Prishtinë, 12 nëntor 2015
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Mamushës, Arif Bytyç, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në këtë komunë.
Në këtë takim, ministrja Tahiri u njoh nga kryetari i komunës me zhvillimet në çështjet lokale në Mamushë, ecurinë e projekteve dhe investimeve kapitale në komunë, si dhe bashkëpunimin me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së të gjitha komuniteteve. Në takim u diskutua edhe për nevojat e komunitetit turk të kësaj komune në planin arsimor dhe infrastrukturor dhe aspekte tjera.
Ministrja Tahiri vlerësoi progresin e arritur dhe harmoninë ndëretnike mes shqiptarëve dhe turqve në këtë komunë dhe premtoi mbështetjen nga Qeveria e Kosovës në projektet me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë të kësaj komune në të gjitha planet. Ajo evokoi kujtimet nga bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët turq të Mamushës në periudhat e rënda duke thënë se popullata e kësaj komune ka dhënë një kontribut të madh në kohën e okupimit, për proceset e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës..
Në fund të këtij takimi, ministrja Tahiri me kënaqësi e pranoi ftesën e Kryetarit të Komunës për ta vizituar këtë komunë, në një të ardhme të afërt.
