Mbahet mbledhja e 134-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës


Image

Prishtinë, 17 qershor 2013

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, është mbajtur mbledhja e 134-të me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në fillim të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për ecurinë e implementimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalën hyrëse të kryeministrit Thaçi në mbledhjen e rregullt të Qeverisë

Fillimisht, më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të uroj fillimin e implementimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë  – Serbi.

Sa i përket fillimit të punës së zyrtarëve ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, siç e dini, Republika e Kosovës do të jetë e përfaqësuar nga një ambasador në cilësinë e zyrtarit ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe obligimi dhe përgjegjësitë e këtij zyrtari janë të qarta, respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, puna maksimale për lehtësimin e plotë të implementimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky është komunikimi i parë reciprok i nivelit të tillë diplomatik në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga ana e Serbisë, por edhe reciprokisht nga ana e Kosovës në raport me Serbinë si dy shtete sovrane.

Prandaj, të dy zyrtarëve që fillojnë sot punën, ju uroj suksese dhe Qeveria e Kosovës premton bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, që janë të instaluara në Kosovë.

******

Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr 04/L-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, ndryshime të bëra nga Ministria e Financave në bashkëpunim me të gjitha Agjencitë Buxhetore.

Është miratuar edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 03/L-047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Ky projektligj ka për qëllim që ta bëjë një ndryshim në këtë Projektligj, që ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve me përbërjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe përfaqësues të Qeverisë, Zyrës së Presidentit dhe agjencive të tjera relevante, do të ketë nga dy (2) përfaqësues të komunitetit rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez dhe atij kroat, prej të cilëve nga një (1) mund të jenë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të ketë nga tre (3) përfaqësues të komunitetit boshnjak dhe turk, prej të cilëve nga një (1) mund të jenë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të ketë pesë (5) përfaqësues të komunitetit serb, prej të cilëve një është nga Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës dhe (2) mund të jenë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Në kuadër të obligimeve të Qeverisë për përmbushjen e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimi i ligjit Nr. 03/L-40 për Vetëqeverisje Lokale, që ndërlidhet me pikën 2 të marrëveshjes duke normuar shpërbërjen e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për organizimin dhe funksionimin e shërbimeve publike të punësimit, që rregullon themelimin, organizimin, funksionimin, detyrat, përgjegjësitë dhe financimin e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

Objektivat të cilat synohen të arrihen me procesin e hartimit të Projektligjit për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës janë krijimi i një baze të mirëfilltë ligjore për organizimin dhe funksionimin e Shërbimeve Publike të Punësimit në Kosovë, me qëllim të harmonizimit të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, zbatimi i politikave, strategjive nacionale, strategjive sektoriale, masave dhe programeve aktive të tregut të punës dhe aftësimit profesional dhe ofrimi i shërbimeve sa më cilësore lidhur me: ndërmjetësimin në punësim, aftësimin profesional, orientimin në karrierë, këshillimet për punësim, etj.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje është miratuar edhe projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/l-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,  me të cilin Dita e Evropës më nuk do të jetë ditë pushimi siç është përcaktuar me Ligjin aktual. Po ashtu me këtë Projektligj parashihet që Qeveria e Republikës së Kosovës në rastet e veçanta, me vendim cakton ditët e pushimit për Administratën Shtetërore.

Qeveria në mbledhjen e sotme me qëllim të zbatimit të Ligjit Nr.03L181 për Inspektoriatin e Tregut, ka marrë vendim për bartjen e detyrave dhe përgjegjësive të inspektorëve të tregut nga administrata komunale në inspektoratin e tregut të MTI-së.

Është miratuar propozim vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilin vazhdohet afati i akomodimit, pakos ushqimore dhe higjienike për të gjithë personat e riatdhesuar, të cilëve iu skadon  akomodimi 12 mujor (6+6) sipas Rregullores 10/2012 për menaxhimin e programit, organet kompetente, procedurat dhe kriteret e përfitimit për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, deri me datë 31.12.2013.

Në pajtim me nenin 13 të Ligjit Nr. 04/L-156 për Kontroll të Duhanit dhe me qëllim të zbatimit këtij ligji, është miratuar propozim-vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë, për themelimin e Këshillit Ndër-ministror për kontrollin e duhanit, në këtë përbërje:

–    Ferid Agani, Ministria  i Shëndetësisë,                                          Kryesues;
–    Leonora Shala, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, anëtare;
–    Shyqyri Hyseni, Ministria e Financave,                                            anëtar;
–    Basri Ibrahimi, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale,            anëtar;
–    Abdyl Ymeri, Ministria e Drejtësisë,                                                  anëtar;
–    Shpresa Shllaku, Ministra e Punëve te Brendshme,                   anëtare
–    Tafë Veselaj, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  anëtar;
–    Fisnik Cakaj, Ministria e Infrastrukturës,                                        anëtar;
–    Shefki Zeqiri, Ministria e Bujqësisë , Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;
–    Xhevat Bajrami, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ,  anëtar;
–    Gazmend Zhuri, Profesionist Shëndetësor, anëtar;
–    Adriatik Kelmendi, Përfaqësues i Mjeteve të Informimit,   anëtar;
–    Shkumbin Spahija, Shoqëria Civile,                                       anëtar;
–    Arben Lila, shoqëria Civile,                                                       anëtar;
–    Selatin Kaçaniku, Shoqëria Civile,                                             anëtar.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Koncept Dokumenti për hartimin e projektligjit për avancimin e Departamentit të Standardeve dhe të Politikave të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në nivel të agjencionit.

Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim për mos alokimin e 11 milionë eurove, si rezultat i komunikimit me FMN-në, ndahet në kategorinë ekonomike, mallra dhe shërbime, subvencione dhe transfere dhe në kategroinë e shpenzimeve kapitale.
Këto janë bërë në mënyrë uniforme për të gjitha institucionet buxhetore të nivelit qendror, pra nuk kemi shkurtim, por vetëm mos alokim të mjeteve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors