Prishtinë, 13 korrik 2013
“Ju keni qenë Porta e Lirisë së Kosovës. Sot i gjithë shteti i Kosovës ndihet krenar me Hasin dhe ju duhet të ndiheni mirë për këtë” – tha Kryeministri Thaçi
Sot ndihem tepër i nderuar dhe shumë i privilegjuar që gjendem në fshatin e pjesëmarrësve të lirisë, në fshatin e njeriut, që dha shumë për lirinë e Kosovës, në Kosovë, në mesin e njerëzve, të bashkëluftëtarit, komandant “Lleshi”. Ju keni dhënë shumë për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, prandaj unë si kryeministër i vendit, por edhe si bashkëluftëtarë i juaji, përulem me respekt para gjithë atyre veteranëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe çdo familje këtu në Rogovë dhe Has, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës – tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë takimit që zhvilloi sot me banorët e Rogovës, në njërin nga ambientet e këtij fshati.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast vlerësoi lartë kontributin e banorëve të Rogovës dhe të gjjithë rajonit të Hasit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ju paguat çmim të madh për lirinë e Kosovës, ju meritoni sot, përkujdesjen maksimale të shtetit të Kosovës, marrjen e atyre përgjegjësive të nevojshme dhe të domosdoshme. Çdo familje dhe çdo shtëpi në Has ishte shtab i lirisë së Kosovës, shtab i luftës çlirimtare. Ju duhet të ndiheni mirë dhe krenar si dhe shteti i Kosovës dhe gjithë kombi shqiptar me kontributin tuaj. Ju faleminderit shumë”.
Duke folur për nismën e tij si dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për formimin e 2 komunave të Hasit, Kryeministri Thaçi para qytetarëve të Rogovës theksoi:
“Kemi punuar maksimalisht për formimin e Komunave të Hasit. Unë kam respektuar vullnetin tuaj, kam respektuar opinionin tuaj, kam respektuar vizionin tuaj, kam respektuar opinionin e te gjithë intelektualëve të Hasit, atyre fshatarëve të ndershëm, atyre njerëzve që ju nevojitet ndihma e institucioneve të shtetërore të vendit dhe për këtë si kryeministër i vendit, ju kam premtuar formimin e Komunës së Hasit, që autoritetet tuaj komunale të udhëheqin drejtpërdrejt me investimet që vijnë, duke mos kaluar nëpër shumë adresa”- theksoi kryeministri Thaçi.
Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë e kam dërguar në Kuvendin e Kosovës, sepse kështu e do rendi, rregulli, ligji dhe procedurat, por aty hasëm në pengesa të panevojshme, por unë ju siguroj se asnjë votë nuk do të mund të pengoj formimin e Komunave të Hasit, në Parlament të Kosovës, nuk do të ketë fuqi politike që do të mund ta pengoj formimin e Komunave të Rogovës dhe të Gjonajve – u shpreh kryeministri Thaçi gjatë takimit me qytetarët e Hasit.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit me qytetarë tha se bashkërisht me ju, me mbështetjen tuaj, vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për formimin e dy Komunave në Has do ta kalojmë edhe në Parlamentin e Kosovës.
“Por në të njëjtën kohë dëshiroj të theksoj fuqishëm se, aspiratën tuaj, vizionin tuaj, vullnetin tuaj, qëllimin tuaj, për ta ofruar pushtetin sa më afër jush është edhe qëllim edhe vizion i yni. Ne kemi marrë vendimin për formimin e dy Komunave, aktualisht na kanë penguar në Kuvend, nuk do të mund të na pengojnë në të ardhmen, të jeni të bindur, se fuqia e juaj është më e madhe se vota e çdo njeriu në Parlament” – theksoi kryeministri para qytetarëve hasjanë.
“Duke ju falënderuar për mikpritjen tuaj, mbështetjen tuaj unë edhe njëherë ju siguroj dhe zotohem se, unë me bashkëpunëtorët e mi do të jemi zëri juaj dhe vullneti juaj në institucionet qendrore, dhe ju do ta gëzoni të drejtën dhe do t’i keni funksionale të dy komunat, në Rogovë dhe në Gjonaj” – tha z.Thaçi.
Pas Rogovës, Kryeministri Thaçi zhvilloi një vizitë edhe në fshatin Gjonaj të rajonit të Hasit, ku u takua me qytetarë të shumtë dhe me përfaqësues të fshatrave që do të përfshijnë komunën e re të Gjonajve.
“Sot kam ardhur vetëm t’ju shohë, t’ju takoj dhe t’ju uroj formimin e dy komunave dhe t’ju siguroj se pavarësisht pengesave procedural aktuale me motive politike, formimi i dy komunave në Has është diçka që askush nuk mund ta ndal askush nuk do të mund të rikthej prapa, ky është një proces që do të lëviz, vetëm përpara. Ju keni qenë të radhitur në anën e historisë, në anën e së drejtës, në luftën çlirimtare, prandaj ne të gjithë së bashku do të lëvizim përpara, në Kosovën e re, në Kosovën Evropiane, në Hasin Evropian” – tha kryeministri Thaçi.
Në vazhdim, po e prezantojmë fjalën e Kryeministrit Thaçi mbajtur sot në Gjonaj:
“Të nderuar të pranishëm,
Jemi sot këtu për t’u parë me njëri-tjetrin për të bashkëbiseduar për Hasin, për të sotmen e Hasit por edhe për të ardhmen.
Të nderuar të pranishëm,
Ju qytetarë të Hasit ,
Ndihem tepër mirë sot që si bashkëluftëtarët juaji, ju veteran të luftës, familje të dëshmorëve, invalidë të luftës , ju drejtohem edhe si bashkëluftëtarë, duke ju falënderuar për gjithë atë punë dhe mund të jashtëzakonshëm që keni treguar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sot çdo qytetar i Kosovës qoftë që ka jetuar në Kosovë, qoftë në diasporë, në një formë apo në një tjetër është çlirimtar dhe duhet të ndihet krenar për punën e tij.
Shteti i Kosovës do t’i jetë mirënjohës gjithmonë bashkatdhetarëve, diasporës dhe gjithë qytetarëve që investuan për lirinë, pavarësinë dhe shtetin tonë.
Sot shteti jonë po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë kemi fituar 101 njohje ndërkombëtare, çdo ditë e më tepër po integrohemi në institucione euroatlantike, çdo ditë e më tepër jemi duke u afruar për anëtarësim edhe në NATO dhe në BE, çdo ditë e më tepër po e zhvillojmë dhe përparojmë vendin tonë, çdo ditë e më tepër po krijojmë mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët tanë.
Vendimi për formimin e dy komunave të reja në Has është marrë duke respektuar fillimisht numrin e banorëve, pastaj edhe rrethanat tjera, të epërsisë, edhe aspekteve gjeografike, edhe politike e të tjera, ne u përcaktuam për një komunë, gjithmonë duke u konsultuar me ju, kemi ardhur në përfundim për formimin e dy Komunave.
Urime ju dhe familjeve tuaja. Formimi i dy komunave ishte deklarimi i vullnetit tuaj dhe vendimi që morëm ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, pas këtij vendimi qëndroj plotësisht.
Kam takuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike, të gjithë kanë qenë në favor të formimit të komunës, kam takuar edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare pa dallim, të gjithë kanë qenë në favor të formimit, kam takuar qytetarë të gjeneratave të ndryshme të gjithë kanë qenë në favor të formimit të komunës në Gjonaj, kam takuar njerëz të Hasit, kudo që kam shkuar në diasporë, të gjithë kanë qenë në favor të formimit të Hasit. Prandaj, e keni merituar dhe ne qëndrojmë prapa fuqishëm, vendimi është i pakthyeshëm.
Ftoj të gjithë përfaqësuesit lokal të partive politike këtu që të punojnë në mënyrë unike dhe ata që dëshirojnë të promovojnë komunën këtu, le të punojnë pa dallim partiak në shërbim të qytetarëve, në shërbim të Hasit, në shërbim të Gjonajve dhe unë kam besim të këta liderë lokal.
Kemi projekte konkrete për Hasin, edhe për ujin, edhe për shkollat edhe për kanalizime edhe për ujësjellës edhe për aspekte tjera dhe investimet do të vijnë drejtpërdrejtë në Komunën tuaj, nuk do të vijnë më përmes Prizreni por do të vijnë drejtpërdrejtë, sepse ju do të zgjidhni kryetarin tuaj, do të keni asamblistët tuaj ju dotë qeverisni vetveten, pushteti do të jetë juaji.
Ju falënderoj për mikpritjen, ju uroj sukseset më të mira, ju uroj pushim të këndshëm.
Urime, suksese!
