbisë në marrëdhëniet me Kosovën dhe rajonin, e kanë në sy shumë për të keq. Në anën tjetër, aspirata e Kosovës për anëtarësim në UNESCO ka marrë një mbështetje të gjerë, nga të gjithë ata që punuan me Kosovën në çfarëdo kapaciteti. Ne ishim shumë të inkurajuar me përkrahjen e ofruar dhe jemi shumë falënderues dhe mirënjohës ndaj të gjithë njerëzve dhe shteteve mbështetëse. Mund ta them lirisht, përsëri, se tërë përkushtimi ynë ka qenë një proces i koordinuar, në një bashkëpunim shumë të ngushtë, dhe jam i sigurt se në një të ardhme të afërt, në një diskutim më të gjerë, do të riaplikojmë dhe do të jemi në mënyrë meritore pjesë e UNESCO-s. Kjo do t’i kontribuoj paqes, stabilitetit, pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon. Në asnjë rrethanë, përkushtimet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk janë të drejtuara kundër askujt.
Pra, gjatë tërë këtij procesi ne jemi ballafaquar me dy lloj fushatash negative. Njëra nga ana e Serbisë që ishte penguese, me pretendime bllokuese, por edhe e ulët dhe fyese ndaj Kosovës dhe vlerave të civilizimit. Në anën tjetër, patjetër mund ta them, u ballafaquam edhe me një reagim, gjatë tërë këtij tre mujori të fundit, një reagim të brendshëm, bllokues të Kuvendit të Kosovës, me mesazhe dhe pamje negative për Kosovën, të gazit lotsjellës dhe të dhunës opozitare.
Kështu që duhet ta theksoj, se gjatë tërë lobimit, gjatë tërë këtij procesi, gati gjysma e kohës na ka shkuar duke sqaruar atë se çfarë po ndodh në Kosovë, në vend që të afirmojmë trashëgiminë tonë kulturore, arsimin, shkencën, kulturën.
Vlerësoj se vendimi për anëtarësim në UNESCO është një vendim për të ardhmen, dhe jo vetëm i gjendjes reale në Kosovë, por përsëri jam optimist se gjërat do të lëvizin më shpejtë, më mirë, dhe në mënyrë të koordinuar me gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtare, dhe Kosova do të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave euroatlantik. Dëshiroj të potencoj gjithashtu, se ishte moment dëshpërimi, por jo i humbjes. Humbja ishte e Serbisë për të ardhmen civilizuese të saj”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës në Ngjarjet Sportive. Ky projektligj synon që të vendos rregulla dhe standarde adekuate në zhvillimin e veprimtarisë sportive në vendin tonë, që ato të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Qeveria ka miratuar propozimet për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Përmes këtij amendamenti synohet që të arrihet avancimi i mëtejmë i pavarësisë së Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, dhe të përmbushen kriteret që ndërlidhen me agjendën evropiane, përkatësisht me adresimin e të gjeturave në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, edhe në vitet paraprake, por edhe në këtë vit.
Është marrë edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat prekën nga ndërtimi i fabrikës së riciklimit dhe përpunimit të nën-produkteve shtazore për nevoja të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, zona kadastrale në Sankoc, komuna e Gllogocit.
Kabineti qeveritar ka miratuar dy vendime të veçanta për ndarjen e mjeteve financiare për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, në favor të kreditorëve, për dëmet e shkaktuara në trazirat e 17 dhe 18 marsit 2004, si dhe tjetra për Komunën e Shtërpcës.
Miratimi i Koncept dokumentit për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t’i hap rrugë hartimit të Projektligjit për kryeqytetin, i cili do të normojë statusin dhe rregullimin e veçantë të kryeqytetit të Republikës së Kosovës.
Ky koncept-dokument i parashtruar sot ka identifikuar dhe trajtuar disa aspekte të përgjithshme që ndikojnë në organizimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të kryeqytetit. Bazuar në opsionin e rekomanduar për aprovim nga Qeveria e Republikës së Kosovës normohet statusi dhe organizimi i veçantë i kryeqytetit të Republikës së Kosovës, Prishtinës, i cili krijon bazë të qëndrueshme ligjore të funksionimit dhe organizimit të veçantë të kryeqytetit.
Kryeministri Isa Mustafa, tha se është biseduar gjatë lidhur me Ligjin për Prishtinën, duke përmendur faktin se njëherë ka qenë i përgatitur Ligji, i cili ka shkuar në leximin e parë në Kuvend dhe më pas është kthyer prapë. “Tash, marrëveshja është që të aprovohet sot koncept-dokumenti, pastaj mbi këtë koncept-dokument, të punohet në hartimin e Projektligjit i cili do të procedohet më tutje. Kështu që është një fazë e cila do të përfshij mjaft shumë akterë”, tha kryeministri.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Koncept dokumenti për fushën e tregtisë së shërbimeve, që i hap rrugën rregullimit ligjor të kësaj fushe në vendin tonë.
Kabineti qeveritar mori vendim për aprovimin e buxhetit për vitin 2016 për Komunën e Junikut, pas aprovimit nga Kuvendi Komunal i Junikut.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë propozimet për plotësimin e bordeve në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe në Zyrën e Rregullatorit për Energji.
Ministri i Financave ka informuar kabinetin qeveritar me Raportin mbi performancën e të hyrave dhe shpenzimeve të buxhetit. Raporti evidenton rritjen e të hyrave në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe garanton përmbylljen me sukses të vitit buxhetor sipas planifikimeve.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe nismën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje do të jenë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia Mali i Zi dhe Serbia. Fondi do të ketë organet e veta drejtuese dhe selia e tij do të jetë në Tiranë. Fondi synon të forcojë bashkëpunimin e vendeve nënshkruese dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
