Nuk ka asnjë të sëmurë dhe as të dyshuar me Ebola në Kosovë – u theksua në konferencën e përbashkët për media të ministrave Agani, Rexhepi dhe të drejtorit të IKSHP-së, Ramadani


Image

Prishtinë, 10 tetor 2014

Nuk ka asnjë rast të sëmurë dhe asnjë rast të dyshimtë me EBOLA në Kosovë, ka deklaruar në një Konferencë për media Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. I shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ai i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ai ka bërë të ditur për masat të cilat janë ndërmarrë nga institucionet publike për të parandaluar këtë sëmundje.

“Kujdesi në parandalimin e sëmundjes është shtuar duke pasur parasysh se nuk ka nevojë për panik dhe duke e ditur se virusi nuk po përhapet përmes ajrit, por me kontakt direkt me lëngjet e trupit të personit të infektuar apo të kafshës së infektuar. Sëmundja përhapet gjatë kontaktit të afërt me gjakun, sekretet, organet dhe lëngjet tjera trupore të njerëzve apo kafshëve të infektuara si dhe ne rrugë seksuale” ka bërë të ditur Ramadani
 
Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Ferid Agani tha se sëmundja e Ebolës po paraqet një kërcënim global dhe në këtë kontekst, institucionet e vendit kanë ndërmarra masat për parandalimin e saj, duke e ditur faktin që Kosova nuk është ishull i izoluar.
 
Në këtë aspekt, ministri Agani tha se janë duke u respektuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ngritjen e masave të kujdesit dhe vigjilencës.
 
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka shprehur përkushtimin e institucioneve publike që të angazhohen maksimalisht në identifikimin e personave të mundshëm të infektuar me Ebola.
 
“Fatbardhësisht ne nuk kemi shumë frekuencë të fluksit të qytetarëve tanë në këto vende subsahariane, ku është e shpërndarë sëmundja. Megjithatë, përhapja mund të ndodh edhe nëpërmjet fluturimeve ajrore, Stambollit ose tjetër. Mirëpo, vetëm dua të sugjeroj për qytetarët e Kosovës, që për momentin nuk ka nevojë për kurrfarë panike, sepse nuk ka asnjë rast as të dyshuar e as të sëmurë nga Ebola” – tha z.Rexhepi.
 
“Ne si shtet e kemi obligim që të ndërmarrim të gjitha masat parandaluese që t ‘mos na befasojë. Do të jetë grupi ndërministror dhe ndërinstitucionalë që do t’i koordinoj të gjitha punët në mënyrë që qytetarët e Kosovës të jenë të sigurt. Në rastet kur dikush vije nga këto vende në Kosovë, atëherë bëhet izolim minimum pesë ditë, si masë parandaluese. Dhe,  nëse ka shenja të sëmundjes, natyrisht shkojnë në Klinikën Infektive ku një pjesë është e izoluar” ka thënë ministri Rexhepi.

Në vazhdim, Naser Ramadani, drejtor i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës theksoi:

“Edhe pse rreziku që kjo epidemi të përhapet edhe në Kosovë është i vogël, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rikonfirmuar edhe njëherë zinxhirin komandues (nga Institucionet larta shtetërore deri te ato perifike) i cili duhet të respektohet me përpikëri në rast të shfaqjes së ndonjë të infektuari, dhe ka ndërmarrë të gjitha masat nevojshme:
·      Protokolli për mbikëqyrje të sëmundjes,
·      Protokolli për kontroll të infeksioneve brenda spitalore,
·      Kontakti me shërbimin shëndetësor të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës si pikë hyrëse për udhëtarët ndërkombëtar,
·      Vlerësimi i riskut që e pozicionon Kosovën në vend me rrezik të ulët
·      Identifikimi i personave me rrezikshmëri të lartë (gjuetarët të cilët mund të vijnë në kontakt me kafshët e infektuara të ngordhura, anëtarët e familjes së personave të infektuar, punëtorët shëndetësor, personat që kryejnë ritet fetare dhe të varrimit të pacientëve të vdekur nga Ebola),
·      Identifikimi i masave parandaluese në nivel individi dhe institucioni:
·      Informata për sëmundjen e publikuar në ueb faqe www.niph-kosova.org “ – tha z.Ramadani.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors