Prishtinë, 21.11.2011
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u përgjigj në pyetjet e gazetarëve lidhur me zhvillimet e fundit në vend, pas një takimi pune të mbajtur të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Rendit dhe Ligjit.
Kryeministri Thaçi tha se rend e ligj do të ketë në gjithë territorin e Republikës, dhe për këtë gjë do të ketë koordinim të ngushtë me autoritetet e EULEX-it, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Edhe në veri do të ketë edhe demokraci, do të ketë edhe zgjedhje të lira dhe lidership, që do të jetë nga vullneti i qytetarëve dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve qendrore, si në të gjitha hapësirat tjera të Kosovës” ka theksuar Kryeministri Thaçi.
Ndër të tjera, z.Thaçi ka thënë se po punohet për agjendë shumë të qartë dhe se gjithçka do të jetë transparente, prandaj edhe informimi i opinionit publik do të bëhet me kohë.
Duke folur për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Kryeministri Thaçi tha se këto janë çështje teknike, janë raporte ndërshtetërore mes dy vendeve, Kosovës e Serbisë.
“Janë raporte ndërshtetërore dhe ne duam të shpresojmë se do të ketë një avancim të këtij procesi, në mënyrë që të ndërtojmë fqinjësi të mirë dhe të hapim perspektivë euro-atlantike për shtetin e Kosovës, por edhe për Serbinë, për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal në përgjithësi” ka thënë kryeministri Thaçi.
Duke folur për menaxhimin e integruar të kufijve, kryeministri Thaçi potencoi se është model evropian, në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet si dhe mandatin e Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi i është përgjigjur interesimit të medias lidhur me hetimet për akuzat e Dick Marty-t.
“Ne si institucione të Republikës së Kosovës, por edhe si vend dhe si qytetarë, jemi të përkushtuar që Kosova të lirohet sa më shpejt nga kjo barrë e padrejtë. Politikisht ne i besojmë drejtësisë dhe i japim mbështetje të plotë drejtësisë dhe natyrisht ne do të kemi bashkëpunim shumë të ngushtë” – ka theksuar kryeministri Thaçi.
