Prishtinë, 14 tetor 2013
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërrnava dhe besimtarët islamë të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazh thuhet:
I nderuari z. Tërrnava,
Të nderuar qytetarë të Kosovës të besimit islam,
Në këtë ditë të veçantë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, jam i privilegjuar që të ju përcjell urimet më të sinqerta për Festën e bekuar të Kurban Bajramit.
Festa e Kurban Bajramit e lartëson shpirtin e besimtarëve, forcon besimin në Zot, i bashkon ata, ngrit ndjenjat e solidaritetit ndërnjerëzorë dhe zgjon idenë e sakrificës për të mirën e përgjithshme.
Edhe këtë vit, Festa e Kurban Bajramit e gjen Kosovën në rrugën e ndërtimit të shoqërisë së lirë, demokratike dhe paqësore, me respekt të ndërsjellë nga të gjithë qytetarët tanë. Shteti ynë po vazhdon rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim feje dhe etnie, ku respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore janë kushte themelore të demokracisë së shtetit tonë të ri.
Në këtë ditë të shenjët, të kujtojmë rrugën e sakrificës që kaloi populli për të arritur lirinë, le të kujtojmë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit tonë dhe të kujtojmë rrugën tonë drejt ndërtimit të shoqërisë sonë të zhvilluar dhe të integruara në proceset euro-atlantike.
Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë e angazhuar thellësisht, për mirëqenien dhe të ardhmen e ndritur për të gjithë qytetarëve të vet.
