Prishtinë, 29 mars 2018
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 38-tën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Fillimisht, në hapje të mbledhjes, zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq i është drejtuar kabinetit qeveritar me një fjalë në lidhje me ngjarjet e zhvilluara të hënën në Mitrovicë, ku u arrestua shefi i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq. Ai ka vlerësuar se rasti nuk i ka kontribuar paqes dhe gatishmërisë për bashkëpunim dhe se qëndrimi i “Listës serbe” për të vazhduar qëndrimin dhe bashkëpunimin në institucionet e Kosovës, është që të hetohet rasti i intervenimit të policisë në Mitrovicë; krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe; dhe bashkëpunimi i sinqertë më të gjitha institucionet.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se çështjet e ngritura nga zëvendëskryeministri Jevtiq do të diskutohen në Qeveri dhe institucionet tjera dhe ka kërkuar largpamësi në të mirë të paqes dhe bashkëpunimit në vendin tonë. Kryeministri ka apeluar për angazhim të tejkalimit të situatës së krijuar dhe ka shprehur qëndrimin se intervenimi policor nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti. “Kosova mbetet e vendosur dhe e përkushtuar për vazhdimin e dialogut”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj gjithashtu ka apeluar që të mos keqpërdoret rasti, i cili nuk ishte i drejtuar në asnjë rrethanë kundër ndonjë komuniteti. Zëvendëskryeministri ka thënë se Kosova ka një rend kushtetues dhe juridik, i cili duhet të respektohet nga të gjithë. Edhe në Bruksel, në procesin e dialogut është arritur marrëveshje për kushtet dhe mënyrën e realizimit të vizitave reciproke të zyrtarëve qeveritar nga të dyja vendet. “Dua të theksoj se edhe ngjarjet e djeshme në Mitrovicën veriore janë të papranueshme”, ka thënë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.
Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar është informuar për procesin e përmbushjes së kërkesave që dalin lidhur me Raportin e progresit për vitin 2018, nga institucionet qeveritare të Republikës së Kosovës. Ministrja e Integrimeve Evropiane ka listuar aktivitetet që kanë mbetur pa u realizuar dhe ato që janë në proces.
Kryeministri ka kërkuar nga të gjithë që të shfrytëzohen ditët e mbetura deri në miratimin e Raportit të radhës, të realizohen sa më shumë aktivitete dhe Kosova të prezantohet sa më denjësisht në Raportin e radhës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2018. Në program janë përfshirë gjashtë projektligje për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve, si dhe për tri projektligje do të shtyhet koha e miratimit të tyre gjatë vitit. Me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, janë përfshirë edhe katër projektligje të drejtësisë në Strategjinë legjislative të Qeverisë për vitin 2018.
Me qëllim të harmonizimit me Ligjin për kundërvajtje dhe me direktivat evropiane, Qeveria ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për rrugë; Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për rregullat e trafikut rrugorë; Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për transportin rrugorë të mallrave të rrezikshme; Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për transportin rrugorë; Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për hekurudhat e Kosovës; dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për patentë të shoferit.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar platformën vjetore të inteligjencës dhe prioritetet strategjike për Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës për vitin 2018.
Me rekomandimin e komisionit përzgjedhës, Qeveria ka miratuar vendimin për përzgjedhjen dhe emërimin e Bordit Drejtues të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës, sh.a.
Është miratuar Rregullorja për one stop shop për burimet e ripërtëritshme të energjisë. Rregullorja trajton koordinimin, bashkëpunimin dhe informimin e palëve në lehtësimin e proceseve të investimeve në sektorin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe Udhëzimi administrativ për zbatimin e procedurave qendrore të prokurimit publik. Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë listën e mallrave dhe shërbimeve për përdorim të përbashkët, që është një aktivitet i përvitshëm, duke rregulluar strukturën dhe përmbajtjen e kategorive dhe artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit. Udhëzimi precizon obligimet buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përgjegjësitë e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, si dhe autoriteteve kontraktuese.
Qeveria ka miratuar Planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020. Ky dokument përcakton objektivat afatgjatë për ruajtjen e biodiversitetit në vendin tonë. Republika e Kosovës ka për qëllim të përmbushë objektivat e Konventës për Diversitetin Biologjik, në dritën e rrethanave specifike kombëtare. Qëllimi i strategjisë është për të krijuar një kuadër të qëllimeve dhe aktiviteteve dhe një koordinim më të mirë.
Qeveria ka shqyrtuar gjithashtu dhe e ka përcjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës Raportin përfundimtar përmbledhës të buxhetit për vitin e kaluar fiskal. Të gjitha shënimet e prezantuara në ketë raport janë përpunuar nëpërmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës ashtu siç kërkohet nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike. Të dhënat janë nxjerrë edhe nga pasqyrat individuale të organizatave buxhetore të dorëzuar në Thesar. Sipas raportit, gjatë viti të kaluar shuma totale e pranimeve buxhetore është 1,923,360, 386 euro, ndërsa shuma e pagesave është 1,836,805,386 euro.
Miratimin e Qeverisë e ka marr edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në zonat kadastrale të komunës së Kaçanikut, Ferizajt dhe komunës së Hanit të Elezit.
Kabineti qeveritar është informuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane për zbatimin e Planit të veprimit të agjendës për reforma Evropiane (ERA).
40 mijë euro i ka ndarë Qeveria e Kosovës për realizimin e aktiviteteve për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Kosovë.
Me propozimin e Ministrit të Kulturës, Rinis dhe Sportit, janë miratuar ndryshimet në vendimet për ndërmarrjen e proceduarve për shpronësim të pronave të paluajtshme për nevojat e Klubit Prishtina.
Ministri i Infrastrukturës ka shprehur shqetësimin e qytetarëve dhe bizneseve kosovare për shumën e taksës rrugore, që kanë vendosur autoritetet shqiptare për automjetet që lëvizin në autostradën “Rruga e kombit”. Ministri Pal Lekaj ka thënë se i ka shkruar homologut të tij në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe ka kërkuar që autoritetet shqiptare të shqyrtojnë edhe një herë lartësinë e taksës së vendosur.
