Prishtinë, 26 korrik 2013
Qeveria e Republikë së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar tri projektligje, dy rregullore, raportin gjashtë mujor për buxhetin dhe katër vendime të fushave dhe përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Kryeministri Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes ka informuar kabinetin qeveritar për takimin e fundit në mes të delegacionit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë.
“Është me rëndësi që në shumë segmente është duke vazhduar implementimi i marrëveshjes së arritur më 19 prill, ndërsa në takimin e fundit është bërë progres në veçanti sa i përket zgjedhjeve lokale me 3 nëntor.
Kam besim të plotë se ky proces do të jetë i suksesshëm dhe zgjedhjet lokale do të jenë me një përfshirje të gjitha komuniteteve në zgjedhjet që do të organizohen në gjithë territorin në të njëjtën ditë me 3 nëntor 2013.
Ndërsa, OSBE-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vet në përputhshmëri me kërkesën tonë që të lehtësojë dhe organizojë zgjedhjet në veri, ku do të jenë përfaqësuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha partitë politike, gjithë spektrin politik, për një pjesëmarrje në zgjedhje, sa më masive, të serbëve edhe në veri.
Ne i kemi dërguar letër baroneshës Ashton për një pjesëmarrje apo monitorim të Bashkimit Evropian për zgjedhjet në gjithë Kosovën, në mënyrë që të kemi një prezencë të BE-së, një prezencë vëzhguese, që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike, të standardit evropian, për çka kam besim të plot se edhe kjo do të ndodhë.
Shpresoj dhe besoj plotësisht se do të respektohen të gjitha afatet kohore për regjistrimin e partive politike apo lëvizjeve qytetare apo iniciativa qytetare edhe në veri, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 3 nëntorit.
KQZ është duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe të domosdoshme.
Gjithashtu është bërë progres edhe sa i përket mbylljes së të gjitha stacioneve policore të strukturave paralele në veri dhe mundësisë së integrimit të qytetarëve serbë që dëshirojnë të integrohen në strukturat e policisë së Kosovës, që pranojnë integritetin, Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe që pranojnë dokumentet e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, sa i përket drejtësisë, ne do ët respektojmë në përpikëri marrëveshjen e arritur me 19 prill.
Për energjinë dhe telekomunikacionin, mund të them lirisht se sa i përket Kosovës kjo çështje është mbyllur, gjithashtu edhe sa i përket Bashkimit Evropian, baroneshës Ashton. Presim edhe nga Serbia deri më 8 gusht që të pranohen këto dy marrëveshje të rëndësishme për energjinë dhe telekomunikacionin.
Takimi tjetër është planifikuar të mbahet në javën e fundit të gushtit”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij.
***********
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka informuar kabinetin qeveritar me procesin e tranzicionit të EULEX-it që ka qenë temë e diskutimeve dhe takimeve të zhvilluara në Bruksel dhe për obligimet që dalin nga rezoluta e miratuar dje në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka përmbledhur në katër pika kryesore për Qeverinë:
E para, Qeveria e Kosovës do të përgatis një plan në detaj të tranzicionit deri në fund të muajit gusht;
E dyta do të përgatiten ndryshimet e nevojshme legjislative;
E treta, do të bëhet një rishikim organizativ i organeve të drejtësisë;
E katërta, institucionet e qeverisë do të marrin përgjegjësitë dhe duhet të plotësojnë kapacitetet e veta.
Qeveria e Kosovës ka vazhduar mbledhjen me miratimin e projektligjeve dhe vendimeve nga fushata e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Projektligji i parë i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor ose të panelit për lirim me kusht. Qëllimi i këtij projektligji është të rregullojë përdorimin e mbikëqyrjes elektronike në procesin e drejtësisë penale për të ngritur sigurinë publike dhe për të siguruar ekzekutim efektiv të vendimeve të gjykatës dhe të panelit për lirim me kusht, duke respektuar plotësisht të drejtat e personave të përfshirë.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, është projektligji i dytë i aprovuar në mbledhjen sotme. Qëllimi i këtij ligji është plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, konform situatës së re të krijuar dhe funksionimit të këtij institucioni të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e neneve të marrëveshjes themeluese të Bankës për Zhvillim të Evropës dhe anëtarësimit të Kosovës në këtë bankë.
Projektligji ka për qëllim krijimi e kushteve juridike për kryerjen e procedurave të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bankën për Zhvillim të Evropës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Rregullorja për organizimin dhe operimin e sistemit të monitorimit, njoftimit dhe paralajmërimit e cila përcakton organizimin dhe funksionimin e rrjetit të monitorimit të qendrave të informimit dhe alarmit në Republikën e Kosovës.
Sistemet e monitorimit, informimit dhe paralajmërimit janë sistemet publike të komunikimit elektronik dhe sistemi autonom i komunikimit elektronik për menaxhimin dhe zbatimin e mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.
Me Udhëzimin Administrativ për kriteret dhe procedurat e përcaktimit të shkallës së invaliditetit për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të miratuar në mbledhjen e sotme, janë rregulluar procedurat dhe kriteret për realizimin e kësaj të drejte për pjesëtarët e FSK-së.
Kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Komunës së Mitrovicës për përkrahje financiare në vlerë 70.000.00 euro për pagesën e qirasë së 133 familjeve që jetojnë në pjesën veriore, të rasteve sociale dhe familjeve të kategorive të luftës për periudhën prej 01 janar deri 31 dhjetor 2013.
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar është themeluar Këshilli Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike “Krime Kongo”, në Kosovë në këtë përbërje:
1. Ferid Agani, Ministria e Shëndetësisë – kryesues;
2. Isuf Dedushaj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik – anëtarë;
3. Salih Ahmeti, Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika Infektive – anëtarë;
4. Bajram Imeri, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe zhvillimit Rural – anëtarë;
5. Shaban Gallopeni, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – anëtarë;
6. Sami Sinani, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë – anëtarë;
7. Ismet Ibishi, Ministria e Punëve të Brendshme – anëtarë;
8. Nazmi Fazliu, Ministria e Financave –anëtarë;
9. Anvi Sahiti, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – anëtarë;
10. Xhevdet Tahiraj, Ministria e Forcës së Sigurisë – anëtarë.
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar edhe Raporti gjashtëmujor për Buxhetin e vitit 2013.
Raporti evidenton se totali i të hyrave në këtë periudhë ka qenë 682.01 milion euro ndërsa janë shpenzuar 632.08 milion euro.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat kanë shënuar rritje për 4% ndërsa shpenzimet për 0.1%.
Është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 118 mijë eurove për realizimin e projektit për asfaltimin e rrugës së fshatit Kmetovc të komunës së Gjilanit, sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që Komisionin Ndërministror për Reformën e Administratës Publike të udhëhiqet nga ministri i Ministrisë së Administratës Publike.
