Prishtinë, 8 maj 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një paraqitje të veçantë televizive, iu është drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, pas vendimit që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 qershor.
Fjala e plotë e kryeministrit Thaçi në këtë adresim
Mirëmbrëma qytetar të Republikës së Kosovës kudo që jeni,
Sonte dua t’iu flas për të ardhmen e Kosovës.
Pas 30 ditësh do të dalim përsëri në vendvotime për zgjedhjet parlamentare.
Ky moment i ri, e vë shtetin tonë para një udhëkryqi. Dhe përgjegjësia bie mbi secilin prej nesh, që të vendosim se çfarë vjen më pas.
Rruga që bëmë së bashku ka qenë e gjatë dhe jo e lehtë. Por tani jemi të lirë dhe të pavarur. Më duhet t’ju rikujtoj se jo shumë vite më pare, ne ëndërronim të vinim deri këtu.
E tani pyetja shtrohet – se a është koha të ndalojmë së ëndërruari? A është kjo e tëra? A jemi të kënaqur me të arriturat dhe tani të ndalemi? Apo është koha tani që tani ti ngrisim synimet tona sa më lart edhe njëherë? Të synojmë ndërtimin e një Kosove moderne dhe të zhvilluar?
Ju më njihni mua! Gjithmonë kam besuar se Kosova do të ketë sukses. Unë i vlerësoj arritjet e së kaluarës, por jam i përqëndruar në synimet tona për të ardhmen.
Misioni im i ri është që të vazhdojmë ndryshimet në Kosovë, duke fuqizuar një ekonomi të zhvilluar, duke krijuar vende të reja të punës dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve.
Kjo është zgjedhja me të cilën përballet çdo qytetar dhe çdo familje. A do të ndalemi apo do të ecim fuqishëm përpara?
Natyrisht, qytetarët e Kosovës janë të vendosur për të ecur përpara. Për këtë nuk ka dilema.
Vendi ynë ka nevojë për një mision të ri, me udhëheqje që ka vizion të qartë dhe që është energjik.
Qytetarë të nderuar,
Sot unë po e ndaj vizionin tim se si dua dhe sa i vendosur jam për ta çuar Kosovën përpara.
Në muajt e fundit kam vizituar bizneset në çdo qytet e fshat.
Ne do të investojmë 1.5 miliard euro në fuqizimin e bizneseve të Kosovës. Këto para do ta rrisin potencialin e vendit tonë për zhvillim dhe punësim.
Këto para do të shkojnë për bujqit dhe fermerët, që ata të rrisin prodhimet e tyre; do të shkojnë për ndërmarrësit për të filluar biznesin e tyre; do të shkojnë për kompanitë e mëdha, të mesme dhe të vogla të Kosovës, në mënyrë që t’u mundësojmë atyre të shesin prodhimet e tyre jashtë vendit; do të shkojnë në industri për të zhvilluar burimet tona; do të përdorën për të ndërtuar fabrika, rrugë, ura e shumë projekte të tjera.
Qytetarë të nderuar,
Ne e quajmë këtë plan Fondi i Punësimit, sepse kudo në Kosovë ky plan do të krijojë vende të reja pune.
Fondi i Punësimit është i hapur për të gjithë qytetarët që kanë ose dëshirojnë të hapin një biznes, për çdo qytetar që dëshiron të ndërtojë diçka, të rrisë diçka, të prodhojë diçka. Fondi i Punësimit është për çdo qytetar që dëshiron të ndihmoj veten, familjen e tij dhe zhvillimin e Kosovës.
Ky është një investim për të përmbushur synimet tona për zhvillim ekonomik dhe punësim. Këto janë paratë tona që panevojshëm janë duke qëndruar në llogaritë e bankave të huaja.
Qytetarë të nderuar,
Unë them, kjo është koha jonë, ky është momenti ynë! Le të krijojmë një Kosovë të zhvilluar dhe moderne. Të investojmë edhe më shumë në arsim dhe të përgatisim fëmijët tanë për të gjetur punë, le të sigurohemi që asnjë familje të mos ketë vështirësi për t’i shkolluar fëmijët e vet.
Për këtë qëllim, muajin e kaluar përgjysmova koston e shkollimit universitar për studentët tanë. Tani kam vendosur të rrisë numrin e bursistëve për studentët e dalluar, duke dyfishuar numrin e tyre.
Nga 1 tetori i këtij viti shkollimi publik universitar do të jetë gratis për të gjithë studentët. Do të vazhdoj shpërndarja gratis e librave për të gjithë nxënësit e Kosovës.
Krijimi i një Kosove moderne do të thotë se ne, jo vetëm që do të krijojmë vende pune, por ne do t’u japim punëtorëve paga dinjitoze të merituara.
Ne do të sigurohemi që asnjë familje të mos ballafaqohet se si do ta përmbyllë muajin. Me qëllim të lehtësimit të jetës së familjeve me asistencë sociale, kemi marrë vendim që t’i lirojmë nga pagesa e faturave të mbetura të rrymës.
Për këtë qëllim, ne i rritëm pagat për të gjithë punonjësit e sektorit publik edhe për 25%, për mësimdhënësit, për punëtorët e shëndetësisë, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, për arsimtarët, policët, zjarrëfikësit, pjesëtarët e FSK-së, shërbyesit civil, sistemin e drejtësisë, pensionistët, artistët, minatorët, skemat sociale.
Tanimë kemi kujdesin shtetëror ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ndaj ish të burgosurve politikë. Në të ardhmen do të ketë edhe rritje tjera të pagave.
Poashtu, jam duke iu bërë thirrje bizneseve private për të bërë të njëjtën gjë, sepse punëtorët meritojnë paga edhe më të mira.
Ky është vizioni im: paga dinjitoze, bizneset në rritje, vende të reja pune, njerëzit tanë të punojnë. Kosova duke u zhvilluar, një shtet modern evropian në zemër të Ballkanit.
Qytetar të nderuar,
Ku dëshironi të jeni pas disa vitesh? Kush ka vizion dhe energji për të na udhëhequr përpara?
Kjo është arsyeja se pse janë kaq të rëndësishme zgjedhjet e qershorit.
Ajo çka vjen më pas, që ne do të bëjmë, do të ndikojë në çdo shtëpi dhe çdo cep të Republikës së Kosovës. Do të jetë për babain dhe nënën të cilët qëndrojnë në shtëpi, të shqetësuar se si do të paguajnë faturat e tyre. Do të jetë e lidhur me shumën e pagës që sjellni në shtëpitë tuaja dhe sasinë dhe cilësinë e ushqimit në frigoriferin tuaj. Kjo nuk është politikë. Kjo është kryekëput e ndërlidhur me jetën që bëjmë ne si qytetarë të Republikës së Kosovës.
Qytetar të nderuar,
Tregimi i Kosovës është një tregim i një populli, i cili ka luftuar përkundër të gjitha sfidave, çdoherë dhe kurdoherë.
Ne jemi një popull të cilit i është thënë se kurrë nuk do të jetë i lirë. Ne nuk i besuam kësaj. Ne jemi populli të cilit i është thënë jo rrallë se nuk do të keni shtetin tuaj. Ne përsëri nuk besuam në këtë. Kështu që sot ne nuk do të besojmë në ata që dyshojnë në suksesin tonë. Ne nuk do të lejojmë të na thonë se nuk mund të sjellim zhvillim ekonomik edhe më të fuqishëm .
Është nder i madh, privilegj, por edhe përgjegjësi e lartë, t’iu shërbesh qytetarëve të Kosovës. Të jesh Kryeministër i Kosovës do të thotë të bartësh mbi supe pritjet dhe synimet e qytetarëve të vendit tënd. Por ne vazhdojmë me zhvillim.
Unë ju siguroj se pritjet dhe synimet tona për zhvillim ekonomik, dhe integrime euroatlantike, do të jenë prioritet i punës sime të përditshme. Për më tepër, më lejoni t’iu siguroj se partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian do të forcohet edhe më shumë.
Ne si shtet dhe si popull jemi pjesë e kësaj familje dhe ndajmë të njëjtat vlera civilizuese.
Unë nuk kam dyshim në përcaktimin dhe ndihmën tuaj. Unë besoj në secilin nga ju. Më 8 qershor ne bashkërisht fillojmë misionin e ri.
Ju faleminderit!
