Prishtinë, 23 nëntor 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja vizitoi sot kompanitë PO-FIX dhe MICK-MAGIC në komunën e Lipjanit
Fillimisht kryeministri Thaçi është ndalur në kompaninë për prodhimin e materialit ndërtimor PO-FIX , ku nga udhëheqësit e kësaj kompanie është njoftuar për aktivitetet e suksesshme dhe synimet për zgjerimin e prodhimtarisë . Z. Thaçi ka përgëzuar udhëheqësit e kësaj kompanie dhe u ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të krijojë kushte gjithnjë e më të favorshme për biznesin privat.
Më pas kryeministri Hashim Thaçi ka vizituar edhe kompanitë për prodhimin e djathit dhe akulloreve MICK- MAGIC. Me këtë rast kryeministri Thaçi ka vizituar depot e prodhimit dhe prodhimet e gatshme dhe është interesuar për kushtet e punës.
“Ndjehem shumë i kënaqur që sot jemi në një ambient biznesi jashtëzakonisht të suksesshëm, që ka krijuar vende të reja pune për komunitetin lokal këtu në Lipjan. Është ky një biznes, prodhim vendor për të cilin ne po investojmë dhe po punojmë maksimalisht si Qeveri e Kosovës, që të stimulojmë edhe më tepër”, tha z. Thaçi.
”Do të vazhdojmë të kultivojmë partneritetin mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe biznesit, në mënyrë që ta plotësojmë njëri-tjetrin dhe të krijojmë kushte, mundësi dhe rrethana shumë më të mira për punë të biznesit vendor, për të cilin unë kam besim të plotë se nga ky sukses i prodhimit vendor do të krijohen kushte edhe më të mira edhe për krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe të zgjerohet, fuqizohet dhe rritet biznesi vendor” – u shpreh kryeministri Thaçi.
“Obligim i Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet që edhe në të ardhmen do të jetë krijimi i kushteve më të mira për biznesin, në mënyrë që të kemi suksese të reja”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
Kryetari i Komunës së Lipjanit , Shukri Buja falënderoi kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e pa rezerve për biznesin privat .
