Prishtinë, 11 shtator 2013
Dymbëdhjetë vjet më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulmi terrorist që tronditi tërë botën demokratike.
Sulmi mbi kullat binjake dhe në caqe të tjera, kushtoi me humbjen e jetëve të mijëra njerëzve, qytetarë amerikanë dhe punonjës nga të gjitha vendet e botës.
Ky sulm më së miri tregoi natyrën barbare të ekstremizmit fundamentalist, duke goditur në zemrën e demokracisë botërore, me qëllim të frikësimit, kërcënimit dhe mbjelljes së pasigurisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike e përjetuan rëndë 11 shtatorin e vitit 2001, duke shpalosur vlera solidariteti dhe përkrahjeje të jashtëzakonshme për shtetin kampion të lirisë dhe demokracisë botërore.
Edhe në këtë tragjedi Shtetet e Bashkuara të Amerikës treguan vlerat e larta si fuqi morale e materiale, përballë një të keqeje perfide dhe antinjerëzore.
Me fatin e viktimave, me popullin dhe administratën amerikane u solidarizuan edhe qytetarët e Kosovës, të cilët i janë mirënjohës përjetë SHBA-vë për kontributin e pakursyer për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Institucionet e Republikës së Kosovës vazhdojnë të jenë përkrahës dhe mbështetës të politikës amerikane në luftë kundër terrorizmit, kundër shteteve diktatatoriale dhe formave tjera shtypëse të regjimeve dhe grupeve kriminale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë potencialeve të pakufishme njerëzore dhe materiale vazhdojnë të jenë faktori numër një i garantimit të lirisë së lëvizjes, sigurisë dhe qarkullimit të vlerave materiale dhe kulturore në botë.
Qytetarët e Kosovës dhe institucionet shprehin ndjenjat e solidaritetit me familjet e viktimave të 11 shtatori 2001.
Hashim Thaçi,
Kryemnistër i Republikës së Kosovës
