E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar projektligje, strategji dhe vendime tjera të fushës së saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji synon të harmonizojë obligimet që dalin nga marrëveshja e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe rregullat e reja fiskale.
Edhe Projektligji për Patentë Shofer është miratuar nga Qeveria e Kosovës.
Është miratuar edhe Projektligji për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Kosovës, i cili përcakton kriteret për pjesëmarrje në disa profesione që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë dhe shëndetit. Projektligji rregullon edhe mbrojtjen dhe garantimin e standardeve me qëllim që ushtrimi i tyre të bëhet vetëm nga profesionistët e kualifikuar.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020 dhe Planin e veprimit për zbatimin e kësaj Strategjie, e cila synon të jetë një platformë për zhvillimin dhe zbatimin e politikave qeveritare për zhvillim ekonomik dhe ofrimin e shërbimeve publike administrative për qytetarët dhe bizneset. Zhvillimi i administratës publike dhe i kapaciteteve administrative, janë mjete nga të cilat varet aftësia e shtetit në procesin e integrimeve evropiane. Qeveria e Republikës së Kosovës do të përqendrohet në zhvillimin e kapaciteteve, defragmentimin dhe racionalizimin e proceseve dhe shërbimeve që administrata ofron për qytetarin, bazuar në profesionalizim dhe jo politizim të shërbimit civil në Republikën e Kosovës.
Udhëzimi Administrativ për Mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor është miratuar në mbledhjen e sotme.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për vendosjen e normës së tatimit të akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet tjera.
Është miratuar edhe vendimi për aderimin e Republikës së Kosovës në konventat ndërkombëtare: Konventa për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja dhe Konventa për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për emërimin e koordinatorit kombëtar kundër trafikimit me njerëz.
Në hapje të mbledhjes, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq ka përgëzuar të gjithë besimtarët e fesë islame për festën e Kurban Bajramit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin se ka pranuar një propozim nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe për organizimin e një Forumi Ekonomik për Kosovën, me qëllim të sjelljes së investitorëve në Kosovë në fund të muajit tetor, e cila kishte qenë kërkesë e Qeverisë së Kosovës në mars të vitit 2014. “Duke parë rëndësinë që Qeveria i ka dhënë nxitjes së investimeve të huaja, edhe më herët edhe tani, dhe reformave të ndërmarra për të përmirësuar klimën e investimeve, kjo iniciativë vjen në vazhdën e synimeve tona për të sjellë investitorë të huaj në Republikën e Kosovës. Andaj do të ishte me rëndësi që të shikojmë, të gjitha ministritë e linjave përkatëse, t’i ndërmarrin të gjitha përgatitjet e duhura, posaçërisht për projekte konkrete, në sektorë të ndryshëm, me qëllim të hapjes së vendeve të reja të punës. Natyrisht që tash e tutje, tërë koordinimi dhe udhëheqja e këtij procesi dhe organizimi i këtij Forumi Ekonomik do të jetë pranë Zyrës së Kryeministrit, por pasi që përgjigja ka qenë paksa e vonuar prej Emirateve, dhe periudha është shumë e shkurtër, duhet të shikojmë gjithashtu edhe mundësinë që të organizojmë Forumin në fund të tetorit, siç është propozuar, apo në një afat optimal, që do ta propozojmë edhe ne, në mënyrë që të përgatitemi mirë, edhe ne si Qeveri, por edhe investitorët potencial që do të jenë në Prishtinë”, theksoi zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar rishikimin e vendimit për nivelin e pensioneve për veteranët e UÇK-së, duke hequr kategorizimin sipas moshës, dhe caktimin unik të nivelit të pensionit të veteranit ne shumën 170 euro. “Unë kam biseduar me ministrin e Financave dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për çështjen e vendimit të cilin ne e aprovuam, të mërkurën, lidhur me lartësinë e kompensimit përkatësisht pensionit për veteranë. Është bërë një vërejtje, mendoj e arsyeshme, e shumës së ulët prej 130 eurosh, që do ta marrin ata që janë në moshën nën 35 vjeç, mirëpo ka dalë që numri i atyre që janë në këtë moshë është tepër i vogël, është shumë simbolik për të figuruar ajo në vendim. Unë mendoj se është edhe pëlqimi i Ministrisë së Financave dhe i Punës dhe Mirëqenies Sociale që të unifikohet shuma dhe që shuma të jetë 170 euro për të gjithë shfrytëzuesit e këtij pensioni”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka njoftuar se Udhëzimi Administrativ për aplikimin për pensionet e veteranëve është nënshkruar, duke bërë të ditur se nga 1 tetori do të filloj aplikimi për këto pensione, si dhe ka sqaruar procedurat dhe dokumentet e nevojshme për aplikim.
