Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 49-të


Image

Prishtinë, 16 shtator 2015

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 49-të, të rregullt.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa, ka adresuar disa çështje aktuale, konkretisht trajtimin e çështjes së luftës kundër korrupsionit, e cila është diskutuar nga shoqëria civile, nga përfaqësuesit diplomatik.
Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast theksoi se Qeveria e Kosovës e ka gjithmonë parasysh këtë çështje, duke kërkuar nga të gjithë ministrat që të punojnë me përkushtim të plotë, në mënyrë që të eliminojnë çdo burim dhe çdo formë të korrupsionit në ministritë, agjencitë dhe drejtoritë që i menaxhojnë.
Kryeministri Mustafa vlerësoi faktin se gjatë këtyre tetë muajve nuk ka pasur ndonjë rast të shënuar të korrupsionit në organet e Qeverisë, por tha se percepsioni për korrupsionin publik del se është i lartë dhe ky percepsion e dëmton edhe ndërtimin e shtetit ligjor dhe proceset e zhvillimit ekonomik dhe rrugën e integrimeve evropiane.
Kryeministri theksoi se nuk është e udhës që kjo çështje të vlerësohet vetëm mbi bazën e perceptimeve por kërkoi që të punohet konkretisht dhe që korrupsioni të adresohet në mënyrë konkrete. “Si kryeministër, por edhe si Qeveri, kërkojmë nga të gjithë, edhe nga shoqëria civile nga bizneset, nga qytetarët, nga çdokush, që të paraqes çdo rast të korrupsionit, dhe që ta adresojë në mënyrë të drejtpërdrejt korrupsionin, qoftë në individ të caktuar, qoftë në organe të caktuara”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se disa prej ministrave por edhe ai vet nuk i kanë nënshkruar disa kontrata, për të cilat nuk kanë qenë të sigurt se a janë zhvilluar procedurat në mënyrë ligjore.
Duke shpalosur hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim, kryeministri Isa Mustafa po ashtu se tha se javën e ardhshme do të punohet në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Prokurimin Publik. “Do të kalojmë në prokurimin elektronik, nga fillimi i vitit të ardhshëm, që është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian, dhe do të bëjmë të gjitha ndryshimet e Ligjit mbi Prokurimin Publik, të cilat e rrisin efikasitetin dhe efiçiencën e shfrytëzimit të parasë publike”, tha kryeministri Mustafa, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të kontratave dhe çështjen e çmimeve referente, në mënyrë që këto të rregullohen në pikëpamje ligjore dhe operative e që të mos lejohet në asnjë mënyrë dëmtimi i parasë publike.
Duke kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve  në mbrojtjen e parasë publike,  theksoi nevojën për rezultate konkrete në këtë drejtim dhe që më tutje temat dominuese në Kosovë të jenë tema të zhvillimit dhe të punësimit.
Kryeministri Isa Mustafa ka sqaruar detajisht edhe përfoljet lidhur me një kontratë për servisimin e një makine të Qeverisë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për asnjë shkelje, si dhe duke ritheksuar përkushtimin maksimal të Qeverisë për mbrojtjen e parasë publike dhe luftimin e korrupsionit.

Kabineti qeveritar më tutje ka aprovuar Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015 – 2020 dhe planin e veprimit për zbatimin e kësaj strategjie. Përmes kësaj Strategjie, do të koordinohen masat për forcimin e qëndrueshmërisë së shtetit dhe të shoqërisë përballë kërcënimeve që vijnë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kjo strategji është trajtuar edhe në Këshillin për Siguri të Kosovës, është njoftuar edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, pasi që janë procedura të parapara me ligj. Kryeministri po ashtu bëri të ditur se në Këshillin për Siguri, Strategjia ka marrë pajtimin e plotë dhe se në përgatitjen e saj kanë marrë pjesë shumë subjekte, duke përfshirë përfaqësues të Qeverisë, të shoqërisë civile, të bashkësive fetare edhe të komunitetit mysliman, edhe të kishës ortodokse serbe dhe të komunitetit katolik, si dhe bizneset dhe se janë shterur të gjitha potencialet dhe kapacitetet e mundshme.
“Kemi pas një bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar, Ambasadën Amerikane, dhe me përfaqësuesit e organizatave të ndryshme ndërkombëtare të cilat janë këtu. Është bërë një punë mjaft e rëndësishme. Unë vlerësoj se me këtë Strategji, me Ligjin për Parandalimin e marrjes pjesë të njerëzve tanë në konflikte jashtë, me kërkesën tonë që të bëhemi anëtarë të Interpolit, e cila po trajtohet dhe me kërkesën që ne të kemi një bashkëpunim me Europolin, një bashkëpunim shumë më të ngushtë për ndarje të informative dhe me bashkëpunimin që po bëhet me vendet fqinje, ne do të bëhemi pjesë e aleancës botërore kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, i cili sot po duket se çfarë pasoja po ka”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa gjithashtu bëri të ditur se më 30 Shtator në Nju Jork, do të udhëheq një delegacion, në përbërje të të cilit do të jenë edhe zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Hyseni, në sesionin e thirrur nga Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama për Luftën Kundër Terrorizmit. “Natyrisht se do t’i shohim ato përvoja dhe se këto përvoja t’i ndajmë në vendin tonë”, tha kryeministri Mustafa.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe udhëzimi administrativ për procedurat e faljes së borxheve publike. Dispozitat e këtij udhëzimi administrativ specifikojnë obligimet e institucioneve përkatëse në zbatimin e ligjit për faljen e borxheve, lidhur me hartimin e listave të borxhlinjve dhe publikimin e tyre.

Edhe Strategjia për Siguri në Komunikacionin Rrugor 2016-2020 dhe Plani i veprimit 2016-2018  ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Strategjia analizon situatën aktuale të sigurisë në rrugë si dhe masat për rritjen e mbrojtjes së pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor në Kosovë.

Qeveria ka emëruar drejtorët e bordeve të ndërmarrjeve publike: Hekurudhat e Kosovës “TrainKos, Sh.A” dhe “Ibër Lepenc, Sh.A”.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, në pikat kufitare të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit, në sektorin C2b.

Qeveria është pajtuar që të mbështes financiarisht aktivitetet kulturore për shënimin e Ditës së Boshnjakëve të Kosovës.

Qeveria ka emëruar kryeshefin ekzekutiv në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pas disa sqarimeve shtesë të kërkuara nga  kryeministri Isa Mustafa, të cilat janë ofruar nga ministri i Administratës Publike dhe ministri i Shëndetësisë.

U mor vendim edhe për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për Komisionin e Ankesave për Ri-integrim, Nr. 07/158, datë 29 nëntor 2013.

Qeveria ka ndarë 200 mijë euro për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik lidhur me çështjen e ngritur nga kompania “ACT Axos Capital” GMBH për procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomunikacionit Sh.A.

Ministri i Financave ka informuar kabinetin qeveritar me raportin mbi performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore në periudhën janar-gusht 2015.
Kryeministri Isa Mustafa tha se po vihet re se ka trende pozitive në rritjen e të hyrave në krahasim me gjashtë mujorin e kaluar, duke vlerësuar punën që po bëhet nga ministri Hoti lidhur me informimin për çdo muaj lidhur me trendin e të hyrave dhe shpenzimeve në mënyrë që të shihet se çfarë duhet të ndërmerret që ato të mbahen nën kontroll dhe të zvogëlohen shpenzimet.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors