Mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 23 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut


Image

Prishtinë, 7 shtator 2013
 
Me rastin e 23 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson lart kontributin e delegatëve të Kosovës që shpallën Kushtetutën e Kosovës më 7 shtator 1990.

Në tekstin e mesazhit thuhet:
 
Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, vendimi i delegatëve të Kosovës për shpalljen e Kushtetutës së Kosovës në Kaçanik, ishte veprim i drejtë politik, hap i guximshëm moral dhe qytetar, si shprehje e vullnetit dhe synimeve për liri dhe pavarësi të Kosovës.
 
Rrënimi i çdo institucioni dhe subjektivitetit juridiko – politik të Kosovës nga politika hegjemoniste e Beogradit kishte krijuar të gjitha parakushtet që qytetarët e Kosovës të ndërmerrnin organizimin politik në interes të vetëmbrojtjes dhe ruajtjes së qenies së tyre.
 
Vetëdija politike, refuzimi i gjerë qytetar ndaj aparatit administrativ politik, ushtarak dhe policor të Serbisë së Millosheviqit, kulmoi me deklarimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht rrethanave të vështira brenda në Kosovë dhe përkrahjes së munguar atë kohë në rrafshin ndërkombëtar.
 
Përpjekjet e Kosovës për liri, pavarësi dhe çlirim nuk kanë rreshtuar asnjëherë, dhe me një vizion të qartë kombëtar, politik dhe demokratik,  Kosova gjeti  rrugën politike, ushtarake dhe diplomatike të realizimit të aspiratës shekullore.
 
Falë përpjekjeve të shumta, përkrahjes së botës demokratike, sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, shtet me institucione të zgjedhura nga vullneti i qytetarëve të saj, shtet me Kushtetutë moderne dhe i njohur nga më shumë  njëqind vende të botës.
 
Me rastin e 23 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut, përgëzojmë të gjithë delegatët e gjallë për guximin dhe aktin e trimërisë, ndërkaq për ata që kanë ndërruar jetë shprehim respektin më të thellë institucional në emër të Republikës së Kosovës.
 
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors