Prishtinë, 18 prill 2011
Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe shefit të EULEX-it, Xavier de Marnhac është zhvilluar sot takimi i radhës i Bordit për Sundimin e Ligjit, i pari pas konstituimit të Qeverisë së Kosovës dhe plotësimit të përbërjes së bordit. Nga ky takim në Bord do të përfshihet edhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë.
Në takimin e sotëm është miratuar Plani përbashkët gjashtëmujor i punës i Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Financave së bashku me komponentët e EULEX-it, në mënyrë që këtë gjashtëmujor, para Raportit të progresit, të ketë një ngritje cilësore për fushën e rendit dhe ligjit.
Në hapje të takimit zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi pasi ka falënderuar anëtarët e Bordit të kaluar ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në rend të ditës si prioritet rendin dhe ligjin me qëllim të përmbushjes së këtyre sfidave, gjithashtu të përputhura në plotni me agjendën evropiane. “Nga fusha e sundimit të ligjit janë miratuar një mori ligjesh dhe presim një përkushtim të plotë për zbatimin e këtyre ligjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim të plotë me EULEX-in”, theksoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke shtuar se Kosova edhe më tutje ka nevojë për përkrahje për forcimin e rendit dhe ligjit sidomos në veri të Kosovës.
“Të gjitha grupet e përbashkëta punuese, që përfshijnë përfaqësues të ministrive, të komponentëve të EULEX-it dhe të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, duhet të fokusohemi në arritjen e këtyre objektivave dhe në prioritete të përbashkëta, të cilat do të ndërlidhen me fushën e rendit dhe ligjit”, pohoi z. Kuçi.
Shefi i EULEX-it Xavier de Marnhac deklaroi se marrëdhëniet në mes të EULEX-it dhe Qeverisë mbeten të forta si më parë. Ne kemi vendosur që gjatë muajve të ardhshëm të përqendrojmë përpjekjet tona të përbashkëta për arritjen e rezultateve sa më të mira për Raportin e Progresit, i cili do të ndikoj në masë të madhe në raportet në mes të BE-së dhe Kosovës, dhe do të hap rrugë për progres të mëtejshëm.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sinno, theksoi se Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian është e përkushtuar që ta mbështes Kosovën në adresimin e sfidave kryesore të sundimit të ligjit. Koha nga publikimi i raportit të progresit në tetor është e shkurtër dhe duhet të fokusohemi në arritjet që janë bërë deri tani. Forcimi i sundimit të ligjit është një projekt afatgjatë që kërkon përpjekje të vazhdueshme, edhe përtej vjeshtës. Bordi i koordinimit për sundimin e ligjit së bashku me ndihmën e BE-së dhe dialogut për politika janë elemente integrale të këtij procesi, tha ai.
