Prishtinë, 30 qershor 2014
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt.
Në hapje të mbledhjes, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka njoftuar kabinetin qeveritar për rrjedhën e Testit të Maturës.
“Testit të maturës u janë nënshtruar jo më pak se 46 mijë maturantë. Në ditën e parë të testit të maturës, edhe qytetarët, por edhe prindërit dhe nxënësit, kanë pasur shqetësim se në disa qendra ku është zhvilluar testi i maturës, ka pasur ca telashe dhe ne jemi në shqyrtim të dhjetë qendrave që edhe mund të shpallen të parealizuara mirë, por pjesa e dytë e testit të maturës ka shkuar për mrekulli” ka bërë të ditur ministri Buja.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për miratimin e rekomandimeve të Komitetit Drejtues Ndërministror për ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. Me këtë vendim autorizohet Ministria e Infrastrukturës që të nënshkruajë kontratën për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe gjithashtu obligon të gjitha ministritë dhe institucionet tjera përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet, konform detyrave dhe përgjegjësive bazuar ne legjislacionin ne fuqi, për zbatimin e këtij vendimi.
