Prishtinë, 20 dhjetor 2017
Pas miratimit nga kabineti qeveritar, me një ceremoni solemne, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale e Projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global”.
Në emër të Qeverisë së Kosovës marrëveshja është nënshkruar nga Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka; ndërsa nga kompania “Contour Global”, nga Presidenti Joseph Brandt.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast përshëndeti të pranishmit duke thënë se ky është një prej investimeve më të mëdha në Republikën e Kosovës që nga paslufta, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit.
Për rëndësinë e Marrëveshjes folën edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, Greg Delawie dhe Presidenti i “Contour Global”, Joseph Brandt.
