Gjakovë, 20 tetor 2015
Ministrja Edita Tahiri mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të konsullatës së nderit të Shqipërisë në Gjakovë, konsullatë kjo e cila ka për qëllim forcimin e lidhjeve kombëtare dhe promovimin e bashkëpunimit në gjitha sferat mes dy shteteve.
Në këtë ceremoni e cila u mbajt në Gjakovë e organizuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, Mimoza Kusari- Lila, ambasadorët në dyja vendet Qemajl Minxhozi dhe Ramiz Lladrovci, konsulli i nderit akademik Tahir Emra dhe shumë personalitete tjera nga jeta politike e kulturore nga Kosova dhe Shqipëria.
Ministrja Edita Tahiri në fjalën e saj shprehu përgëzimet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e kësaj konsullate të Shqipërisë në Gjakovë duke uruar të gjithë që kanë kontribuar për këtë vepër vizionare. Ajo tha se kjo konsullatë do të forcojë lidhjet e kombit, lidhjet që na i këputi historia duke na lënë të ndarë dhe që është detyrë e jona dhe brezave të ri që ta rilidhim fuqishëm kombin shqiptar. Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës, e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare, do të prek në hapësirat ku kombi ka nevojë për të punuar bashkë për të mirën tonë.
Ajo më pastaj tha se zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm, Hashim Thaqi, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ngjarje sepse ka udhëtuar për Paris për të lobuar për Kosovën në UNESCO dhe ne kemi pritje dhe përkrahje që Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe në vijim edhe në gjithë organizatat tjera ndërkombëtare.
Kur mora ftesën për këtë ngjarje, së pari mendova pse kjo konsullatë në Gjakovë dhe jo në Prizren. E analizova historinë dhe i dhashë të drejt këtij vendimi, sepse Gjakova ia dha Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshin, një komandant të shquar që së bashku me udhëheqësit tjerë të Lidhjes na e lanë një amanet, ta bashkojmë kombin shqiptar. Dhe ne po e bëjmë realitet misionin tonë që të bashkojmë kombin shqiptar, se a do ta bëjmë përmes integrimeve evropiane apo rrugë tjetër, e rëndësishme është që do të vendosim vet, theksoi ministrja Tahiri.
Po ashtu mendoj se Gjakova e meriton këtë konsullatë nderi sepse ishte qyteti ku gjenocidi serb shkaktoi humbje të mëdha në njerëz dhe në shpirtrat tonë. Por, ne gjithnjë kemi qenë dhe jemi të fortë në luftën tonë për pavarësi dhe prosperitet, këtë po e dëshmon edhe Shqipëria edhe Kosova dhe gjithë shqiptarët anë e kënd, tha ajo.
Gjatë kësaj ceremonie, ministrja Tahiri bisedoi me ministrin Bushati për rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zbatimin e vendimeve të dala nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë.
