Bruksel, 17 dhjetor 2014
Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri është duke qëndruar në Bruksel ku po merrë pjesë në takimet e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Në ditën e parë të takimeve është diskutuar për çështjen e energjisë përkatësisht regjistrimin e një kompanie të re për shërbime të caktuara siç e parasheh marrëveshja për energjinë, poashtu është diskutuar çështja e licencimeve të kompanive të pjesës veriore që importojnë mallra që iu nënshtrohen kontrollit të veçantë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe poashtu është diskutuar çështja e importit të medikamenteve nga Serbia në Kosovë.
Gjatë diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes për energji që kishte të bënte me themelimin e kompanisë së re të regjistruar në Kosovë e cila konform marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Kosovës për energji do të ketë për qëllim ofrimin e shërbimeve si faturimi, inkasimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj në komunat veriore, si dhe pas liberalizimit të tregut për furnizim mund të konkurroj në tregun e tillë.
Në kuadër të takimeve për çështjen e licencimeve të kompanive të pjesës veriore të Kosovës u konstatua që tashmë shumica e kompanive të pjesës veriore janë regjistruar si dhe një pjesë kanë aplikuar për licencime përkatëse nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe konform marrëveshjes edhe në këtë fushë është vendosur rregulli sipas ligjeve të Kosovës.
Të gjitha agjencitë e Kosovës kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me kompanitë e pjesës veriore e të cilëve u kanë ofruar ndihmën e nevojshme dhe informatat për aplikim dhe licencim përmes Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut dhe Doganës së Kosovës ose edhe direkt në institucionin përkatës që i licencon kompanitë sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës. Po ashtu u konfirmua se afati i fundit për aplikim për licencim është 31 dhjetori 2014 dhe kompanitë që nuk aplikojnë nuk do të kenë mundësi të importojnë mallra të pa licencuara.
Sa i përket importit të medikamenteve u bisedua për nevojën e reciprocitetit të Certifikatave të Produkteve Farmaceutike që lëshohen nga autoritet përkatëse të të dyja shteteve në rastin e Kosovës, Agjencia Kosovare e Produkteve Medicinale në mënyrë që të rritet kontrolli i barnave të cilat hyjnë nga Serbia në Kosovë praktikë kjo e cila deri në vitin 2008 ka funksionuar në mënyrë të rregullt. Poashtu u bisedua edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve qendrore të shëndetësisë me ato të nivelit lokal në pjesën veriore në mënyrë që institucionet lokale shëndetësore të furnizohen me medikamente konform legjislacionit të Kosovës, praktikave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër u fol edhe për rregullimin e importit të barnave nga Serbia në Kosovë dhe vendosjen e rregullit dhe kontrollit të këtij importi u diskutua për një dakordim rreth listës së barnave esenciale për barnat që mund të vijnë për katër komunat e pjesës veriore të Kosovës si donacion nga ana e Serbisë.
Ndërsa sot është duke u mbajtur takimi për sigurimet kufitare të automjeteve dhe po diskutohen mundësitë e arritjes së një marrëveshje në këtë fushë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me qëllim të uljes së tarifave për sigurimin e automjeteve në të mirën e qytetarëve.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri, në përbërje kishte: Dren Zeka-Këshilltar kryesor politik i Ministres Edita Tahiri. Në grupin punues të Energjisë ishin: Elona Cecelia-këshilltare dhe koordinatore dhe Gazmend Mejzini, Kryeshef i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe Gazmir Raci – këshilltar politik dhe koordinator për çështjen e licencimeve dhe Bekim Mehmetaj nga Doganat e Kosovës, ndërsa grupin punues për importin e medikamenteve e përbënin Arjeta Rexhaj, këshilltare politike e Ministres, Edita Tahiri dhe Arianit Jakupi-kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Produkteve dhe Pajisje Medicinale.
