Prishtinë, 21 janar 2015
Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti në takim Anne Meskanen, të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Finlandës në Kosovë.
Në këtë takim, u vlerësuan lartë marrëdhëniet bilaterale mes të dyja shteteve dhe u shprehë gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve.
Ministrja Tahiri foli për prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe potencoi se kemi përkushtimin e plotë për ta jetësuar vizionin euro-atlantik për shtetin e Kosovës përmes reformave të gjithanshme në interes të qytetarëve.
Ajo theksoi se Kosova do të vazhdoj angazhimet në dialogun e Brukselit në funksion të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit rajonal.
Nga ana e saj, diplomatja finlandeze Meskanen i uroi suksese ministres Tahiri në angazhimet e saj qeveritare. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Finlandës për forcimin e shtetit të Kosovës dhe siguroi mbështetjen për integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe që do të fuqizohen edhe më tej në të gjitha sferat.
